Abdulbari Atvan, kryeredaktor i gazetës Raj al-Yaum, në një artikull të tij duke vënë në dukje përshkallëzimin e krizës në marrëdhëniet mes Arabisë Saudite dhe Emirateve të bashkuara Arabe me Katarin, shkruan: Nëse lufta mediatike mes dy palëve që nisi për shkak të deklaratave të Emirit të Katarit përshkallëzohet në konflikt ushtarak, kush do të qëndronte në frontin e mbrojtjes së Katarit?

Nuk përjashtohet konflikti ushtarak

 

Ajo çka e bën eventual përballjen ushtarake mes dy palëve, janë tre zhvillime të rëndësishme mes tyre gjatë 20 viteve të fundit:

1-Lufta “Khavos” mes Arabisë Saudite dhe Katarit në vitin 1992 për shkak të mosmarrëveshjeve kufitare mes dy vendeve, e cila u përshkallëzua pasi forcat e ushtrisë saudite sulmuan rojet kufitare të Katarit dhe në këtë betejë u vranë një oficer saudit dhe dy ushtarë katariotë.

2-Grushti i shtetit i bardhë i kryer nga Sheikh Hamd bin Khalifa, princi i atëhershëm katariot kundër babait të tij, i cili në Qershor 1995 ndodhej për një vizitë zyrtare në Egjipt. Ky grusht shteti që u krye me përkrahjen e SHBA dhe që u njoh zyrtarisht nga Uashingtoni, shkaktoi shqetësime të mëdha tek vendet arabe të Gjirit Persik.

3-Ndërhyrja ushtarake e përkrahur nga Arabia Saudite, EBA, Bahrejni dhe Egjipti në Shkurt 1996 për të përmbysur ish Emirin e Katarit, Hamd bin Khalifan, dhe rikthimin në pushtet të babait të tij që ndodhej në një hotel në Abu Dhabi. Kjo ndërhyrje nuk rezultoi e suksesshme dhe i tensionoi edhe më shumë marrëdhëniet mes Arabisë Saudite dhe Katarit dhe Emiri i atëhershëm i Katarit akuzoi për këtë grusht shteti princin Selman bin Abdulaziz (mbretin aktual saudit) dhe vëllain e tij princin Sultan, ish ministër i Mbrojtjes i Arabisë Saudite.

 

Nuk ekziston asnjë ndërmjetësues për zgjidhjen e krizës saudito-katariote

Në disa raste të krizës në marrëdhëniet mes Riadit dhe Dohas siç ishte kriza e largimit të ambasadorëve nga Doha në vitin 2014, disa ndërmjetësues u përpoqën ta zgjidhnin këtë krizë, por përsa i përket krizës aktuale, të paktën deri tani nuk ka dalë asnjë ndërmjetësues, madje nuk po përmendet as Kuvajti si “pëllumbi i paqes” dhe as Emiri i Kuvajtit, Sheikh Sabah al Ahmed. Ndoshta ky i fundit është lodhur nga ky rol, mbase këto ditë, marrëdhëniet mes tij dhe Arabisë Saudite për arsye të ndryshme nuk janë në nivelin e duhur. Një nga këto arsye është pakënaqësia e Kuvajtit nga politikat ekstreme të Arabisë Saudite ndaj Iranit si dhe mosmarrëveshjet mbi fushat e naftës dhe gazit.

Opcionet e Katarit përballë krizës së rëndë me Arabinë Saudite

 

Duket se Katari ka tre opcione kryesore për tu përballur me këtë krizë:

1-Të pranojë të gjitha kushtet e boshtit katërpalësh të përbërë nga Arabia Saudite, Emiratet, Egjipti dhe Bahrejni, ku një prej kushteve kryesore është ndërprerja e marrëdhënieve me Iranin dhe ndalja e çdo forme të përkrahjes për Vëllezërit Myslimanë. Gjithashtu, Katarit i kërkohet të dëbojë nga Doha të gjithë funksionarët e Hamasit si Khaled Mashal, Musa abu Marzuk, Muhamed Nezal, Izet al Shargh dhe Saleh al Aruri si dhe t’i japë fund çdo ndihme financiare dhe politike për Hamasin.

2-Bashkimi me boshtin Iran-Irak-Siri si reagim ndaj sulmit të boshtit katërpalësh. Ka mundësi që në këtë mes Turqia të luajë një rol të rëndësishëm, veçanërisht në kushtet kur Turqia dhe Katari kanë nënshkruar një pakt mbrojtjeje dhe Turqia ka një bazë ushtarake në afërsitë Dohas.

 

Çfarë qëndrimi do të mbajë Erdoganit?

Duhet ta kemi parasysh faktin se edhe presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, është i pakënaqur nga administrata e Trump, sepse ndihet i ofenduar nga Uashingtoni pasi qeveria amerikane nuk pranoi të ekstradojë klerikun Fethullah Gylen i akuzuari kryesor për grusht shtetin e dështuar në Turqi. Gjithashtu, Erdogan është i zemëruar, sepse administrata amerikane preferoi kurdët në vend të aleatit strategjik të Amerikës dhe u jep ndihma financiare dhe ushtarake kurdëve, të cilët shihen si armiq nga Ankaraja. Në këto rrethana, ekziston mundësia që Erdogan të ndryshojë politikat dhe aleancat në Siri dhe të tërheqë drejt vetes Katarin.

3- Emiri i Katarit mundet t’i drejtohet administratës amerikane me një çek prej 200 miliardë dollarë, pra të bëjë po atë veprim që bëri zv/princi trashëgimtar saudit, Muhamed bin Selman,  për të marrë armë dhe investime. Nuk dihet se cilin opcion do të zgjedhë qeveria e Katarit, por është e qartë se shumë shpejt duhet të zgjedhë njërin prej tyre, sepse rrjedha e ngjarjeve po shkon drejt konfliktit ushtarak./ PT

96