Kushtetuesja i hap rrugë vetingut, shtyn vendimin për ankimin e gjyqtarëve

Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë zbatimit të vetingut. Edhe pse Unioni i Gjyqtarëve ankimoi vetingun dhe 2 ligje të tjera, askush nuk do e ndalë procesin e reformës në drejtësi. Në seancën e korrikut, Kushtetuesja vendosi që të shtyjë për në 28 shtator vendimin për ankimin e gjyqtarëve.

Por gazeta ka mësuar se në këtë datë nuk do të merrte asnjë vendim për vetingun. Burimet saktësuan se do të jetë një seancë ndërgjyqëse ku palët do të ballafaqohen me njëra-tjetrën. Gjyqtarët do japin argumentet e tyre, ndërsa nga ana tjetër do jenë përfaqësuesit e Kuvendit që do të mbrojnë ligjin. Pasi të dëgjojnë palët, gjyqtarët do të vendosin nëse do bien disa nene për ligjin e vetingut, për organet e drejtësisë dhe për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve. Ligji për Gjykatën Kushtetuese i jep të drejtë këtij organi që të marrë vendim brenda 3 muajsh. Kjo do të thotë se vendimi për ankimimin pritet që të merret në fund të vitit.

Sido që të jetë ai do të duhen disa javë derisa të zbardhet dhe të publikohet në Fletoren Zyrtare që të quhet i rregullt. Pra, nëse ecet normalisht, vetëm në fillim të vitit 2018 vendimi do jetë i zbatueshëm. Shtyrja e seancës së radhës më 28 shtator ishte një lëvizje taktike e Kushtetueses. Në këtë datë pritet që të nisin dhe efektet e para të vetingut. Por marrja e vendimit në fund të vitit i hap rrugë të plotë procesit, të paktën për krerët e institucioneve, deri në dhjetor pritet që për pjesën më të madhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve të jenë kontrolluar formularët dhe të merret vendimi nëse qëndrojnë në detyrë apo jo. E vënë përballë një presioni kaq të madh publik dhe ndërkombëtar, Kushtetuesja ka vendosur të ndjekë një rrugë taktike, por brenda kornizës ligjore. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë, pasi vendimet e kësaj gjykate kanë qenë kyçe sa i takon këtij procesi.

Kërkesat e gjyqtarëve për vetingun

Në ligjin për vetingun, gjyqtarët kërkojnë që të mos ketë verifikime sa i takon ligjeve të tyre me krimin. Bëhet fjalë për kapitullin më të rëndësishëm, pasi nëse dikush ka pirë kafe me një kriminel do shkarkohet nga detyra. Por gjyqtarët nuk e pranojnë një gjë të tillë. Sipas kërkesë padisë, ata kërkojnë që të mos përdoren informacione konfidenciale për verifikimin e tyre. Ata kërkojnë që të mos ketë verifikim në këtë aspekt dhe kjo ngjall shumë dyshime. Shoqatat e gjyqtarëve vlerësojnë se parashikimet e ligjit të vetingut mbi mënyrën si do të sigurohen dhe administrohen provat nga “grupi i kontrollit” gjatë procedurës së rivlerësimit kalimtar shkon përtej kushtetutës.

Ata kundërshtojnë administrimin si provë gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të dëshmive të dhëna nga dëshmitarë të mbrojtur të prokurorisë, ku mund të flitet për lidhjet e tyre me krimin e organizuar. Ato gjithashtu kundërshtojnë përdorimin si provë në procesin e rivlerësimit të informacioneve konfidenciale, si përgjimet telefonike parandaluese të bëra nga agjenci ligj zbatuese dhe informacioneve të dhëna nga oficerë dhe agjentë të policisë gjyqësore.

Një tjetër nen i kontestuar i ligjit të vetingut ka të bëjë më të drejtën e gjyqtarit dhe prokurorit për të dhënë dorëheqjen gjatë procesit të rivlerësimit të integritetit të figurës, që sjell si rrjedhojë ndërprerjen e kontrollit. Ligji ka parashikuar që gjyqtarët dhe prokurorët mund ta ushtrojnë këtë të drejtë jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e tij. Sipas shoqatave, ky përcaktim është jokushtetues dhe subjektet duhet të kenë të drejtë të japin dorëheqjen dhe, si rrjedhim, ta ndërpresin kontrollin gjatë gjithë procesit të vetingut.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne