Kuvendi i Kosovës debaton mbi angazhimin e Thaçit në “korrigjimin e kufijve”

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës mbahet me kërkesë të opozitës ku deputetët diskutojnë për përfshirjen e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi që “shkëmbimi i territoreve” ose “korrigjimi i kufijve” të përfshihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Në seancë nuk marrin pjesë deputetët e Listës Serbe.

Kreu i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Avdullah Hoti, në emër të propozuesit, tha se sjellja e Thaçit në muajin gusht në Austri, kur ai përjashtoi BE-në dhe SHBA-të nga dialogu, duke kërkuar që vetëm ai dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç të negociojnë është skandaloze dhe jokushtetuese. Hoti tha se vetëm Kuvendi i Kosovës ka të drejtë të negociojë dhe të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare dhe se vetëm Kuvendi mund të thërras referendum.

“Diskursi i Thaçit për gjoja mbështetje ndërkombëtare të këtij procesi është mashtrim për tri arsye. Nën një, shkëmbimi i territoreve nuk është rezultat i ndryshimit të politikës së partnerëve tanë, kjo është ide e Beogradit dhe Moskës për të penguar konsolidimin e shtetit të Kosovës. E dyta shkëmbimi i territoreve nuk i siguron Kosovës anëtarësim në OKB, pse Kina do të ndërronte qasje karshi kësaj çështjeje. Dhe e treta, shkëmbimi i territoreve nuk i siguron Kosovës përspektivë të qartë drejt Bashkimit Evropian sepse qëndrimi i Spanjës karshi pavarësisë së Kosovës nuk ndryshon me shkëmbim territoresh”, tha Hoti.

LDK-ja propozoi që Kuvendi i Kosovës të miratojë një rezolutë me vetëm një pikë: “Territori i Republikës së Kosovës është një dhe i pandashëm dhe as presidenti i Kosovës as kushdo tjetër nuk ka mandat për të negociuar mbi territorin e Republikës së Kosovës”.

Sipas Hotit, kjo rezolutë nuk nënkupton ndërprerjen e dialogut me Serbinë, por ajo vendos një vijë të kuqe në dialogun me Serbinë. Ai tha se dialogu duhet të vazhdojë, pas zgjedhjeve të reja.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniq, tha se ata që pa bazë spekulojnë për ndarjen e mundshme të Kosovës, përhapin qëllimisht panik në mesin e qytetarëve të Kosovës dhe se përveç ndarjes së rrezikut ndaj Kosovës, kërcënon të formojë edhe Bashkësinë e komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive, gjë që do të çonte në bosnjëzimin e Kosovës. Prandaj, siç tha ai, Kuvendi duhet ta bëjë të qartë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe se konsensusi për dialogun me Serbinë është mase i dëshirueshëm.

“Ne jemi pro dialogut si mënyra më e mirë për arritjen e qëllimeve tona si shtet, por në asnjë mënyrë nuk do të lejohet cenimi i sovranitetit dhe i shtetësisë së Kosovës, integriteti territorial i shtetit tonë, i funksionimit unitar të shtetit dhe i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Po ashtu çfarë do marrëveshje që mund të arrihet me Serbinë nuk mund të jetë e vlefshme pa u ratifikuar me votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Krasniqi.

Në debatin që pasoi, ka pasur akuza të ndërsjella midis pushtetit dhe opozitës ndërsa Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i PDK-së Kadri Veseli i ftuan partitë politike që të miratojnë një rezolutë të përbashkët, me të cilën do të pajtohej edhe presidenti Thaçi.

Kujtojmë se mbi këtë temë me kërkesë të opozitës edhe në shtator u caktua seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, por kryeministri Haradinaj atëherë kërkoi po të njëjtën ditë, vetëm një orë më vonë, që të mbahet seancë po ashtu e jashtëzakonshme e Kuvendit për t’u votuar ekipi qeveritar për negociata me Serbinë, në krye me Fatmir Limajn.

Opozita këtë e vlerësoi si obstruksion dhe nuk mori pjesë në seancën e jashtëzakonshme me kërkesë të Qeverisë. Pastaj koalicioni qeverisës po ashtu u përgjigj me bojkot. Që atëherë, partitë e opozitës kanë bojkotuar në masë të madhe punën e Kuvendit të Kosovës dhe kanë marrë pjesë vetëm në seancën e votimit mbi projektligjet për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne