Fushata zgjedhore ndikon në ndërgjegjen e votuesve duke u përpjekur t’i shtyjë qytetarët drejt votimit.

Psikologët janë të mendimit se çdo parti përpiqet të tërheqë sa më shumë votues në çdo formë dhe një nga mënyrat për të realizuar qëllimin është kolona zanore që shoqëron çdo fushatë subjekte të caktuara politike.

Hitet më të pëlqyera nga audienca janë ato që zgjidhen si kolona zanore në mënyrë që të godasin në shënjestrën e grupit shoqëror që partitë synojnë të kenë rreth vetes.

“Kolona zanore zakonisht shoqëron premtimet e partive. Ajo zgjidhet me qëllim që të mbështesë objektivat që i kanë vënë vetes ata që prezantojnë programin dhe kjo tërheq ata mbështetës të partisë, të cilët kane qenë të tërhequr, të fjetur, apo të pakënaqur”, thotë specialisti Edmond Dragoti.

Pozita ka zgjedhur në këtë fushatë hitin e Kampionatit Europian që na shoqëroi gjatë verës së shkuar, me të cilin shqiptarët lidhin fitoren në fushën e blertë, ku për herë të parë futbolli ynë preku ëndrrën europiane. Opozita, një tjetër hit veror nga Calvin Harris me titull “Nën Kontroll”, ndërsa LSI një marsh luftarak.

“Vëmë re për shembull që kolona zanore e PS-së është kolonë optimuese, që simobilizon njerëzit, që lidhet me Europën, me një të ardhme më të hapur. Ndërsa ajo e Partisë Demokratike duket si një kolonë zanore që kërkon një shtet, një autoritet që të vihen nën kontroll të rregullave të caktuara, të ligjeve, etj. Interesante është po ashtu edhe ajo e LSI, e cila në thelbin e vetë mbart një himn, një marsh, një himn luftarak, më shumë militar sesa civil, që imponon një lloj nisjeje në betejë”, thotë Dragoti.

Nuk është vetëm pjesa e programit që ndikon në fushatë, elementët e jashtëm janë gjithashtu të rëndësishëm, shpjegon më tej profesor Dragoti dhe muzika, si një faktor që provokon emocione të forta, është ndër elementët që merr në dorë fatin e votës së qytetarëve ditën e votimit.

7