Pse falimentoi kompania Plus Communication?

Kompania e katërt e telefonisë celulare, një investim i sipërmarrësve shqiptarë, është tërhequr nga tregu, tetë vjet pasi kishte filluar aktivitetin. Arsyet që çuan në këtë vendimmarrje pas një beteje të humbur me autoritetet rregullatore dhe vendimmarrëse dhe si pritet të riformatohet sektori i telefonisë celulare

 

Kur filluan aktivitetin, në qershor të vitit 2009, drejtuesit shqiptarë të Plus Communication e dinin që nuk do ta kishin të lehtë. Konkurrenca në tregun e telefonisë celulare ishte ashpërsuar pas hyrjes së operatorit të tretë, Eagle Mobile (sot Albtelecom) në 2008-n, duke lënë pak hapësirë për të katërtin. Kriza, nga ana e saj, po bënte të vetën, duke reduktuar fuqinë blerëse të konsumatorëve.

Por, tregu ishte sërish i uritur për një operator të ri, për shkak të tarifave të larta (ndër më të shtrenjtat në Europë) që vijonin të paguanin konsumatorët dhe fitimeve të mëdha të dy operatorëve kryesorë të tregut, Vodafone dhe Telecom Albania (ish AMC). Në vitin 2009, të dy operatorët së bashku deklaruan fitime prej rreth 170 milionë euro, nga 340 milionë euro të ardhura që realizoi gjithë tregu i telefonisë celulare atë vit (sipas të dhënave nga bilancet dhe AKEP). Pra gjysmat e shumës që shqiptarët shpenzonin për të folur në telefon shkonte si fitime për dy kompanitë me kapital të huaj, një pjesë e konsiderueshme e të cilave transferoheshin jashtë vendit.

Dhe hyrja e dy operatorëve të rinj në treg i dha shpejt efektet në përfitim të konsumatorëve. Tarifat u ulën me shpejtësi pas vitit 2010. Sipas Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ecuria e tarifave me pakicë të tregut celular analizohet në dy drejtime kryesore: – Të ardhura mesatare për minutë/përdorues (ARPM/ARPU); – Tarifat nominale me pakicë të operatorëve. (Average Revenue Per User) dhe ARPM (Average revenue Per Minute) ku këta dy tregues deri në vitin 2015 kanë ardhur duke u ulur duke treguar përmirësim të eficencës së tregut, siç tregohet dhe nga grafiku i mëposhtëm. Të ardhurat mesatare për minutë/përdorues (ARPM) u ulën nga 6.49 lekë/minutë në vitin 2010 në 2.36 lekë për minutë në 2015-n, një reduktim prej tre herë. Konkurrenca e shtuar çoi në rënien e ndjeshme të fitimeve të dy operatorëve kryesorë, Vodafone dhe Telecom Albania, të cilët në vitin 2015 deklaruan së bashku 9 milionë euro fitime.

Ndërsa konsumatorët panë përfitime të shpejta nuk ndodhi e njëjta gjë me kompaninë. Që në fillimet e aktivitetit, Plus u përball me muret që krijuan operatorët e mëdhenj, që nisën të ofronin tarifa shumë të lira brenda rrjetit, duke “larguar” klientët nga të vegjlit. Burokracitë në marrjen e licencës 3G iu shtuan vonesave në ndërhyrjet e autoriteteve rregullatore për zgjidhjen e problemeve të krijuara nga pozita dominuese në treg e aktorëve të mëdhenj.

Një nga problemet për të cilat Plus është ankuar që prej vitit 2013 lidhet me ekzistencën e grupeve dhe “klubeve” brenda operatorëve të mëdhenj, e cila për rrjedhojë sillte diferenca të mëdha çmimesh në komunikimin drejt rrjeteve të tjera, duke krijuar mure mbyllëse për abonentët. Përmes mosndërhyrjes, autoritetet jo vetëm që kanë dëmtuar financiarisht Plus-in, por në këtë mënyrë kanë ndikuar direkt edhe në zbrazjen e xhepave të konsumatorëve shqiptarë, duke u ngarkuar atyre tarifa më të larta për nevojat e tyre për komunikim.

Plus është ankuar vazhdimisht se është diskriminuar e zvarritur në mënyrë sistematike tashmë për vite nga autoritetet, nëpërmjet mosrregullimit të tregut, duke përmendur me radhë çështjen e ndryshimit të tarifave brenda dhe jashtë rrjeteve, çështjen e asimetrisë të aplikuar ndryshe për operatorë të ndryshëm, sigurisht duke diskriminuar Plus-in, apo për çështjen jashtëzakonisht të zvarritur të dhënies së autorizimit për shërbimet 3G, duke kulmuar edhe me trajtimin haptazi me dy standarde të një çështjeje të ngjashme të sjellë në vëmendje të tij nga operatorët në treg, në lidhje me shfrytëzimin e frekuencave 3G dhe 4G.

Plus ishte i vetmi operator i katërt në Europë, që nuk iu dha “roaming kombëtar”, në periudhën në të cilën parashikohej ndërtimi i rrjetit të transmetimit, duke e diskriminuar kështu në një treg tashmë të saturuar në aspektin e penetrimit.
Përballë kësaj situate, kompania u vu në vështirësi dhe në vitin 2014 humbjet ishin 1.4 miliardë lekë, nga 1.8 miliardë lekë që ishte totali i të ardhurave, çka krijoi probleme dhe në shlyerjen e një kredie sindikatë, të marrë për zhvillimin e aktivitetit.

Në vitin 2015 dhe 2016, situata financiare e kompanisë u përmirësua. Në bilancin e 2016-s, Plus raportoi 3 miliardë lekë të ardhura dhe fitime prej 134 milionë lekësh, ndërsa arkëtoi dhe fitime të jashtëzakonshme prej rreth 1 miliard lekësh.
Humbjeve të aksionerëve të Plus iu shtua dhe ristrukturimi i kredisë prej 35 milionë eurosh. Ndryshe nga bizneset e tjera që vijojnë të jenë debitorë dhe huatë e tyre nuk kthehen, por vetëm sa janë fshirë nga bilancet e bankave, ristrukturimi i huasë u mundësua përmes hyrjeve nga aksionerët, të cilët morën përsipër pagimin e detyrimit, duke i bartur vetë humbjet.

 

 

Mbyllja

Plus nuk gjeti as mbështetjen e politikës, teksa në mënyrën si funksionojnë institucionet shqiptare është politika ajo që ndikon në vendimmarrje. Ishte e dukshme mungesa e vullnetit të politikës për të mbështetur suksesin e një kompanie me format të tillë pronësie, që do të përbënte risi për kapitalizmin shqiptar.
Përballë mungesës së mbështetjes, konkurrencës së fortë dhe problemeve ekonomike, aksionerët morën në verë të këtij viti vendimin për të mbyllur aktivitetin. Në shpjegimin që Plus ka dhënë për Autoritetin e Konkurrencës thuhet: “Për shkak të vështirësive financiare, ndërmarrja nuk mund të vijojë më tej me investime për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe konkurruese ndaj konsumatorëve dhe duke pasur parasysh kërkesat e AKEP ndaj operatorëve të tjerë për të siguruar vijimin e ofrimit të shërbimeve të kontraktuara, kërkon të transferojë frekuencat në përdorim të saj tek operatorët e tjerë celularë sipas Marrëveshjeve me këta operatorë”, thuhet në shpjegimin e Plus për Konkurrencën.

“Gjatë gjithë viteve të operimit në treg, që nga viti 2010, shoqëria ka rezultuar me humbje të konsiderueshme…. Humbja e akumuluar në vite kap shifra të konsiderueshme rreth 6.1 mln lekë dhe për këtë arsye aksionerët e shoqërisë kanë ndërmarrë dy herë masa ristrukturimi të kapitalit për të mbuluar humbjet.”
Në bazë të marrëveshjes me operatorët, Vodafone dhe Telecom Albania do të ndajnë përdorimin e frekuencave dhënë në përdorim Plus nga AKEP për kohëzgjatjen e mbetur respektivisht. Edhe operatori i tretë i telefonisë celulare, Albtelecom, është shprehur se nuk ka më interes të përdorë, të gjithë apo një pjesë të frekuencave që ju janë akorduar Plus nga AKEP, dhe se për këtë arsye nuk ka asnjë pretendim në të tashmen apo në të ardhmen, kërkesa apo kërkime në rast se këto frekuenca do t’i transferohen të tretëve (përfshirë operatorët e tjerë shqiptarë).

 

 

Tregu, pas daljes së Plus

Sipas një analize të Autoritetit të Konkurrencës, Tregu i telefonisë celulare qarkullon rreth 270 milionë euro në vit.
Pjesët e tregut të operatorëve celularë për treguesin përdorues aktiv telefoni për tremujorin e parë të vitit 2017 janë: Vodafone 48.22%, Telekom Albania 33.95%, Albtelecom 12.6% dhe Plus 5.23%. Për vitin 2016, pjesët e tregut janë: Vodafone 50.8%, Telekom Albania 30.7%, Albtelecom 13.1% dhe Plus 5.4%, nga ku vihet re ulje e pjesës së tregut të Vodafone, Albtelecom dhe Plus. Duke pasur parasysh treguesit e mësipërm, Vodafone është konkurrenti me pjesën më të madhe në treg, më pas vjen Telekom Albania, Albtelecom dhe në fund, konkurrenti me pjesë tregu më të vogël, Plus.
Konkurrenca ka dhënë miratimin për kalimin e frekuencave nga Plus te Vodafone dhe Telecom Albania, duke argumentuar se: Nuk krijohen deformime të konkurrencës; Nuk dëmtohet përdorimi i rregullt, i sigurt dhe eficient i spektrit të frekuencave; Rritet eficienca e përdorimit të spektrit të frekuencave; Mbrohet interesi publik; Realizohet transparenca e nevojshme e parashikuar ligjërisht.

Konkurrenca e pranon se reduktimi i numrit të operatorëve mund të sjellë rritje të çmimeve, por tregu mund të mbahet gjithë kohën në monitorim.
Portabiliteti i numrit, unifikimi i tarifave in-net dhe off-net (Brenda dhe jashtë rrjetit) si dhe fakti që më shumë se 90% e përdoruesve të telefonisë celulare kanë shërbim me parapagesë, rrisin mundësinë e lëvizshmërisë së klientëve dhe ulin mundësinë që klientët e Plus të kalojnë të gjithë në operatorin Vodafone.
Në rastet kur transferimi i klientëve do të ndahet në tre operatorët në treg, Vodafone do të vazhdojë të ketë pjesën më të madhe të tregut dhe Telekom e Albtelecom, me pjesë të qëndrueshme tregu.

Në përfundim të analizës ekonomike, Konkurrenca vlerëson se për shkak të strukturës oligopolistike të tregut të telefonisë celulare, barrierave në hyrje për shkak të licencave të dhëna, pjesës së ulët të tregut që zotëron ndërmarrja PLUS, konkurrenca mendon se dalja nga tregu e operatorit Plus mund të sjellë ndryshime të strukturave të tregut. Konkurrenca konstaton se Vodafone Albania mund të rrisë pjesën e tregut në shërbimet që ofron, por duhet të theksojmë se rritja e pjesës së tregut pas përqendrimit do të këtë ndikim të vogël në treg për shkak të pjesës së vogël të tregut që zotëron Plus Communication. Pas transferimit në tregun e telefonisë celulare do të ofrojnë shërbimin e tyre tre operatorë, nga të cilët Vodafone Albania SHA ka pozitë dominuese në treg, e ndjekur nga Telekom Albania dhe Albtelecom. Pas transferimit AKEP do të vendosë kushte në Autorizimet Individuale që do të lëshohen në kohën e fillimit të shfrytëzimit të spektrit dhe mbulimit, për të bërë të mundur rritjen e efektivitetit të përdorimit dhe shmangien e mbajtjes së bllokuar të tij.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne