‘Larg duart nga Venezuela’: Në Karakas u mbajt një tubim madhështor për të mbështetur peticionin me 10 milionë nënshkrime

Një numër i madh qytetarësh të Venezuelës kanë dalë për të nënshkruar një peticion kundër ndërhyrjes së mundshme ushtarake të SHBA-së, pasi aktivistët qeveritarë filluan të mbledhin nënshkrime për një fushatë që tregon “mbështetjen për paqen” në mesin e kërcënimeve në rritje.

Maduro njoftoi se pamfleti që dënon haptazi ndërhyrjen e mundshme të Presidentit Donald Trump në trazirat e vazhdueshme politike do të qarkullonte në të gjithë vendin.

“Falënderoj popullin që erdhi në sheshin Bolivar për të nënshkruar një peticion dhe për të protestuar kundër ndërhyrjes së imperialistëve amerikanë në punët e atdheut tonë. Ky është një manifestim i mrekullueshëm i dashurisë dhe vetëdijes. Ne do të mbledhim 10 milionë firma për paqen!”, ka shkruar Maduro në Twitter.

Në Karakas, njerëz të shumtë u rreshtuan për të nënshkruar dokumentin. Peticioni u përshëndet nga një masë gjigande njerëzish në mesin e këngëve antiamerikane të tilla si “Yankees Go Home”.

Që të nënshkruhet ky peticion, qytetarëve u kërkohet të tregojnë një kartë të vleshme identifikimi. Autoritetet venezueliane shpresojnë që deri në fund të kësaj fundjave të arrijnë numrin e tyre të synuar, kohë në të cilën përfundon edhe nënshkrimi.

Pavarësisht nga ndasitë ekstreme në shoqërinë e Venezuelës, një sondazh i fundit tregon se 86% e popullsisë e kundërshton ndërhyrjen e drejtpërdrejtë ushtarake nga një fuqi e huaj dhe 81% i kundërshton sanksionet e Uashingtonit.

Ankthi është shumë i kuptueshëm duke pasur parasysh insistimin e John Boltonit se për t’iu përgjigjur krizës në vendin amerikano-jugor, “në tavolinë gjenden të gjitha opsionet”. Trump përsëriti këtë javë në kanalin CBS deklarat e tij se masat ushtarake ishin ende një opsion./rt/Gazeta Impakt

 

 

 

 

 

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne