Teksa qeveria e Maqedonisë ndodhet para testit vendimtar për kalimin në parlament të ndryshimeve Kushtetuese për marrëveshjen me Greqinë, kryeministri Zaev merr udhëzim të qartë nga kancelarja Merkel të mos pranojë asnjë rrugë tjetër veç asaj të ratifikimit të paktit në parlament.

Në një letër drejtuar shefit të qeverisë maqedonase, kancelarja gjermane shprehet se Marrëveshja e Prespës “ofron mundësi historike në përforcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore”.

“Më 30 shtator të këtij viti, shumica e mbi 90% e atyre që morën pjesë referendum, mbështetën marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit. Përveçse heq një pengesë të rëndësishme për anëtarësimin e vendit tuaj në BE dhe NATO, marrëveshja do të jetë e rëndësishme për të ndërmarrë hapat e ardhshëm që kanë të bëjnë me ndryshimet e nevojshme kushtetuese në parlament. Unë jam e kënaqur që unë do të vazhdojë të punoj me ju për këtë qëllim”-thotë në letrën e saj kancelarja gjermane.

Dështimi në referendum nga pjesëmarrja e ulët i dha goditje kauzës që promovoi qeveria socialdemokrate e Zaev në bashkërendim me partnerët perëndimorë. Problemi më i madh aktualisht janë numrat në parlament që shumica nuk i ka pamvarësisht mbështetjes pa rezerva të faktorit shqiptar. Në media përflitet se po bëhen përpjekje për blerjen e deputetëve nga opozita në këmbim të një amniste për të implikuarit në përgjimet e Zaev. Në këtë kontekst duket se shërbejnë edhe vendimet e gjykatave për të dënuar ish-ministren e Brendshme Jankullovska.

5