Liberia anulon njohjen e Kosovës

Liberia nuk do ta njohë Kosovën si shtet derisa negociatat në Bruksel mes Beogradit dhe Prishtinës nuk përfundojnë, deklaroi në Beograd ministri i Punëve të Jashtme të Liberisë, Gbehzohngar Milton Findley, me çka vendi anuloi njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Qeveria e Liberisë ka njohur faktin se BE po negocion midis Serbisë dhe Kosovës, dhe ne duhet të pranojmë faktin se, derisa këto negociata nuk do të përfundojnë, Liberia nuk do ta njohë Kosovën si një shtet dhe për këtë arsye ne do të vazhdojmë të ndërtojmë lidhjet tona me Serbinë derisa kjo çështje të zgjidhet”, tha Findley në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij, Ivica Daçiç.

Gazetarët u paraqitën me një dokument ku thuhej se Liberia e njohu pavarësinë e Kosovës në bazë të njohurive se Beogradi nuk ishte i gatshëm për të negociuar, por që tani, kur dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës është nën patronazhin e Bashkimit Evropian, Liberia shfuqizon njohjen e Kosovës dhe se vendimi mbetet në fuqi deri në fund të negociatave.

Ai tha se Liberia është shumë e interesuar për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me Serbinë.

“Ky raport është raport që dëshirojmë ta ndërtojmë, partneritet i cili do të sjellë rritje dhe zhvillim për të dyja vendet”, theksoi ai.

Ministri i Punëve të Jashtme të Liberisë falënderoi për atë se pas takimit të sotëm do të fillojë “një faqe e re e historisë së marrëdhënieve mes Serbisë dhe Liberisë”, duke theksuar se Serbia gjithmonë do të jetë mik i Liberisë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Daçiç theksoi se për Serbinë ky vendim është shumë me rëndësi, duke shtuar se kjo në njëfarë mënyre është “kontributi ynë kryesor për vazhdimin e dialogut në Bruksel” dhe të tregojë se nuk është gjithçka e zgjidhur.

“Për ne, kjo është shumë e rëndësishme edhe për vazhdimin e dialogut, pasi tregon se të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje për të zgjidhur këtë çështje”, tha Daçiç.

Ai tha se nuk e di nëse do të shkojë në raundin e ri të dialogut në Bruksel i planifikuar për të dielën më 24 qershor, porse së pari duhet të rregullohet ajo që ka filluar, duke menduar për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.

I pyetur për zgjidhjen e kontestit për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë, Daçiç u përgjigj se Serbia dëshiron që kjo çështje të zgjidhet, se kjo kontribuon në stabilitetin në rajon, por se kjo është çështje mes Athinës dhe Shkupit.

“Të gjithë presin fundin e procesit, i cili do të ndodhë, porse vetëm do të përfundojë më vonë”, shtoi ai. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne