LIDHJA E PRIZRENIT SIPAS DOKUMENTEVE AUSTRIAKE: Sulltani dha për Lidhjen 18.000 lira flori

NGA XHAFER SADIKU

Kongresi i Berlinit (1878) ishte konferenca e radhës e Fuqive të mëdha evropiane që me traktatin e saj formalizoi kryeqëzatën moderne mbi popullsinë myslimane në Rumeli dhe në mënyrë të veçantë mbi territoret shqiptare dhe popullsinë shqiptare të besimit mysliman.

Që në fillim, konferenca caktoi një komision për të studjuar shtrirjen territoriale të myslimanëve në territoret e Perandorisë Osmane në Ballkan. Mbi ato studime u morën vendimet e kongresit, zbatimi i të cilave filloi së pari në vilajetin e Kosovës. Numri i shqiptarëve myslimanë të dëbuar nga vatrat e tyre, deri në fund të marsit 1880, arriti në 40.000 vetë, ku shumica ishin gra dhe fëmijë. Dymijë të tjerë u përzunë nga rajoni i Leskovacit.

Ditët e para të majit 1880, qeveria turke transportoi për Selanik me tren 40 vagona me refugjatë.

Për të penguar coptimin e territoreve dhe mbrojtur popullsinë shqiptare myslimane që ishte objekt i shfarosjes, u formua Lidhja e Prizrenit. Me fillimin e përzënies së shqiptarëve myslimanë, Lidhja u riaktivizua.

Më 21 Mars 1880, konsulli austriak në Prizren i raportonte Vjenës se Ali Ibra, bajraktar i Gashit; Haxhi Jonuzi kryetar i gjyqit në Prizren dhe Sulejman Vokshi, pronar tokash në Gjakovë, u deklaruan menjëherë “si kryetarë të një Lidhje të re”. Ata përfshinin malësorët e katolikët e qytetit dhe të rrethit të Gjakovës, Lumës dhe Prizrenit.

Sipas raportit te konsullit austriak, lidhje e re dispononte 8000 të armatosur që kishin vendosur :
1- Të jepnin jetën për mbrojtjen e Shqipërisë;
2- Të merrnin gjakun kundra tradhëtarëve të Lidhjes;
3- Të detyronin qeverinë turke të zëvendësonin nëpunësit dhe oficerët me njerëzit e Lidhjes. Për këtë, ata i kërkuan valiut një takim për të arritur një marrëveshje.

Të nesërmen, më 22 mars 1880, në Gjakovë shkoi Haxhi Omer Efendiu, kryetar i Lidhjes të mëparshme dhe u bëri me dije se Myftar Pasha nuk ishte kundër marrëveshjes.

Konsulli austriak në Prizren, Waldhart i raportonte ministrit të Jashtëm, Haymerle, se “Krijimi i kësaj Lidhje dhe lidhja e saj me katolikët më bëri të mendoj se është krijuar me dijeni dhe dëshirën e Myftar Pashës”.

Nxitja e përçarjes fetare midis shqiptaërve nga konsullatat, kishte bërë që Lidhja, sipas konsullit austriak, të kërkonte “të shporren konsullatat”. Konsullata austriake u zhvendos ne Prishtine.

Konsulli vinte në dukje se “Lidhja e këtushme mban shpesh herë mbledhje në një nga xhamitë e qytetit…(Prizren, -shenimi im)”
Stambolli nxit shqiptarët për rezistencë edhe kundra marshimit të ushtrive tona, – theksonte Waldhart.

Më 9 qershor 1880, konsulli austriak i raportonte Vjenës, se nga Stambolli kishin ardhur tre njerëz të besuar dhe i kishin dhënë Haxhi Omer Efendiut një shkresë rezervate, ku kërkohej ringritja e Lidhjes.
Sipas konsullit, “Sulltani i drejton Shqiptarët në emrin e Muhametit me anën e njerëzve të kuranit. Ay ka më tepër nevojën e tyre dhe s’ka nevojë për ushtarë dhe të holla. Në Prizren është mudir Haxhi Omer Efendi, përfaqësues i tij. Ky kryehoxhë mbështetet në muhamedanët fanatikë”.

Më 21 korrik, në një raport të hollësishëm për ministrin eJashtëm, konsulli austriak, midis të tjerave theksonte: “…Presidenti i Lidhjes kërkoi nga Sulltani 18000 lira flori. Nga kjo shumë gjysma mbërriti këtu, tjetra qendron në dispozicion në Selanik”.

Gjatë periudhës së Lidhjes së Prizrenit, vrehej se disa zyrtarë lokalë të perandorise osmane, si mytesarifë etj., vepronin nën influencën e konsullatave dhe informonin atje.

Në 23 korrik 1880, në raportin e radhës, konsulli austriak njoftonte Vjenën: “Presidenti i Lidhjes Haxhi Omer Efendiu urdhëron mytesarifin as me shkrim, as personalisht por i shkuan një grup muhamedanë në konak duke e kërcënuar”.

Haxhi Omer Efendiu nuk heq dorë, – theksonte konsulli, – dhe i drejton konferencës së ambasadorëve në Berlin një protestë në emër të të gjithë shqiptarëve.

Komiteti i Lidhjes mendonte se Manastiri ishte më i përshtatshëm të bëhej kryeqytet i Shqipërisë dhe që atje të emërohej nga sulltani një vali, si regjent.

Më 29 korrik 1880, Lidhja i njoftoi sulltanit se sanxhaku i Prizrenit do të ngrinte 30.000 burra për të ruajtur të drejtat e veta. Por konsulli austriak nuk e besonte kete shifer. Ky numër, -theksonte ai, -është tre herë më i madh se mundësia. Lidhja, sipas tij, “është një organ i qeverisë turke. Ajo i telegrafoi dje sulltanit që Ohri të bëhet kryeqendra e Shqipërisë dhe valiu i atjeshëm të propozohet nga Sulltani”.

Situata u bë më e vështirë në muajin gusht 1880, kur presioni i Fuqive të Mëdha mbi Portën e Lartë u rrit, për ta detyruar të dorëzonte territoret shqiptare. Rezistenca e Portes ishte e madhe, por ne fund qeveria do të jepte dorëheqjen.

Më raportin e 19 gushtit 1880, konsulli Waldhart i raportonte Vjenës: “Sulltani lajmëroi presidentin e Lidhjes se fuqitë e krishtera bëjnë presion të madh dhe se ka rrezik të rrëzohet nga froni, prandaj nuk mund të merret me Lidhjen…”

Në ato kushte, deputetët shqiptarë u larguan për në Dibër “për t’i bindur të bashkohet me Lidhjen”. Po atë ditë, Ali Pashë Gucia u largua nga Prizreni duke u zotuar se do të mbronte territoret shqiptare që kërkonte Mali i Zi.

Ato ditë, një inxhinier i njohur, Josif Appel, lindur në Vjenë dhe me punë shef i linjës hekurudhore të Selanikut, iu drejtua presidentit të Lidhjes që të thirrej në Prizren, që si korespondent i gazetës austriake të mbronte “interesin e Lidhjes dhe se ishte një simpatizant i zjarrtë i Shqipërisë”.

Në një raport të 16 shtatorit 1880, konsulli austriak njoftonte Vjenën se Ali Pashës së Gucisë iu dërguan nga Meka 2000 lira, një flamur i bekuar, dekorata dhe armë. Mitrovicës iu dërguan 16000 martina. Deputetët po nisen për në Dibër ku do të bashkohen me deputet e Toskërisë- të vendosur për mbrojtjen e gjithë Shqipërisë.

Puna sistematike e konsullatave dha rezultat dhe përcarja funksionoi.
Në raportin e 1 shtatorit 1880, konsulli austriak i raportonte Vjenës se si në Dibër edhe këtu (Prizren, shënimi im), u përçanë muhamedanët në fanatikë e më të përparuar.

Më 30 shtator 1880, konsulli vinte ne dukje se Lidhja e mbledhur në Dibër mban më tepër karakter aristokratik se sa klerikal. Haxhi Omer Efendiu qëndroi këtu me myftinjtë, hoxhallarët e dervishët.

Intrigat e konsullatave do të ishin më të mëdha dhe përcarja do të rezultonte më e thellë në zonën e Shkodrës. Falë tyre, zona të tëra shqiptare iu dhuruan nga Fuqitë e mëdha Malit të Zi, ndersa popullsia shqiptare myslimane u largua për në Shkodër.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne