Liqeni i Banjës, kthehet në destinacionin e ri turistik për vizitorët vendas dhe të huaj

Ndodhet fare pranë Elbasanit, Cërrikut, Gramshit por edhe Tiranës. Zona e Gramshit tashmë e kthyer në një destinacion të vërtet turistik për vlerat e saj natyrore, antike dhe kulturore, ku çdo fundjavë tërheq vizitorë të shumtë edhe për shkak të një infrastrukture rrugore të përfunduar me parametra cilësorë që siguron një udhëtim komod. Me hapjen e hidrocentralit të Banjës, rruga në drejtim të Gramshit dhe vlerave të tij turistike, ka mundësuar dhe zhvillimin e ekonomisë turistike në këtë zonë dikur të izoluar.

Vetë vepra arkitekturore e hidrocentralit që gjendet pranë këtij qyteti, është kthyer në një destinacion turistik. Kureshtar të fushës së ndërtimeve, turistë të natyrës, të aventurës, qytetaër të thjeshtë, pothuajse çdo ditë udhëtojnë drejt tij. Përveç veprës teknike, aty është krijuar dhe një liqen madhështor mes malesh që tërheq mjaft kureshtarë.

Edhe nga lartësitë e Gjinarit, ky liqen paraqet një pamje madhështore. Por Gramshi ka dhe pika të tjera natyrore që bëhen të vizitueshme sidomos në fundjavë, siç është dhe Liqeni i Zi, që ndodhet pranë fshatit Lenie, 1634 m mbi nivelin e detit. Aty jo vetëm në stinën e verës por edhe në atë të dimrit, zona popullohet me çadra dhe makina që parkohen rreth liqenit. Shumë vijnë për t’u kuruar në burimin e ftohtë të këtij liqeni i cili nga vendasit konsiderohet si një burim jetëdhënës.

Më e bukura dhe më e vizituara mbetet Ujëvara e Sotirës.

Është një thesar ku mund të shijosh dy bukuri në të njëjtin vend. Ujëvara dhe katarakti i Sotirës, krah për krah, por aspak kopje e njëra-tjetrës. Secila nga këto bukuri ka personalitetin dhe veçoritë e veta, ujërat e ujëvarës vijnë nga dy të çara kryesore të malit Tomor. Lartësia e rënies së ujit varion nga 5-20 m. Peizazhi i shpatit ku del uji është me disa shkallëzime në disnivel 150 m, ujëvara rrethohet nga pyll dushku dhe bimësi e pasur.

( Ujëvara e Sotirës )

Kjo ujëvarë është një bukuri që të lë pa fjalë, e pakrahasueshme por si çdo gjë e rrallë e magjike edhe kjo ujëvarë ka hilet e veta, këshillohet të vizitohet në periudhën e pranverës dhe fillimverës, sepse ushqehet me burime ujore nëntokësore, të cilat kur bien nën një nivel të caktuar sjellin edhe tharjen e ujëvarës. Përbri ujëvarës, një hapësirë e blertë të krijon idenë e një ballkoni të përkryer natyror nga ku mund të kundrohet më së miri e gjitha pamja spektakolare.

Vend të veçantë në turizmin e natyrës dhe të historisë, zënë edhe shpellat, ku më e veçanta është shpella e Kabashit. Është një nga shpellat më unike në Shqipëri dhe ndoshta nga më të bukurat në Ballkan. Ndodhet në afërsi të fshatit Kabash, 28 km nga qyteti i Gramshit, në lartësinë 900 m mbi nivelin e detit. E formuar në shkëmbinjtë gëlqerorë dhe është e gjatë rreth 120 m.

Ende nuk është eksploruar tërësisht dhe akoma nuk dihet se çfarë ka në thellësitë e saj. Pjesa e njohur formon një labirint të vërtetë dhe është e mbushur me stalaktite dhe stalagmite me bukuri të rrallë. Është një nga objektet ku vizitorët dhe turistët e huaj vërshojnë drejt saj. Agjensi të ndryshme turistike, gati çdo ditë ofrojnë guidat e tyre drejt Gramshit. Rruga e re ka sjellë dhe një zhvillim të ri ekonomik dhe turistik për këtë zonë.

Burimi: Shqiptarja.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne