Janë ndjesi që mbizotërojnë mendjen dhe sjelljen individuale e kolektive të njerëzve. Liria është aspirata  më e lartë dhe dëshira më e zjarrtë e njeriut të vetëdijësuar. Frika është instinkt i çdo qenieje të gjallë në luftën për mbijetesë. Trimëria është cilësi dhe aftësi e njeriut për të mposhtur frikën para rrezikut dhe jo marrëzia në veprime për të ikur nga hijet frikësuese të frikës

Abdi Baleta

Ngjarjet që zhvillohen çdo ditë pranë nesh, e larg nesh, në Shqipëri e në botë sjellin më shumë errësirë se dritë në mendjet e ndjesitë e njerëzve; mbjellin më shumë frikë se siguri në marrëdhëniet ndërshtetërore; përhapin më tepër ligësi e pabesi se mirëkuptim e ndershmëri në shoqëri. Prandaj ka shumë zhgënjime e dëshpërim si tek njerëzit, që përpiqen t’i kuptojnë ndodhitë për vete, edhe tek ata që i komentojnë për të tjerët. Para 20 vitesh, kur Shqipëria ishte e traumatizuar nga rënia dramatike e tragjike e shtetit dhe rrënimi i pushtetit, analizën time “Cilët janë armiqtë e Shqipërisë” (“Rimëkëmbja”, 9 dhjetor 1997) e kam nisur me fjalët filozofike të Mark Aurelit: “O Zot, më jep kthjellësinë e mendjes të pranoj atë që nuk e ndryshoj dot, guximin të ndryshoj atë që mundem dhe urtësinë të njoh dallimin midis tyre”. Këto fjalë duhen rikujtuar edhe sot kur ngjarjet në Shqipëri e në botë të shtyjnë të mendosh se Zoti, që i di vetëm vet punët e Tij, atë kthjellësinë e mendjes që i kërkonte Mark Aureli po ua jep ende me shumë kursim njerëzve që pretendojnë se mbajnë në duart e tyre fatet e njerëzimit, të shoqërisë, të kombeve e të shteteve, si dhe atyre që me dalldisjet e mendjes së vet pengojnë njerëzimin të kuptojë si duhet dukuritë dhe zhvillimet e ngjarjeve, të dallojnë të mirën nga e keqja.

Mendimet e Mark Aurelit mund të duken disi abstrakte në kohën tonë. Më e dobishme është t’i drejtohemi filozofisë politike e diplomatike të Franklin Delano Ruzvelt, presidentit të SHBA, nga viti 1933 deri në fundin e Luftës së Dytë Botërore, që formuloi mendimet e fuqishme: “E vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë është vet frika” dhe “Ne po hedhim vështrimin tonë drejt një bote të mbështetur në këto të drejta themelore njerëzore. E para është liria e fjalës dhe e shprehjes së mendimit kudo në botë. E dyta është liria e çdo njeriu që t’i lutet Zotit në mënyrën e vet kudo në botë. E treta është liria (çlirimi) nga skamja kudo në botë. E katërta është liria (çlirimi) nga frika kudo në botë” (“The Oxford Dictionary of Quotations”).

Thelbi i kësaj filozofie është liria e njeriut, e cila sigurisht nuk mund të perceptohet e të kuptohet pa pavarësinë, barazinë e drejtësinë në marrëdhëniet midis njerëzve. Tani, pas 8 dekadash mund të thuhet se katër përfytyrimet e bukura ruzveltiane më shumë kanë dështuar, edhe pse liria e demokracia janë bërë parulla të përditshme politike dhe në disa raste janë sendërtuar. Por kanë lindur dhe plot dukuri shqetësuese që formojnë anën tjetër të medaljes ruzveltiane, “Freedom from Fear”( çlirimi nga frika), që i bëjnë njerëzit të ndjejnë “Fear from Freedom” (frikë nga liria). Shqipëria komuniste ishte ndoshta një rast tipik ku u vërtetua vlera e madhe e formulës ruzveltiane të fikës nga liria. Por, fatkeqësisht po bëhet edhe rast tipik e kundërta e kësaj formule, që është “frika edhe nga liria e keqpërdorur”. Liria e shtypit është dyzuar me ligësinë e shtypit. Lirinë nga skamja e kanë arritur pjesa më e vogël e popullsisë. Të pasuruarit deri në çmenduri po gllabërojnë e shkatërrojnë pasuritë e vendit. Pasiguria për punën, jetën e dinjitetin njerëzor e zbeh gëzimin e çlirimit nga frika e dikurshme. Prandaj qarkullon shprehja sarkastike “ishim më mirë kur ishim keq”.

Në botë, që nga koha e Luftës së Dytë Botërore, luftërat dhe frika nga lufta nuk kanë pushuar asnjëherë. Kam qenë nxënës në shkollën fillore kur në fshatin tim malor, ku nuk kishte as radio, as telefon dhe rrallë mbërrinte ndonjë gazetë, vinin gojarisht lajme se në një vend që quhej Kore bëhej luftë e madhe. Tani pas 8 dekadash nuk na ndahen lajmet e frikshme se pikërisht në Kore ka rrezik që të nisë një zallamahi edhe më e madhe, midis Koresë së Veriut komuniste, që po eksperimenton raketa dhe armë bërthamore, dhe SHBA që këtë punë e ka bërë me kohë. Edhe në shekullin XXI luftërat rrënuese janë shtrinë njëherësh nga Libia në Kabul e Pamir, në Krime dhe Ukrainën Lindore. Afganistani, Libia, Iraku, Jemeni e veçanërisht Siria, janë shndërruar tashmë në poligone gjigande, ku shtetet ushtarakisht më të fuqishme bëjnë garë për të provuar aftësitë e armëve e të teknologjive të tyre ushtarake, të strategjive e të taktikave të tyre për luftë globale.

Pas shpalljes si të kapërcyer të epokës së “Luftës së Ftohtë” në Europë u krijua vetëkënaqësia se triumfoi liria mbi frikën. Por këtu po ngrihen sërish tensionet frikësuese për shkak të pushtimit rus të Krimesë, përtëritjes së ballafaqimeve të dikurshme të NATO-s me Traktatin e Varshavës. Europianët e kujdesshëm nuk mund ta flenë mendjen se lajtmotivi politik i lirisë nga frika e bëri përfundimisht punën e vet dhe nuk ka më arsye për të patur “Fear for Freedom” (frikë për humbjen e lirisë). Në dy dekadat e para të shekullit XXI kjo frikë po përhapet në gjithë botën. Madje po shpaloset gjithnjë e më shumë një dukuri edhe më e keqe, ajo e frikë s nga liria, një rrezik që buron nga vet arritjet e lirisë. Këtë e dëshmojnë dukuritë negative brenda shoqërive e vendeve të caktuara e në marrëdhëniet midis kombeve e shteteve, si: përhapja e terrorizmit, valët e refugjatëve nga zonat e luftës kundër terrorizmit, apo persekutimet e popullsive të tëra për motive fetare, si në Mianmar. Vendet e Perëndimit po i vuajnë edhe vet pasojat e fitoreve të tyre për eksportimin me anë të luftës, të vlerave të shoqërive të tyre, të lirisë e të demokracisë. Po dalin të sakta fjalët e Agata Kristit se: “Me luftë nuk fitohet asgjë. Të fitosh një luftë është po aq rrënuese sa të humbasësh një luftë”. (Oxford Dictionary of Quotations)

Kujtonim se zbatimin më të bujshëm në rrafshin e rregullimeve ndërkombëtare formula “Freedom from Fear” e kishte gjetur në Europë, pas shembjes së sistemit socialist-komunist dhe shtrirjes së Bashkimit Europian deri në kufijtë lindorë të natyrshëm (me përjashtim të një njolle që ka mbetur në Ballkan). Por edhe kësaj Europe të Bashkuar, që njihet si zona më e qetësuar e më e stabilizuar në botë ka filluar t’i hyjë uji në themele, pas braktisjes së BE nga Britania e Madhe, pas shtimit të pakënaqësive të anëtarëve eurolindorë ndaj atyre europerëndimorë për shumë probleme. Ka filluar të çlirohet pak nga pak edhe energjia e pakënaqësive të ndrydhura nga shtetet e gjunjëzuara të “Ballkanit Perëndimor”, për mosplotësimin e pritshmërive të tyre për integrim më të shpejtë.

Gjendja e krijuar në Spanjë pas referendumit mbi pavarësinë e Katalonjës na sjell provën se edhe në vendet e demokracisë perëndimore formula “Freedom from Fear” nuk vepron ende në mënyrë të përsosur. “Dukuria katalanase” shënon njëherësh zhvillim tronditës për demokracinë spanjolle, për prestigjin e ndoshta të ardhmen e BE-së dhe për popullin e Katalonjës. Referendumi i 1 Tetorit 2017, i kundërshtuar fort nga qeveria qendrore në Madrid, u mbajt nën një terror të egër policor spanjoll, por gjithsesi me pjesëmarrje masive. Mbi 90% e votuesve u shprehën në favor të pavarësisë së Katalonjës. Ky rezultat vendos tashmë një gur të rëndë në themelin e pavarësisë së Katalonjës, sepse kur një popull shpall pavarësinë, nuk mund të ketë më kthim mbrapa, pavarësisht se çfarë do të ndodhë më tej. Heqja dorë nga pavarësia është e pamundur. Edhe nëse ndodh si një kapitullim i përkohshëm e drejta për të rinisur procesin nuk shuhet. Kjo është ligjësi e historisë. Këtë e vërtetoi dhe rasti i pavarësimit të Kosovës. Përfaqësuesit politikë shqiptarë në mars të vitit 1999 nënshkruan, nën trysninë e fortë ndërkombëtare, një tekst të njëanshëm kapitullimi si dorëheqje nga pavarësia e shpallur dhe për ta lënë Kosovën nën Serbi. Por procesi papritmas mori tjetër kthesë dhe Kosova u njoh ndërkombëtarisht si shtet i pavarur në shkurt të vitit 2008. Pra, Katalonja e ka tashmë një shembull konkret se kërkesa për pavarësi, herët a vonë, konkretizohet. Prandaj, nuk mund të thuhet se midis rastit të Kosovës e të Katalonjës nuk ka kurrfarë ngjashmërie. Edhe shpallja e pavarësisë së Katalonjës u shërben shqiptarëve se hedh poshtë edhe një herë pretendimet e dikurshme serbe se statusi i Kosovës mund të zgjidhej në mënyrë të kënaqshme, sipas shembullit të autonomisë Katalonjës në Spanjë.

Referendumi në Katalonjë duhet të shërbejë që pushtetarët, politikanët e shumë intelektualë shqiptarë të heqin dorë nga marrëzitë teorike se çështja kombëtare shqiptare do të zgjidhet mirë e bukur vetëm nëpërmjet integrimit në Europën e Bashkuar dhe bashkimi kombëtar qenka i kapërcyer historikisht. Anëtarësia e Spanjës në BE nuk e paska zgjidhur çështjen e pavarësimit të Katalonjës. Referendumi i tanishëm është provë tjetër se e drejta e vetëvendosjes nuk mund t’u mohohet popujve në pretekstin se është i palejueshëm ndryshimi i kufijve. Sot një intelektual jugosllavist nga Kosova, që në vitin 2001 lëshoi tezën mashtruese e shkurajuese për shqiptarët e Shqipërisë Lindore se të kërkosh shtet të veçantë shqiptar në FYROM bën të njëjtin mëkat sikur Katalonja të shpallte pavarësinë nga Spanja, tani që Katalonja e shpalli këtë pavarësi, duhet të gjejë guximin ta pranojë gabimin e tij. Kjo i vë shqiptarët në FYROM në pozitë të re, që të mendohen më mirë e më seriozisht për ngritjen e nivelit të kërkesave të tyre kombëtare. Referendumi në Katalonjë tregoi se si duhet t’u jepen mesazhet për vetëvendosje faktorëve ndërkombëtarë që të kuptojnë se “autonomia” nuk është gjithmonë zgjidhja më e mirë.

Spanja po ndjek ndaj pavarësisë së Katalonjës atë rrugë që ndoqi Serbia e Milosheviqit në rastin e pavarësisë së Kosovës: Nuk pranoi bisedime serioze, siç propozuan organet pushtetore të Katalonjës pas referendumit, por ia hoqi Katalonjës edhe autonominë. Në Katalonjë këtë e kanë quajtur pushtim spanjoll, siç patën quajtur në Kosovë heqjen e autonomisë nga Serbia. Sa, si dhe për sa kohë do të funksionojë kjo zgjidhje që ka zgjedhur Madridi do ta tregojnë zhvillimet e mëtejshme. Por Spanja nuk do të ketë të lehtë, ndonëse mund të besojë se do të gjejë mbështetje europiane e ndërkombëtare më të madhe se Serbia dikur. Me referendumin për pavarësinë e Katalonjës u munduan të spekulonin shumë trashë serbët, duke qortuar Europën se gaboi që mbështeti pavarësimin e Kosovës dhe duke u kërkuar vendeve europiane të tërheqin atë njohje. Kjo është marrëzi më vete, njësoj si të kërkosh që tani e tutje rruzulli tokësor të fillojë të rrotullohet në kahjen e kundërt. Europa, në fakt, edhe në rastin e Kosovës mbajti atë qëndrim që po mban tani për Katalonjën, sepse ishte deri në çastet e fundit kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Presidenti rus Vladimir Putin, kur i hodhi thumbat e tij Europës, ishte më i qartë, sepse pohoi se Europa e njohu pavarësinë e Kosovës nën trysninë e SHBA. Dukuria katalanase ka krijuar tashmë çoroditjen e parë në Europë. Dy provinca veriore në Itali, Lombardia e Veneto, kanë bërë dhe ato një refendum sui generis për të kërkuar (hë për hë) “autonomi”, jo pavarësi nga Roma. Presidenti i Bashkimit Europian, Antonio Tajani ka lëshuar alarmin se “Europa është duke u copëtuar, pasi po ndahet në shtete të vogla” (“Shekulli”, 23 tetor 2017). Ne shqiptarëve na takon, për arsye parimore dhe pragmatike, ta shohin me shumë simpati rezultatin e referendumit për pavarësinë e Katalonjës. Njerëzit e thjeshtë po e bëjnë këtë. Pushtetarët e politikanët natyrisht nuk do të mbajnë qëndrime të tilla. Por hë për hë nuk u kërkohet të bëjnë “trimëri diplomatike”, sepse nuk ka arritur faza e njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Katalonjës.

Ka çështje të tjera, të hershme e të vona, për të cilat pushtetarëve e politikanëve shqiptarë u takon të tregojnë “trimëri diplomatike”. Në Shqipëri sapo është miratuar, pa qenë fare i nevojshëm, një ligj mbi trajtimin e pakicave, që hapi sherre të brendshme dhe ndezi sherret me fqinjët, sidomos me Greqinë. Çështja e pakicave ka qenë e zgjidhur me kohë e drejt qysh në kohën e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, në ballafaqimet shqiptaro-greke para Këshillit të kësaj Lidhjeje dhe para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në vitet 1920-1935. Edhe në kohën e regjimit komunist ka qenë zgjidhur mirë e me drejtësi, në legjislacion dhe në praktikë, sipas rregullave ndërkombëtare. Qeveria shqiptare nuk kishte përse t’i hynte më kësaj pune, as të tregonte “trimëri në bujari të tepruar diplomatike”. Prandaj, lind dyshimi se qeveria e sotme shqiptare këtë hap të ngutur e ka ndërmarrë nën trysni ndërkombëtare dhe për frikë nga Greqia, e cila gjatë tri dekadave të fundit nuk i ka ndalur fushatat për të nënshtruar politikën e Shqipërisë nëpërmjet kërkesave për minoritetin grek. Çoroditjen diplomatike shqiptare e zbuloi dhe fakti se brenda tri ditëve u mohua dhe u pohua prania e një minoriteti bullgar në Shqipëri, në një kohë kur ministri i Jashtëm fillimisht u shpreh se ky problem u përkiste të tjerëve që ta zgjidhnin (nënkupto Bullgarinë e FYROM-in) se si do të quhet pakica sllavofone e njohur në breg të Liqenit të Prespës. Duhen besuar lajmet e shtypit se qeveria shqiptare e përmbysi qëndrimin brenda 3 ditësh për pragmatizëm diplomatik, sepse Bullgaria do të marrë kryesimin e radhës në BE. E keqja më e madhe është se ligji rrit numrin e minoriteteve të njohura në Shqipëri, kur fqinjët tanë veprojnë krejt ndryshe.

Politika e diplomacia shqiptare janë tani para një tjetër prove vullneti për të treguar “trimërinë diplomatike” që i duhet realisht Shqipërisë në ballafaqimet me mësymjet diplomatike të njëpasnjëshme nga Greqia, e cila kërcënon se da ta bllokojë rrugën e Shqipërisë drejt BE, deri kur Shqipëria të kënaqë të gjitha lakmitë dhe kërkesat pa fund të politikës greke. Kjo strategji greke ka gjasa të shpaloset me agresivitet të veçantë gjatë bisedimeve greko-shqiptare që janë njoftuar se do të mbahen në nëntor 2017 në Kretë. Urimi ynë është që përgjegjësit e politikës shtetërore dhe të diplomacisë shqiptare që do të shkojnë në Kretë të armatosen mirë me fjalët e Xhon Kenedit: “Të hyjmë në bisedime, por të mos bisedojmë nga frika”.

Deri sot kemi përshëndetur diplomacinë Rama-Bushati përballë Greqisë, që siç dihet tashmë ka zemëruar aq shumë politikën e diplomacinë greke sa këto janë angazhuar deri me mënyra arrogante e më hapur se kurrë për ta minuar qeverisjen e Ramës. Këtë e dëshmon më së miri fakti se në prag të takimeve në Kretë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë e pa veten të detyruar të bënte një deklaratë proteste me gjuhë më të fortë se herë të tjera, duke shprehur dhe indinjatë për ndërhyrjen e politikës së Athinës në zhvillimet politike të acaruara në Shqipëri. Ka disa kohë që mësymja diplomatike greke është bërë më këmbëngulëse e më arrogante ndaj Shqipërisë, sepse atë e drejton dhe e ushqen me deklarata publike vet kryetari i shtetit grek, si dhe e mbështesin pa kurrfarë takti dhe etike diplomatike ministri i Jashtëm dhe ai i Mbrojtjes. Kjo e ka trimëruar shumë kolonën e pestë greke në Shqipëri. Pra, janë një sërë rrethanash që pritet ta venë në provë serioze “trimërinë diplomatike” shqiptare në Kretë. Pozitën e diplomacisë shqiptare në bisedimet e Kretës është e qartë se do ta vështirësojë gjendja e acaruar politike në Shqipëri ku po bëhen “trimërira nga frika”, si nga forcat politike në pushtet e opozitë dhe nga institucionet shtetërore, sidomos midis qeverisë e pjesës socialiste të parlamentit, nga njëra anë, dhe prokurorisë, nga ana tjetër, rreth çështjes së arrestimit për hetim të ish ministrit të Brendshëm dhe deputetit socialist, Saimir Tahiri, mbi të cilin tani (me hak apo pa hak, ende nuk e dimë) po bie “mallkimi i të qenit ministër i Brendshëm” në Shqipëri. Tahiri figuron i gjashtëdhjeti në listën e 62 ministrave të Brendshëm të Shqipërisë, qysh kur u formua qeveria e Ismail Qemalit. Mbi 44 nga këta ministra kanë përfunduar tragjikisht: të vrarë, të pushkatuar, të burgosur, të dënuar me vdekje, të akuzuar për krime nga më të ndryshmet (“Telegraf”, 24 tetor 2017). Ballafaqimi rreth “çështjes Tahiri” pritet të ketë gjithnjë e më shumë ndikime e implikime acaruese në gjendjen politike të Shqipërisë, sepse kanë filluar të veprojnë dukshëm edhe implikimet e ngatërresat mafioze, agjenturore e politike të huaja. Këto ndikime rrezikojnë të nxisin më shumë “trimërirat nga frika” e zallamahira të tjera, të dobësojnë arsyen politike të shqiptarëve dhe të krijojnë atmosferë shpërthyese, si në vitin 1996-97, që stabilizimit të qeverisjes, jetës politike dhe ekonomisë në Shqipëri t’i jepet një shtytje tjetër e fortë mbrapa.

Një tjetër rast e çast tejet i rëndësishëm për të treguar “trimëri diplomatike” shqiptare është kërkesa që bëri Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kur i kërkoi Presidentit Ilir Meta që Shqipëria të pajisë me pasaporta të shtetit shqiptar shqiptarët e Kosovës, për t’ua liruar pak lakun që u ka hedhur në fyt Europa, duke i mbajtur në një “geto sui generis” si të vetmit ballkanas të privuar nga të mirat e lëvizjes së lirë në drejtim të Europës së Bashkuar. Meta e bëri të qartë se është kundër kërkesës së Thaçit. Nuk duhet pritur që guximin politik e diplomatik që mori Hashimi ta bëjnë menjëherë të tyrin pushtetarët e Tiranës. Ka vërtet mjaft arsye të kuptueshme objektive që e bëjnë të vështirë një trimëri të tillë diplomatike, pra krijimin e një gjendjeje që është atribut i një shteti të përbashkët për të gjithë shqiptarët, para se të mbajnë të njëjtën pasaportën. Shtetësi të përbashkët zyrtare midis dy shtetesh nuk duhet të ketë e nuk mund të ketë. Por kur të tjerët bëjnë kontrabandë edhe me shtetësinë e dyfishtë nuk ka përse të ruhen prej saj vetëm shqiptarët, që fundja fundit kanë më shumë nevojë se gjithkush, sepse gjysmës së kombit Europa po ia shtrëngon keq lakun në fyt. Prandaj, është për t’u përshëndetur e mbështetur hapi i guximshëm i Presidentit të Kosovës, një politikani që deri më sot është njohur vetëm për përbetimet për të ecur në rrugët ku e tërheq Brukseli. Propozimi i Presidentit të Kosovës ka rëndësi të veçantë, sepse përmban për herë të parë mesazhin politik e diplomatik për Europën se gjendja normale e kombit shqiptar është të ketë shtetshmëri të përbashkët. Mohuesit e zhurmshëm të domosdoshmërisë së bashkimit kombëtar shqiptar duhet të ulin tonet pas këtij mesazhi. Ithtarët e krijimit të kombit të veçantë kosovar duhet ta mbyllin fare gojën, sepse jo vetëm historia, por dhe politika shtetërore e ditës po i nxjer të kota predikimet e tyre. Duhet nderuar Presidenti i Kosovës, që ka bërë deklaratën e tij më të rëndësishme politike deri tani lidhur me raportet midis Kosovës e Shqipërisë. Urojmë që kjo deklaratë të kthehet në një ogur të mirë. Edhe në mos e plotësofshin dot si duhet kërkesën e Hashim Thaçit pushtetarët në Tiranë kanë detyrimin të tregojnë se e quajnë atë të drejtë.

Kërkesa e Thaçit është një kujtesë për vlerat që ka nacionalizmi tek shqiptarët. Është kujtesë për Europën se ky nacionalizëm është vetmbrojtës, jo agresiv e nuk dëmton askënd. Është kujtesë për Europën se ekziston një problem shqiptar i pazgjidhur, se shqiptarët nuk duhet të mbahen si të lidhur me zinxhirë skemash të vjetëruara diplomatike, sidomos shqiptarët në FYROM që duhej ta kishin bërë më herët e t’u ishte pranuar në kohë atë që bën tani Katalonja. Kërkesa e Thaçit është kujtesë për vet shqiptarët se duhet të çlirohen nga mendësitë paralizuese, se rruga më e mirë për ta është të synojnë vetëm atë që “është e mundshme”, që prijësit e politikanët për rehatinë e tyre mund ta caktojnë në nivelet më të ulëta. Kërkesa e Thaçit është argument se edhe për diplomacinë shqiptare duhet të vlejë postulati i filozofi Maks Veber: “Nuk ka të mundshme në qoftë se nuk tentohet edhe e pamundshmja”. Thaçi provon se bashkimi i shqiptarëve nuk është kërkesë abstrakte që hyn në kategorinë “e pamundshmja”. Kur duan të ndahen ata që nuk kanë aq shumë arsye për t’u ndarë, nuk kanë përse të qëndrojnë detyrimisht të ndarë shqiptarët, që e kanë domosdoshmëri jetike të jenë bashkë.

63