Loja e pisët e bashkimit dhe krijimit të Jugosllavisë së Re!

Oponioni publik është ballafaquar këto ditë me dy teza-projekte sa i përket rajonit, Kosovës dhe Shqipërisë. Njëra u lansua në Beograd nga presidenti i sapo zgjedhur, Aleksandër Vuçiç, dhe tjetra në Tiranë e Prishtinë përkatësisht nga dy protagonistët politikë, kryeministri Edi Rama dhe presidenti Hashim Thaçi. Presidenti i Serbisë foli për krijimin e “Jugosllavisë së Re”, brenda së cilës do të ishte dhe Shqipëria. Ndërsa Kosova shihet prej tij si pjesë e Serbisë, jo e kësaj të ashquajture Jugosllavi. Zoti Vuçiç ishte jo vetëm i qartë në qtë që deklaroi, por shpalosi modelin, të cilit do t’i përmbahej. Ky model, sipas tij, do të ishte Josip Broz Tito, çka do të thotë se zoti Aleksandër synon një AVNOJ të dytë.

“Unë do të bëj atë që Tito ka bërë për Jugosllavinë”, tha Vuçiç, para dhjetë ditësh, duke promovuar projektin e Jugosllavisë së Re. Ndërsa në Tiranë dhe në Prishtinë këto ditët e fundit dëgjojmë sërishmi që zoti Rama dhe zoti Thaçi të “kërcënojnë” BE-në me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, duke përdorur kështu një retorikë nacionaliste. Pas kësaj dalldia e bashkimit kombëtar i ka përfshirë sa e sa shqiptarë, thjesht për faktin se të gjithë e duan këtë bashkim. Por ka dhe prej tyre që e lartësojnë idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë me qëllim që t’i japin “rolin e Skënderbeut” zotit Rama dhe zotit Thaçi, pavarësisht se Skënderbeu kishte bashkuar një territor shqiptar më të vogël sesa territori i Shqipërisë së sotme. Ndërkaq në Beograd kanë bërë kinse janë revoltuar. Ministri i Jashtëm, Daçiç, pasi i këndoi me mandolinë Ramës në ditëlindjen e tij, kritikoi Perendimin pse ky nuk reagon ndaj deklaratave të kryeministrit shqiptar. Kurse Vuçiç, për t’i dhënë fuqi patriotike dy miqve të tij, njërit në Tiranë dhe tjetrit në Prishtinë, paralajmëroi se këta nuk guxojnë më të flasin për bashkim të Shqipërisë. Një lojë e pisët sa vetë jeta politike në Ballkan.

Një akord i programuar aq perfekt sa ta besojnë edhe mbimesatarët në intelekt. Rama e Thaçi shpallen patriotë e nacionalistë te shqiptarët, Vuçiçi në Beograd blindohet gjithashtu si ultranacionalist serb. Dhë kësaj përralle do t’i shtohen të tjera në një mijë e një netët e ardhshme. Megjithëse Beogradi e di se këto janë retorika boshe të dy liderëve kryesorë në Tiranë e Prishtinë, politikanët serbë do të donin që sa më shpejt, mundësisht nesër, të kryheshin të gjitha veprimet administrative praktike të këtij procesi, sepsë qëllimi i tyre nuk është Kosova, është Mitrovica. Madje propagandë e kanë edhe manastirin e Deçanit, edhe Patriarkanën e Pejës. U mjafton Mitrovica me pasuritë e saj miliardëshe. Në rastin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, ende pa qenë Kosova anëtare e OKB-së, e kanë atë në xhep. Gara është epike, e stilisur me shumë fantazi në diskursin e dy protagonistëve kryesorë të politikës së sotme shqiptare. Madje është një garë me shumë dimensione, dimensionin e mesisë ndër shqiptarët, të kërcënimit ndaj europianëve, por edhe të mesazhit në stilin e formulës “Ballkani i përket ballkanasve”, Ky dimension synon të kundërshtojë prezencën e amerikanëve në rajon. Dmth e shumta një dezhavu e Jaltës.

Nga e gjithë kjo që ndodh, më duhet të shpreh disa të vërteta të hidhura, por të pakontestueshme. 1. Kush lufton për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, pa bashkuar më së pari Kosovën me veriun e saj dhe pa e njohur ndërkombëtarisht sovranitetin e saj në të gjithë territorin, ai bën lojën diversive të Serbisë për zhvatjen e territoreve shqiptare. Rama dhe Thaçi kanë aftësi politike që ta kuptojnë këtë lojë. Nëse e kuptojnë dhe luajnë muzikën e Daçiçit, i cili ka thënë se “Mua nuk më intereson se shqiptarët bashkohen apo ndahen, mua më intereson që serbët të bashkohen”, atëherë ne të tjerët duhet të vetëdijësohemi për t’u treguar vendin. Thirrjet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë ende pa u bërë Kosova anëtare e OKB-së është tradhëti kombëtare jo vetëm se ka kosto ndarjen e saj. Eshtë e tillë, sepse Beogradi deklratat e Ramës e të Thaçit do t’i përdorë me partnerët e tij si alibi të mos njohjes së shtetësisë së Kosovës. Kush budalla nuk e kupton që liderët serbë kur takohen me homologët e tyre nuk nxjerrin nga çanta të tilla deklarata, për t’u thënë atyre “Prisni, mos e njihni Kosovën, se mund të ketë një projekt të ri për rajonin, Kosova mund të bashkohet me Shqipërinë e pastaj njohja ju shkon kot”?! Nga ana tjetër në Beograd bëhen si të brengosur! Por “brengosja” është një shfaqje teatrale për elektorat nacionalistësh! 2. Rama nuk ka reaguar ndaj deklaratës së mikut të tij, Aleksandër Vuçiç, sa i përket idesë së Vuçiç për krijimin e Jugosllavisë së Re, duke përfshirë Shqipërinë në të. As nuk e ka kundërshtuar atë. Pëkundrazi në Sarajevë hodhi propozimin e një tregu të përbashkët ballkanik, i cili shihet si hap i ndërmjetëm për krijimin e Jugosllavisë së Re. Edhe kjo shihet si një rikthim në vitin 1947, kur diktatori Hoxha nënshkroi bashkimin de facto të Shqipërisë me Jugosllavinë e Titos.

Por tani, në kushtet e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duket se Beogradi me një gur dëshiron të vrasë dy zogj: Të rikthejë më ndihmën e Tiranës së paku një pjesë të territorit të saj në Republikën e Serbisë dhe ta bashkojë Shqipërinë më Jugosllavinë. Ndërkaq zoti Rama reagon për një pordhë të Lulzim Bashës, por jo edhe për një bombë që lëshon presidenti i Serbisë kundër interesave kombëtare të shqiptarëve në Ballkan. Edhe pse në Prishtinë reaguan dhe e hodhën poshtë këtë opsion të rikonfigurimit të Jugosllavisë së Re, qeveria e Tiranës heshti. Pse heshti? Sepse ky projekt i është dhënë Ramës dhe Vuçiç në dorë në në Paris dhe në Berlin, në këmbim të përshpejtimit të integrimit europian. Një analist afër Ramës thoshte mbrëmë në opinion se Shqipëria e Serbia duhet të integrohen në një hap në BE. Kjo do të thotë se dy koordinatorëve të projektit të Jugosllavisë së Re ua kanë pre modelin dhe treguar intenerarin e asaj çfarë ata do të duhet të bëjnë. Tani opozita shqiptare në Tiranë, por edhe kundërshtitë e Prishtinës, duket se krijojnë premise për ta hedhur në erë projektin e Jugosllavisë së Francës e Rusisë, ose të Ramës dhe Vuçiç. Prandaj dhe BE ngadalësoi integrimin e Shqipërisë dhe Serbisë.

Prandaj Rama ka të drejtë që akuzon opozitën për bllokim të integrimit. Në fakt opozita po bllokon projektin e kryeministrit tonë për ta fut Shqipërinë dhe shqiptarët në një Jugosllavi të Re, ku do të sundojë Beogradi. Kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Serbisë u mbështetën nga Europa prosllave ose e interesuar për ekuilibër forcash në Ballkan, dhe në këtë ndërmarrje ata morën zotim të realizojnë fillimisht “vëllazërimin shqiptaro-serb”, më pas “Tregun e Përbashkët Ballkanik” e në fund Jugosllavinë e Re. Prandaj zoti Rama mori Legjionin e Kalorësit të Nderit nga presidenti francez dhe u mbështet fuqimisht në përpjekjet e tij për të qëndruar në pushtet nga ana e ministrit gjerman të Punëve të Jashtme para disa ditësh. Ky është shkaku kryesor pse në Europë protesta e opozitës shqiptare nuk gjen mbështetje të gjerë. Përveçse austriakëve dhe vendeve skandinave e lindore, vendet e tjera e inkurajojnë krijimin e një Jugosllavie të Re me mbështetjen e Shqipërisë, duke e parë atë si “zgjidhje” për konfliktet ballkanike.

Të interesuar janë Franca e Italia, por edhe Spanja dhe gjysma e Gjermanisë. Këto vende pranojnë që kryeministri i Shqipërisë t’i ndot ato me hashash, vetëm që të realizojnë një projekt të tillë. Të jemi të qartë: Franca është ndjerë e fyer nga shpërbërja e krijesës së saj, Jugosllavisë, prandaj insiston që ajo të ribëhet. Italia ka interesa në një Jugosllavi, sidomos pa Slloveninë. Ndërsa Gjermania beson se një Jugosllavi e Re do të krijojë ekulibrat gjeopolitikë të pas Luftës së Dytë Botërore dhe do të sjellë paqe në rajon. 3. Një Jugosllavi e Re nuk përfundon këtu. Ajo ka për qëllim largimin e influencës amerikane në Ballkan. Parisi është shumë aktiv për ta realizuar këtë. Berlini mund të besojë se duke larguar amerikanët i nxit edhe rusët të ikin prej këtej. Por historia është e pamëshirshme. Nuk po shkojmë deri te Kriza Lindore e kohës së Kongresit të Berlinit, as te Luftrat Ballkanike. Gjermania ka mundësi të nxjerrë mësime nga kriza në Gjeorgji dhe Ukrainë e të mos jetojë me iluzionin se Rusia do të ndalet në diversionin e saj për zona influence e hegjemoni në Ballkan. Një Jugosllavi me shumicë sllave e me Serbinë në ballë të oxhakut është garanci e mjaftueshme për prezencën ruse në Ballkan, madje për dominimin e saj.

Të joshesh pas këtij lloj ekuilibri është sa e rrezikshme, aq dhe e dëmshme për interesat shqiptare në rajon. Po pse u gjet Rama të aktivizohet në këtë projekt, pse jo, psh Basha, Berisha a ku e di unë se kush? Sepse Rama dhe partia e tij janë ende nostalgjikë të doktrinës serbe “Ballkani ballkanasve”. E keni parë si shfaqet zoti Rama: “Nëse nuk na pranoni, madje me urgjencë në BE, këtu përfitojnë aktorët e tretë”. Kush janë të tretët veç BE-së? Ai thotë Rusia, por mos harrojmë dhe SHBA-të dhe Turqinë! Pra zoti Rama e di se Europa nuk e dëshiron as Amerikën, as Turqinë në Ballkan. E dëshiron 100 për qind për veten e saj. Kësaj loje të fëlliqur, së cilës ia kemi parë sherrin për më shumë se 100 vjet, duhet t’i jepet fund. Janë shqiptarët ata që duhet t’i tregojnë vendin Ramës e kujtdo tjetër që i merr ata për budallenj e madje ju shet patriotizëm, duke mbajtur ngrefur gishtin e mesit të dorës! Edhe sikur të vijë Rusia në Beograd, Amerika dhe jo Europa do të duhet të jetë në Mitrovicë, në Kumanovë, në Luginën e Vardarit e të Moravës (Preshevë), në Ferizaj, në Shkup e deri në Konsipol. Vetëm si aleatë të përhershëm, të sinqertë dhe të devotshëm më Uashingtonin do të mund t’i themi jo projekteve të Parisit, Beogradit e Moskës për një Jaltë të dytë e një Jugosllavi të Re, ku të bëjë pjesë edhe Shqipëria./ Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne