Lombardia dhe Veneto drejt autonomisë nga Italia

12 milion italianë në Lombardi e në Veneto votuan pro autonomisë në referendumin e të dielës.

Pas disa muajsh fushatë elektorale, drejtuar nga forca e djathtë politike “Lidhja e Veriut”, 90 % e votuesve mbështetën kërkesën për më shumë pavarësi.

Pjesëmarrja në votime në Veneto ishte në nivelin 60%, ndërsa në Lombardi nuk shkoi më shumë se 40%.

Me këtë rezultat është hapur rruga e negociatave me qeverinë italiane deri në miratimin e një ligji për dhënien e një statusi special “për forma e kushte të veçanta të autonomisë” të rajoneve të Lombardisë e Venetos në përputhje me Kushtetutën.

Roma zyrtare reagoi përmes zv/sekretarit të çështjeve rajonale, Gianclaudio Bressa, i cili deklaroi se ekzekutivi italian është i gatshëm për negociata.

Modeli do të jetë, sipas gjasave, ai i eksperimentuar me Emilia Romanjën, që e kishte zgjidhur sidoqoftë ngërçin me qeverinë qendrore pa kaluar në referendum.

Votimet u organizuan nga presidentët e dy rajoneve, Roberto Maroni dhe Luca Zaia, të cilët ankohen se veriu po paguan edhe për jugun e varfër të vendit dhe duan më shumë fuqi mbi taksat.

Lombardia, që ka edhe kryeqytetin financiar të Italisë, Milanon, si dhe rajoni i Venetos, përreth Venecias përbejnë së bashku 30 për qind të pasurisë së vendit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne