Me LSI rrëzohet rilindja, por nuk ndërtohet Republika e Re

Brenton Kotorri

Me ngritjen e çadrës para kryeministrisë, opozita shqiptare vendosi të realizonte një lëvizje politike të paprecedentë për vendin tonë, të bëjë fushatë zgjedhore nga çadra. Fushatë zgjedhore, me kërkesën e patërheqshme tashmë të zgjedhjes së një qeverie teknike e cila do të administrojë zgjedhjet e kërcënuara. Pas një muaji proteste politike, dhe dështimesh për kundërprotestë, kryeministri Rama u detyrua të bënte një lëvizje lëshimi përballë tensionit politik: Shkarkoi 4 ministra të qeverisë së tij, të ardhur nga partia e tij, për të propozuar më pas 4 të tjerë.

Kryeministri e justifikoi këtë lëvizje me argumentin se katër ministrat janë caktuar si 4 koordinatorë të partisë nëpër qarqet përkatëse. Kësisoj, këta individë, duhet të braktisin detyrën ndaj shtetit dhe të ngarkohen me detyrën ndaj partisë. Opozita, nuk priti asnjë sekondë për t’i konsideruar këto shkarkime si një shfaqje frike nga ana e kryeministrit. Asnjëra prej palëve nuk na ka thënë të vërtetën. Për ta kuptuar këtë do të na duhet të bëjmë një kredhje në shqyrtimin e situatës nga aspekti logjiko-formal.

Për dy veprime, ngjarje ose fenomene që intuitojmë se kanë lidhje mes tyre, ka tre mundësi se si kjo lidhje mund të ndodhë. Si Shkak-pasojë, kur njëri veprim është shkaktar që një veprim tjetër të ndodhë për pasojë. Si korelacion, kur veprimet ndodhin gjithnjë njëkohësisht, ose ndodhin në distancë fizike apo kohore të afërt, por ama ne nuk vërtetojmë dot një lidhje direkte mes tyre. Si rastësi, kur dy veprime ndodhin në të njëjtën kohë, dhe mundësitë që të rindodhin sërish njëkohësisht, janë të pamundura.

Kryeministri u përpoq ta shiste këtë ndryshim në qeveri si një rastësi në lidhje me çadrën e protestës. Lideri i opozitës Basha u përpoq ta shiste si lidhje shkak-pasojë. Pra për shkak të protestës, u shkarkuan ministrat. Sigurisht që duke qenë se kishte entuziasëm në radhët e opozitës për këtë që ndodhi, dhe aspak entuziazëm në radhët e qeverisë, u duk për opinionin publik sikur vërtetë lidhja shkak-pasojë qendron.

Nëse do të shohim me kujdes synimet dhe objektivat e protestës të shprehura në çadër, ato nuk kanë kërkuar kurrë shkarkimin e katër ministrave. Aq më tepër të pikërisht këtyre katër ministrave. Opozita nuk do të mundte dot edhe sikur të përpiqej, që të vërtetonte se shkarkimi erdhi si pasojë direkte e protestës. Në krahun tjetër, shkarkimi nuk ishte një rastësi, protesta një mujore e opozitës shkaktoi tension të lartë në politikën e vendit dhe konfigurimin e përgjithshëm. Me supozim nga e kundërta, lind pyetja vetëpërgjigjëse: A do të shkarkoheshin këta ministra nëse nuk do të kishte protestë? Mund të mbërrijmë qetësisht në konkluzionin se protesta nuk e shkaktoi shkarkimin e ministrave, ama ky shkarkim nuk ishte një rastësi. Shkarkimi si efekt i tërthorë i protestës është korelacion.

Korelacion ka gjithashtu mes protestës dhe përplasjeve brenda koalicionit qeverisës. Pasi protesta nuk është shkaku, por është nxitësja e shkaqeve për këto përplasje. Me mbylljen e kontratës 4-vjeçare të 1 prillit, mbetet për t’u parë loja e re politike e fushatës zgjedhore 2017. Zgjedhjet më të rëndësishme që nga 2005-a. Për shkak se protesta dhe kërkesa për themelimin e një republike të re, është një lëvizje shumë herë më e madhe sesa thirrja për rilindje në 2013-ën. Rama dështoi në çdo premtim të rilindjes, ndërsa Basha ende nuk ka dhënë asnjë provë se republika e re është e mundur.

Teoria do ta donte që partia më e madhe e djathtë të mos bënte aleancë me asnjë parti jo të djathtë. Sikurse Rajoy në Spanjë paçka krizës njëvjeçare nuk pranoi të shkonte në pushtet me të majtët. Apo sikurse Tsipras në Greqi nuk pranoi të bashkëqeveriste me të djathtët, praktika e keqe në politikën shqiptare na thotë se një koalicion PD-LSI është i mundur për përmbysjen e rilindjes. Por ky nuk do të ishte kurrsesi një koalicion për themelimin e republikës së re. Secila parti duhet të shkojë në zgjedhje e vetme dhe pas matjes së forcave, ajo që populli zgjedh, qeveris./ pb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne