nga Fatos Lubonja.

Para disa vjetësh kam komentuar instalacionin me ajsbergun prej inoksi, që lundronte në kanalet e Venecias, vepër e artistit italo-shqiptar, Helidon Xhixhës, që pushtoi asokohe kopertinat e inaugurimit të Bienales. Mes të tjerash, kam shprehur idenë se një nga karakteristikat e krijimit në artin vizual, duhet të jetë aftësia për të të befasuar. Kur gjendesh përpara një vepre, ajo duhet të të tërheqë vëmendjen, të të befasojë me formën e saj, me gjetjen, origjinalitetin e autorit. Pas kësaj mund të futesh më thellë në të. Përndryshe, mund të thuash “gjë e parë” dhe të vazhdosh rrugën.

Po t’i hysh reflektimit mbi efektin artistik, që e quajta befasia e krijimit, mund të shkosh larg me pyetje që kërkojnë përgjigje. Pse një vepër na tërheq vëmendjen, na pëlqen e ndalemi e një tjetër jo? Sa reflektohen në këtë befasim shijet tona estetike, rezultat i një edukimi, dhe sa zbulimi i diçkaje të re, që nuk e kemi ditur e njohur? Sa është forma që na befason dhe sa ndikohet kjo nga përmbajtja apo të dyja këto nuk mund t’i ndajmë dot? Sa na befason, pikërisht transformimi i një objekti apo forme, që e njohim në diçka tjetër nëpërmjet imagjinatës të autorit, por jo vetëm: edhe nëpërmjet një vizioni të tij të ri për artin e botën?

Pyetje të tilla dhe reflektimet mbi to, që flasin për natyrën aq të papërkufizueshme të artit, më kanë ngacmuar edhe çelësat e kthyer të një tjetër artisti italo-shqiptar, Alfred Mirashit – që në Itali e njohin me emrin e artit Milot, – një variant gjigant i të cilëve u vendos kohët e fundit në hyrje të Cervinara-s në Itali. Nganjëherë, madje, një pyetje si ajo që shtrova: se sa na befason transformimi i një objekti apo forme që e njohim në diçka tjetër nëpërmjet imagjinatës të autorit, bëhen edhe më evidente kur ke përpara vepra, siç janë çelësat e kthyer të Milotit. Kjo, për shkak se çelësi është një nga objektet më të njohur, që në forma të ndryshme, secili prej nesh i kalon nëpër duar dhe i mban në xhep çdo ditë. Gjetja artistike e Milotit, që të krijon atë që e quajta befasi e krijimit, është marrja e një çelësi nga ata që mund të quhen çelësa klasikë të hapjes së portave dhe transformimi i tij në një formë që e bën të papërdorshëm sepse është i kthyer, i shtrembëruar. Mund të imagjinosh edhe se artisti e ka gjetur diku të hedhur në rrugë një çelës të tillë të papërdorshëm dhe, në sajë të intuitës artistike, por edhe të njohjes së një gjuhe të re të artit bashkëkohor, e ka marrë në dorë dhe e ka imagjinuar si një vepër arti.

Dhe sot ne ndodhemi përpara çelësave të papërdorshëm të Milotit, të kthyer në skulptura dhe instalacione gjigante, që prekin tema të ndryshme, në format e tyre të ndryshme të shtrembërimit. Sepse çelësi, si objekt, është shumë i vjetër. Ai ka hyrë herët në jetën e njerëzimit dhe fjalën çelës e gjen sot në çdo gjuhë, edhe në kuptimin e objektit që hap e mbyll portat, por edhe në kuptime të ndryshme metaforike, që gjithmonë lidhen me hapjen dhe mbylljen, dy koncepte kaq të rëndësishme në mendimin e njeriut. Në Italinë ku jeton autori, e dëgjon shpesh të përdoret në termin “Chiave di lettura”, që ka kuptimin e “çelësit” që na ndihmon të zbërthejmë, kuptojmë, interpretojmë diçka. Shpesh dëgjojmë të flitet për një çelës magjik, që hap çdo portë dhe bën mrekullira. Por, çelësi është edhe simbol i pushtetit. Ai edhe hap porta, por edhe i mbyll ato duke të lenë në burg. Mbi këtë shumëkuptueshmëri të çelësit luan edhe Miloti me çelësat e tij të kthyer. Në një nga instalacionet e tij ndodhemi përpara një çelësi të madh, të bardhë, të “ulur” në një kolltuk të kuq papal. Është një pamje, që na bën të mendojmë për Papën e parë, Shën Pietrin, të identifikuar me çelësat që u hapin ose mbyllin vdekatarëve portat e parajsës. Shumë pyetje ngrihen përpara këtij instalacioni. Në çelësin tim të interpretimit, ai të fton të mendosh mbi paradoksin e “pushtetit të pafundmë”, siç e ka quajtur veprën autori, që është edhe mungesë e pushtetit – çelësi i bardhë i bukur është i shtrembëruar, nuk ka fuqi të hapë dhe të mbyllë porta.

Çelësi i Cervinara-s përbën një pikë kulmore në krijimtarinë e autorit. Për këtë skulpturë gjigante është folur e shkruar shumë në mediat italiane. Papërdorshmëria e këtij çelësi është simbol i portës që vendos të mbetet e hapur. Duke u përkulur e ngritur lart në qiell, çelësi i Cervinara-s lexohet si një triumf i hapjes, dashurisë, humanizmit ndaj mbylljes e frikës. Kjo vepër e shfaq Milotin si një artist të angazhuar, me një qëndrim edhe politik kur ke parasysh se sot, në Perëndim, ka një debat të madh, që ndan njerëzit, për sa i përket qëndrimit ndaj emigrantëve. Më një anë i bëhet thirrje frikës së njeriut nga të huajt dhe nevojës së tij për siguri dhe më anë tjetër, humanizmit dhe ndjenjave të solidaritetit. Frika thërret për mbylljen e portave, kurse dashuria për mbajtjen e tyre hapur. Ndikuar edhe nga jeta e tij, Miloti ka bërë zgjedhjen e tij duke e shprehur atë fuqishëm me këtë vepër. Fakti që çelësi i tij është vendosur nga komuna dhe është mirëpritur dhe përshëndetur në shumë media italiane, është një dëshmi se, me gjithë pështjellimet që ka krijuar sot në mendjen e njerëzve kriza e emigracionit, e shoqëruar me krizën ekonomike dhe atë të terrorizmit, italianët vazhdojnë të kultivojnë ndjenjat e solidaritetit dhe të humanizmit, trashëgimi këto të rëndësishme të kulturës europiane të pasluftës së II.

Simbolika e këtij çelësi të përkulur nga vullneti njerëzor për t’i lënë portat hapur, nuk mund të mos na kthejë vështrimin edhe nga Shqipëria ku artisti ka lindur dhe ka jetuar deri në moshën 17 vjeç për të emigruar pastaj në Itali, ku është formuar dhe ka zgjedhur të jetojë e krijojë. Madje, duke parë çelësin e Cervinara-s, nuk mund të mos ngacmohesh të mendosh se cili do të ishte çelësi i Milotit, i vendosur diku në brigjet e Adriatikut, prej ku ai është nisur për Itali. Sepse duke parë çelësin e tij, nuk mund të mos mendosh për gjithë ata shqiptarë që kanë braktisur vendin duke thënë se “ky vend nuk bëhet”, duke e hedhur tej, pra, çelësin e shtëpisë së tyre e duke gjetur strehë jashtë. Artisti, që ka vënë emrin e artit Milot, si kujtim i vendlindjes së tij, nuk bën pjesë ndër ata që e kanë hedhur çelësin kur kanë ikur. Ai, vazhdimisht, kthehet e rikthehet në Shqipëri. Ka kontribuar edhe në hapje ekspozitash ku ka sjellë artistë të huaj e njëherësh duke çuar artistë shqiptarë në Itali dhe gjetkë deri në Kinë. Por, edhe nga përvoja e tij e rinisë, edhe nga përvojat e sotme, ai njëkohësisht bën pjesë ndër ata që e kuptojnë mirë shqiptarin që hedh çelësin, teksa merr anijen apo gomonen dhe kapton Adriatikun për të mos u kthyer më. Duke e njohur këtë mëdyshje të tij, që është mëdyshja e shumë shqiptarëve, teksa shoh çelësin e Cervinara-s, më ninëzohet një çelës i ngritur nga dora e artistit, nga fundi i detit në brigjet shqiptare të Adriatikut, si simbol i shqiptarit që i kthehet shpresa.

23