Lufta kundër Katarit

Olsi Jazexhi

Embargoja që diktatura e Arabisë Saudite dhe satelitët e saj të Bahreinit, Emirateve Arabe, Maldivet dhe Mauritania, sëbashku me diktaturën e Egjiptit i kanë bërë emiratit të Katarit në këto ditët e fundit ka shtangur botën. Shteti Beduin (Beduinat) i Arabisë Saudite i cili njihet botërisht si financuesi ideologjik dhe monetar i grupeve terroriste që nga al-Nusra dhe deri te al-Kaeda papritur dhe papandehur në datë 5 qershor 2017 shpalli emiratin e Katarit si financues të terrorizmit, preu marrëdheniet diplomatike me të dhe i vendosi embargo ajrore, tokësore, ekonomike dhe financiare.

Bota e qytetëruar dhe muslimanët anë e mbanë botës të cilët e njohin mirë rolin destruktiv që Arabia Saudite dhe “dijetarët” e saj luajtën në shkatërrimin e Sirisë dhe radikalizimin e muslimanëve, akuzat e Saudisë ndaj Katarit si financues të terrorizmit i morrën aq me seriozitet sa marrin edhe shqiptarët Ilir Metën apo Edi Ramën kur thonë që do luftojnë oligarkët dhe korrupsionin në Shqipëri.

Po pse u vërsul me kaq egërsi dhe në mes të muajit të shenjtë të Ramazanit, Arabia Saudite kundër Katarit në datën 5 qershor? Çfarë bëri Katari i cili papritur Arabinë Saudite nga sponsore botërore të vehabizmit, e bëri të sillet sikur të ishte Suedia apo Zvicra? Që ti themi gjërat troç ne duhet të pranojmë që si Arabia Saudite ashtu edhe Katari janë vende mëkatare në punën e terrorizmit. Të dy këto vende u përdorën nga padronët e tyre amerikanë gjatë pranverës arabe për të financuar grupe terroriste që nga Libia e deri në Siri. Emirati i Katarit, ashtu sikur edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, sikur edhe Mbretëria e Arabisë Saudite ishin partnerët më besnikë të Amerikës dhe Izraelit në djegjen e Irakut dhe Sirisë, e sot në bombardimin e Jemenit. Po si ndodhi pra, që këto beduinate arabe që Amerika komandon në Lindjen e Mesme, papritur iu vërsulën fshatçe aleatit të tyre Katarit?

Fajin e ka Palestina!

Konflikti i diktaturave beduine arabe kundër Katarit ka lidhje me Palestinën. Që pas Luftës së Dytë të Gjirit, diktaturat beduine arabe e kuptuan që nuk kanë rrugë tjetër por ti nënshtrohen Izraelit. Beduinatet Arabe të Gjirit Persik ekzistencën e tyre ia dedikojnë Amerikës dhe Izraelit. Ata janë që i mbajnë në pushtet dhe i komandojnë familjet injorante që sot sundojnë Gjirin Persik. Ata i armatosin dhe ua caktojnë axhendën. Embargoja e beduinateve arabe kundër Katarit erdhi pak ditë pasi presidenti Donald Trump vizitoi Rijadin dhe përuroi aleancën ushtarake të shteteve të Gjirit “kundër terrorizmit”. Në këtë vizitë ku Trumpi i zhyti sauditëve edhe 110 miliardë dollarë të tjerë kontrata për blerje armësh, ndër të tjera nxiti vasalët e tij beduinë që të hapin luftë të re në Lindjen e Mesme, kësaj here kundër rezistencës palestineze – Hamasit, Hizbullahut dhe Iranit. Dhe pak ditë pasi Trumpi u kthye në Amerikë, sauditët me aleatët e tyre i shpallën luftë diplomatike Katarit. Trumpi nga kanali i tij në Tweeter u lumturua me këtë embargo dhe falenderoi beduinët e tij të Arabisë.

Benu Kurejdha dhe fiset Aus dhe Khazraxh

Në historinë e Islamit është i mirënjohur fakti sesi fisi çifut i Benu Kurejdhës që jetonte në Medinë, nxiste fiset arabe të Ausit dhe Khazraxhit të vriteshin me njëri tjetrin. Pasi arabëve u erdhi nga Allahu profeti Muhamedi a.s., ai i paqëtoi dhe i dha fund intrigave që Benu Kurejdha bënte me beduinët e kohës së tij. Nëpër hadithet e profetit Muhamed, mësohet që ai i paralajmëroi arabët që të ruheshin nga pasardhësit e Benu Kurejdhës pasi ata ishin intrigantë dhe do i ngatërronin keq arabët e paditur.

Pas krijimit të Izraelit dhe rënies së Bashkimit Sovjetik, arabët kanë rënë në gjendjen e xhahilijes para islamike. Në një kohë që të gjitha republikat progresive arabe, që nga Libia e deri në Jemen të gjitha janë djegur, të vetmit që gëzojnë ende shtete janë beduinët e Saudisë, Bahreinit, Katarit, Kuvajtit dhe Omanit. Por ashtu sikur në kohët kur fiset e Ausit dhe Khazraxhit vrisnin njëri tjetrin dhe Benu Kurejdha i nxiste dhe më pas i bënte sehir, edhe sot, arabët nxiten nga Izraeli dhe Amerika që të vrasin njëri tjetrin. Emailet e ambasadorit të Emirateve Arabe në SHBA Yousef el Otaiba që u lëshuan në faqen the Intercept dhe Huffington Post treguan pikërisht këtë. Qeveria e Emirateve Arabe, ashtu sikur edhe sauditja janë vegla në duart e Izraelit. Ata i komandojnë dhe u japin urdhëra se me kë të luftojnë dhe me kë të bëjnë paqe. Emailat e Otaibës tregojnë që amerikano-izraelitët pasi i vërsulën beduinët arabë kundër Irakut, Sirisë, Jemeni dhe Libisë tani i nxisin kundër Turqisë, Iranit dhe Vëllazërisë Muslimane. Udhëheqësit sauditë dhe emiratas sot janë sikur Abdullah Ibn Seluli, udhëheqësi i munafikëve dhe i Benu Khazraxhit në kohën e Muhamedit a.s.. Ata nuk i duan kombet e qytetëruara muslimane. Ata nuk e duan luftën çlirimtare të popullit të Palestinës. Nuk duan paqe dhe demokraci në Egjipt dhe mbarë botën arabe. Ata duan vetëm të sigurojnë karriken e tyre. Pasi çuan bandat vehabite që të shkretëtojnë Irakun, Sirinë, Libinë dhe Jemenin, emailat e Otaibas tregojnë që beduinët arabë urrejnë në kulm dy superfuqitë e Islamit në Lindjen e Mesme, Turqinë dhe Iranin. Këto dy vende progresive dhe demokratike, përbëjnë kërcënim për Beduinatet arabe ashtu sikur edhe feja e Muhamedit përbënte kërcënim për pushtetin e Abdullah ibn Selulit në Medine. Pse nëse në kohën e Muhamedit, feja e tij i hiqte autoritetin Abdullah ibn Selulit, edhe sot, regjimet demokratike republikane në Turqi dhe Iran, kërcënojnë diktaturat absolute beduine të Gjirit Persik, të cilat popujt e tyre i sundojnë me terror dhe dhunë.

Për të siguruar jetëgjatësi të familjeve të tyre në pushtet beduinatet arabe bashkëpunojnë me Izraelin dhe bëjnë çfarë të kenë mundësi që të rrënojnë qeveritë turke dhe iraniane dhe çdo lëvizje demokratike në botën arabe.

Por armiku më i madh i beduinateve arabe është Vëllazëria Muslimane. Kjo lëvizje e ideuar nga filozofët egjiptianë Hasan el Benna dhe Sejid Kutub kërkon që të përmbysi monarkitë despotike në botën arabe dhe në vend të tyre të ndërtojnë republika parlamentare. Vëllazëria Muslimane mbështet edhe lëvizjen çlirimtare të popullit palestinez. Për këtë arsye sauditët e kanë shpallur – ashtu sikur edhe Izraeli –organizatë terroriste. Dhe duke qenë se Katari është i vetmi Beduinat arab që mbështet financiarisht Vëllazërinë Muslimane dhe rezistencën palestineze, sauditët e kanë shpallur financues të terrorizmit dhe e kanë vënë nën embargo.

Si do i shkojë halli Katarit?

Embargoja totale që beduinatet arabe i kanë vënë Katarit në ditët e fundit e kanë kërcënuar shumë jetëgjatësinë e këtij emirati të vogël por shumë të pasur të Gjirit Persik. Katari është një gadishull i cili pothuajse për çdo ushqim dhe furnizim është i mvarur nga Arabia Saudite. Duke qenë një vend shumë i vogël, apo siç prinici i terrorist saudit, Bandar al-Saudi e ka përshkuar vite më parë, si një vend me 300 banorë dhe një televizion, ekzistenca e Katarit përballë embargos saudite është shumë e vështirë. Dy supërfuqitë e Islamit, Turqia dhe Irani po bëjnë çmos që të sigurojnë ekzistencën e Katarit. Ndërsa Irani duket se ja ka “falur” Katarit sponsorizimin që ai i bëri grupeve terroriste në Siri dhe Irak dhe i ka ofruar ndihmë me ujë dhe me ushqime dhe i ka vënë në dispozicion hapësirën ajrore për Katar Airways, Turqia sot aprovoi në parlament një ligj i cili miraton dislokimin e trupave turke në Katar.

Turqia dhe Irani e kuptojnë që në mesin e beduinateve arabe të Gjirit Persik, Katari është shteti më i mirë në rajon. Familja al-Thani ka treguar që ka një nivel inteligjence më të lartë sesa beduinët që sot drejtojnë Bahreinin dhe Saudinë, dhe për më tepër kanë treguar që e duan Palestinën. Çështja kryesore që bashkon Turqinë dhe Iranin me Katarin është Palestina. Katari e mbështet lëvizjen palestineze dhe për këtë duhet shpëtuar. Por në anën tjetër despotët sauditë do të donin ta pushtonin sikur kanë të pushtuar Bahreinit dhe paratë e gazit natyror që Katari i shpenzon në Turqi dhe Palestinë, familja al-Saud t’ia jepte korporatave amerikane të armëve të cilat i armatosin arabët që vrasin njëri tjetrin me to. Izraeli do të dëshironte shumë që familja al-Thani të zhdukej nga Katari dhe paratë e gazit të Katarit të merreshin nga sauditët dhe të përfundonin në bankat e Izraelit.

Në ditët në vijim do të shohim zhvillime të reja. A do të mundë Turqia dhe Irani ta shpëtojnë Katarin?

Allahu e di më së miri.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne