Lufta në Kosovë: e mërkurë, 14 prill 1999

Adnan A Sogojeva

Nata ishte e gjatë, ishte natë tjetër nga netët tjera, ishim pa gojë…!

E mërkura e 14 prillit filloi më ndryshe, forcat serbe ishin përforcuar si kurrë më parë, ishin shenjat e një beteje të përgjakshme, jo sikur sulmet e ditëpërditshme të forcave serbe drejt pozicioneve tona. Afërsia që kishim me Mihjen Sipërfaqësore të Bardhit i bënte pozicionet tona cak i sulmeve të njëpasnjëshme nga forcat serbo – sllave, tentativat e tyre ishin të pa ndërprera për të thyer dhe futur në kontroll pozicionet tona.

Nga themelimi i pikës se Grabovcit, e më vonë Togu i Grabovcit, ky vend ishte shndërruar në KALA e pa mposhtur, ishte bërë tmerr për forcat serbe, edhe pse largësia nga pozicionet tona dhe atyre serbe ishin në një distancë të afërt, sa që ishim në gjendje që të kuptonim çdo lëvizje të forcave serbe …!

Tentativat e forcave serbe për shpartallimin e këtij Togu ishin të pa ndërprera, si ne aspekt luftarak, sulme të njëpasnjëshme drejt pozicioneve tona, po ashtu edhe tentativa diplomatike me delegacion të OSBE – së dhe disa shqiptarë lojal të regjimit, të cilët kërkonin largimin e forcave të UÇK – së nga pozicionet, kinse me qellim të mbarëvajtjes së punëve në Mihje të Bardhit, nxjerrje të Qymyrit.

E mërkura e 14 prillit 1999 nuk do harrohet asnjëherë, është datë që ka mbetur në analet e Historisë të së lavdishmës UÇK, është datë ku forca të mëdha me artileri e armatim më modern të kohës kishin mësy pozicionet tona, pozicionet e Togut të Grabovcit të poshtëm, Tog ky që për më shumë se një vit ishte bërë KALA e pa mposhtur dhe nuk lëvizte dot nga pozicionet.

Ora po kalonte 07:15 minuta, kur serbo – sllavet filluan granatimet me minahedhës, topa pa dridhje, topa kundër ajror, e armë tjera të kalibrave të ndryshëm sa të krijonin përshtypjen se ishin rafalë automatiku me intensitetin e gjuajtjeve … Pas sulmit të parë me artileri të rendë, drejt pozicioneve tona mësyhen këmbësoria, që doli tentativë e kotë, pasi që luftëtaret – ushtarët e UÇK-së në udhëheqje të komandant Dinit ishin të pa trembur dhe të vendosur që me vdekë, por pozicionet mos me i leshu …! Forcat serbo – sllave kishin mësy pozicioneve tona nga të gjitha anët, ishim të rrethuar, por assesi të mposhtur, ashtu siç kishte qenë ankth për Serbinë, tani më veç po konfirmohej se këto istikame nuk do lëshohen për asnjë çmim. Ndarja e detyrave nga komandanti Abedin Sogojeva – DINI, rezultoi me sukses, pasi qe rezistenca ishte në gjitha anët, skuadrat e udhëhequra nga Ali Berisha, Xhelil Berisha në përbërje të ushtarëve si: Shabani, Musa, Bujari, Lirimi, Vullneti, Avdyli, Bedriu, Fehmiu, Baci Zeqë, Ganiu, etj, bashkë me togun e Bardhit rezistojnë dhe nuk zmbrapsen nga armiku që kishte filluar sulmin nga pjesë e Gospojes, gjegjësisht fshatrave Vasilevë, Dobrashec. Një skuadër ishte vendosur tek vendi i quajtur Zabelet, ku me përpikëri kryheshin gjithë detyrat që kishte urdhëruar Komandanti, kjo skuadër udhëhiqej nga Arsimi.

Për rreth shtëpive tona, ku dhe ishte shtabi i UÇK-së, ishte një numër i luftëtareve si; Fidaiu, Aliu, Afrimi, Mirsadi, Adnani, Xhevati, Milaimi, Hyseni, Veliu, Petriti dhe tashmë dëshmori i kombit Ferid Curri, të udhëhequr nga Komandant Dini. Forcat serbe nuk rreshtin së provuari për të shpartalluar forcat tona, duke tentuar vazhdimisht pas sulmeve me artileri të rëndë që të futeshin me këmbësori, edhe pse morën mësim dhe leksion se kot e kanë … Granatimet nuk ndalonin, tentativat për futje me këmbësori nuk rreshtin nga gjitha anët, Petriti, Xhevati dhe Adnani me urdhër të Komandant Dinit u detyruam që të ndërronim pozicion pasi që forcat serbe kishin filluar që nga lagja e Mjekiçve të afrohen pozicioneve tona, ku me PKT-në e famshme (armë e kalibrit të rëndë) i zmbrapsem, në këtë pozicion bashkohet me ne edhe Dr. Ridvani. Granatimet nuk ndalonin rreth nesh, para dhe pas nesh, nuk mbeti asnjë pëllëmbë toke pa u granatuar, ku dhe filluam të kuptojmë edhe për pasojat nder ne, në lagjen e Rranolleve nga predhat e rëna kuptuam se ishin plagosur luftëtarë – ushtarë nga togu i Bardhit si dhe disa civil. Nga granatimet e fuqishme plagosen edhe Feridi dhe Fidi, krejt në anën tjetër ku ishim të vendosur plagoset dhe Petriti – vëllai i Feridit. Shpresa për shërimin ishte e pranishme nder ne, pasi që plagët nuk dukeshin që mund të ishin vdekje prurës, pra mund të mjekoheshin, veç njërit nga të plagosurit që kishte marrë, jo një plagë por me shume se 40 plagë, nuk kishte mbetur vend ku nuk kishte plagë, predha i kishte amputuar dhe gishtin tregues, Feridi …! Feridi nuk brengosej për plagët e tij, por brengosej se si do të luftoj dhe gjuaj forcat serbo – sllave.

Edhe pas plagosjes se disa luftëtareve dhe tërheqjes së tyre për t’iu dhënë ndihmë, lufta nuk ndalonte, tashmë jo veç që luftohej kundër armikut por luftohej dhe në shpëtim të jetëve të ushtarëve, gjithë këta të plagosur ishin në dorë të Dr. Ridvanit.

Dr. Ridvan Krasniqi do përshkruante kështu situatën e krijuar: ç’ishte kjo pyeta vetveten? Vetëm sa kisha mjekuar Petritin, e tash para vetes kam plagët e vëllait të tij Feridit! Vija e frontit shtrihej gjithandej, vallë sa do të jetë bilanci i ditës së sotme? Feridi kishte shumë plagë në trup, thuajse në çdo pjesë të trupit, deri të amputimi i gishtërinjve të dorës së djathtë. Kurrë në jetën time, nuk kam hasur ne një njeri të tillë, me aq karakter të fortë, qëndrim stoik ndaj plagëve. Kishte gjithë ato plagë në trup, përmbahej me fuqi te jashtëzakonshme, nuk rënkonte, përkundrazi u thoshte shokëve se ai do bënte më mirë dhe do kthehej në vijën e frontit. Një ndjenje e përzier më kishte mbërthyer në kohën sa qëndroja pranë Feridit. Isha edhe mjek pranë pacientit, por edhe shoku pranë shokut. Madhështia konsistonte në faktin se si profesionist u gjeta aty ku duhej dhe ne mesin e gjithë atyre njerëzve të mrekullueshëm …!

Pas dite, diku rreth orës 13 : 30, bie intensiteti i granatimeve dhe tentativave të disa herë për të na shpartalluar, edhe pse, dhe nga ne me pasoja të mëdha në njerëz. Pas orës 15 : 00, forcat serbe filluan të tërhiqen, ne mbanim pozicionet tona, duke vëzhguar çdo lëvizje të armikut deri në mbrëmje. Epilogu i krijuar gjatë gjithë ditës se luftimeve të ashpra kishte krijuar një situatë të veçantë, njërën anë civil te plagosur, anën tjetër ushtarët e plagosur, Feridi shumë rëndë, po ashtu Petriti dhe ai rëndë i plagosur.

Nata ishte e gjatë, ishte natë tjetër nga netët tjera, na kishte kapluar qetësia, ishim të nemitur, ishim pa gojë …!/ Gazeta Impakt

(Vazhdon)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne