Luiza Gega braktis Botërorin e Atletikës, hije dyshimi mbi motivet

Shqipëria nuk do të ketë në Botërorin e Atletikës as Luiza Gegën. Atletja e vetme që përfaqësonte ngjyrat kuqezi nuk do të jetë në pistë. Ajo do të duhej të garonte në mbrëmje në kualifikueset e 3 000 metrave me pengesa. Por korsia e saj do të jetë bosh. Ajo ka paraqitur një raport mjekësor: thotë se është dëmtuar.  E konfirmoi këtë version për Panorama Sport edhe trajneri i saj, Taulant Stërmasi.

“Jemi munduar që të evitojmë dëmtimet pasi ishte e vetmja gjë që mund të ndalte Luizën në progresin e saj në garën e saj të 3000 m/p. Po kalonte një formë shumë të mirë sportive, por ndonjëherë nuk është fati me të. Sigurisht, dëmtimi vjen për disa shkaqe të parashikuara e të paparashikuara”.

Për shkaqet e dëmtimit ai lëshon edhe një akuzë.

“Infrastruktura e munguar ka qenë një nga shkaqet kryesore që la jashtë këtij Botërori Luizën”.

Taulant Stermasi - Luiza Gega

Luiza Gega dhe trajneri Taulant Stërmasi

Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, nuk vonoi të reagonte. Reagimi i tij për Panorama Sport është i mbushur plot me dyshime mbi motivet.

“Unë nuk jam mjek që të vlerësoj traumën që paraqet si shqetësim Gega, por do të isha më i vëmendshëm për ta ruajtur veten. Për sa i përket infrastrukturës me gropa dhe pa gropa, kjo është një përrallë për në orën 7. Unë si ish-atlet dhe si sportist që jetoj në botën e sportit, do të më vinte keq që të humbja okazionin për të qenë pjesëmarrës në kampionatin botëror. Organizatorët e IAAFit (Federata Botërore e Atletikës) do të vlerësojnë rastin. Parimi olimpik në sport: “Nuk është e rëndësishme kush del i pari, është e rëndësishme pjesëmarrja ‘fair play’. Ky është motivacioni sportiv. Respekt edhe për atë që tërhiqet zvarrë. Po më vjen shumë keq, pasi kemi bërë regjistrimin, kemi kryer pagesat, madje edhe shtesë. Atletja, këtë mund t’ia tregojë dikujt tjetër, jo mua që kam qenë ishsportist. Duhet të më kishte njoftuar më herët, pasi ne dogjëm edhe Izmirin nga kjo mundësi. Sinqerisht, unë e dua Luizën 100 për qind, por e dua të bëjë edhe gara.

Irritimi i Rulit nuk mbaron këtu.

“Më duhet të them që jo vetëm unë, por edhe organizatorët e kampionatit botëror janë shprehur të zhgënjyer me mungesën e atletes Gega në garë, pasi korsia ka mbetur bosh. Ajo që duhet të bënte minimumi, të vinte në aktivitet, biletën e kishte të prerë. Pasi fundi i fundit, njerëz të gjallë jemi të gjithë. Ajo nuk ishte në regjim shtrati. Do të ishte shumë korrekte të udhëtonte në Londër dhe ta paraqiste raportin mjekësor dorazi. Tashmë, ne nuk pretendojmë për kampionë bote. Duhet të vinte për të respektuar organizatorët, jo për mua. Të ketë respekt për flamurin shqiptar që valëvitet në hotel. Sinqerisht po më vjen shumë keq. E përsëris, më vjen shumë keq me këtë që ka ndodhur. Nuk ka qenë korrekte me veprimin e saj. Personalisht, do të vija me një këmbë, pasi në fund të fundit, kemi edhe detyrime”.

Gjergj Ruli

Presidenti i Federatës së Atletikës, Gjergj Ruli

Një muaj më parë, në stërvitje u dëmtua edhe  Izmir Smajlajn, Kampioni i Europës në kërcim së gjati. Luiza Gega ishte mundësia e vetme që flamuri shqiptar të ishte në botëror. Stafi i saj nuk e ka bërë publik shkallën e dëmtimit. Ndërsa dyshimeve të Presidentit të Federatës së Atletikës nuk ka dhënë ende përgjigje as ajo apo trajneri i saj.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne