Lutja supreme e Al-Farabit, mësuesit të dytë pas Aristotelit

Ndërsa Al-Farabi kombinon fillesat kryesore të traditës intelektuale islame, lutja e tij është e një rëndësie të veçantë jo vetëm për studentët e filozofisë islame, por edhe për të gjithë të interesuarit në marrëdhëniet midis mendimit filozofik, ashpërsisë logjike dhe përsosjes shpirtërore.

Si i lutet Perëndisë një filozof? Deri diku, ajo nuk është e ndryshme nga lutjet e tjera. Në thelb, të gjithë ne, pavarësisht nga profesioni ynë, trajnimi ose njohuritë, kërkojmë afërsinë shpirtërore me Perëndinë. Por në një nivel tjetër, çdo lutje zbulon gjithashtu diçka në lidhje me atë që ne jemi.

Lutja është një çështje serioze. Ajo kërkon praninë e plotë të personit që lutet. Kjo është mënyra më intime dhe personale e komunikimit me Perëndinë. Është takimi i të fundmit me të pafundmin, i të vdekshmit me të pavdekshmin, i shërbëtorit me Zotin.

Të gjitha traditat fetare e kanë theksuar rëndësinë e lutjes në jetën shpirtërore të dikujt. Tradita islame është ndoshta një nga më të pasurat në literaturën e lutjes. Kjo është e natyrshme duke pasur parasysh faktin se Kurani dhe Profeti na mësojnë se si t’i lutemi Perëndisë. Lutjet më të bukura dhe më të thella pasqyrojnë mëshirën e pafund të Perëndisë dhe fazat e shumta të gjendjes njerëzore. Ashtu si Profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Lutja është thelbi i adhurimit.”

Lutja përbëhet në përgjithësi nga tri pjesë. E para është kur dikush vlerëson fuqinë absolute dhe mëshirën e pafundme të Perëndisë. E dyta është kur dikush thekson “varfërinë” e tij dhe varësinë nga Perëndia. Pjesa e tretë është kur e lut Zotin direkt për bekimet e Tij, për besim, miqësi dhe mbrojtje.

Siç është unik çdo individ, ashtu është edhe lutja që i drejton Perëndisë. E njëjta gjë vlen edhe për filozofin që e sheh Zotin edhe si një Qenie personale, dhe si shkakun e të gjitha shkaqeve dhe burimin e të gjitha qenieve. Disa filozofë i kanë hedhur lutjet e tyre në letër. Çdo lutje pasqyron një këndvështrim të veçantë të filozofit dhe mënyrën se si ai e sheh Zotin, Qenien Supreme, në lidhje me botën e krijimit. Ato janë një testament i mirënjohjes së dikujt për “ekzistimin”. Pretendimi se filozofët e kanë kthyer Zotin e traditës abrahamike në një parim onto-kozmologjik, të cilit nuk mund t’i lutesh, është kryesisht i pabazuar. Filozofët muslimanë kanë mbajtur një ekuilibër delikat mes Perëndisë si Zoti i Universit dhe Perëndisë si Shkaku i të gjitha shkaqeve. Të 99 emrat e Zotit me të cilat i lutemi Atij, zbulojnë madhështinë dhe bukurinë e Tij të pafundme, dhe na udhëzojnë në kërkimin tonë për afërsinë dhe përmbushjen shpirtërore.

Al-Farabi (872-950), një nga mendjet më të mëdha të të gjitha kohërave, na ka lënë një lutje të shkurtër që tregon këtë opinion të veçantë. I njohur si Mësuesi i dytë pas Aristotelit, Al-Farabi ishte një filozof, dijetar, mendimtar politik, kozmolog si dhe një muzikant. Ndërsa ai kombinon fillesat kryesore të traditës intelektuale islame, lutja e tij është e një rëndësie të veçantë jo vetëm për studentët e filozofisë islame, por edhe për të gjithë të interesuar në marrëdhëniet midis mendimit filozofik, ashpërsisë logjike dhe përsosjes shpirtërore.

(Lutja, e quajtur “Lutja Supreme” (Du’a Azim), është redaktuar në mënyrë kritike dhe botuar nga M. Mahdi, bazuar në një dorëshkrim në Bibliotekën Sulejmanije në Stamboll, në librin el-Farabi, Kitab al-millah ve ukhrah nusus-it , Beirut, 1986, f. 89-92. Më poshtë është një përkthim me një koment të shkurtër.)

Lutja e Al-Farabit thur së bashku parimet teologjike dhe filozofiko-kozmologjike të Zotit si Krijues. Zoti është Qenia e nevojshme dhe Shkaku i të gjitha shkaqeve. Ai është që i jep ekzistencë botës së krijimit prej mëshirës së Tij të pafund, duke e bërë kështu ekzistencën një bekim hyjnor. Çdo lutje duhet të fillojë me njohjen e këtij fakti themelor:

“O Qenie e nevojshme, o Shkak i shkaqeve, o i Përjetshmi që kurrë nuk pushon së ekzistuari! Unë kërkoj nga Ti të më mbrosh nga gabimet dhe ta bësh qëllimin tim, veprim që të kënaq Ty.

O Zot i Lindjes dhe i Perëndimit! Më dhuro të gjitha tiparet fisnike, më beko me më të mirën e rezultateve të veprave të mia, dhe m’i bëj të suksesshme qëllimet dhe synimet e mia.”

Poemë:

“O Zot i të shtatë yjeve që rrjedhin në univers si lumenj që derdhen,

Yjet që kryejnë aktet e tyre me vullnetin e Tij

bekimet e së Cilit janë përmbledhur në të gjitha substancat … Unë nuk kërkoj për mirësi nga Saturni, Mërkuri ose Jupiteri, por vetëm prej Teje.”

Këto parime ontologjike dhe kozmologjike nuk rrinë në ajër; ato janë lidhur në vendin e njeriut në zinxhirin e madh të ekzistimit. Pas çdo reference ndaj Perëndisë si burim i fundit i të gjitha gjërave, Al-Farabi ofron një lutje të veçantë dhe kërkon bukuri, falje dhe fisnikëri:

“O Zot! Më vish me rrobat e bukurisë, fisnikërisë së Profetëve, me lumturinë e shpirtrave të pasur dhe të kënaqur, me urtësinë dhe përuljen e atyre që të frikësohen dhe të nderojnë Ty.

O Zot! Shpëtomë nga bota e pakënaqësisë dhe e zhdukjes, dhe më bëj mua një nga vëllezërit e pastërtisë, një nga njerëzit e besnikërisë dhe një banor të qiejve së bashku me të drejtët dhe dëshmorët.”

Al-Farabi është plotësisht i vetëdijshëm për faktin se nuk ka shpëtim pa të vërtetën. Kështu ai i kërkon Zotit për t’i treguar atij realitetin e gjërave ashtu siç janë dhe për ta çuar atë te e vërteta:

“Ti je Zoti përveç të cilit nuk ka asnjë Zot, Shkaku i të gjitha gjërave dhe drita e tokës dhe qiellit. O i Vetmi me Madhështi dhe Përsosmëri! Më dhuro mua një frut nga Intelekti Aktiv, zbukuroje shpirtin tim me dritën e diturisë, m’i cakto mua si mirënjohje ato që ke caktuar për mua si një bekim. Më trego të vërtetën si të vërtetë dhe më frymëzo mua për ta ndjekur atë. Më trego të pavërtetën si të pavërtetë dhe më ndalo që ta besoj dhe ta ndjek atë. Përsose shpirtin tim me baltën e argjilit (lëndën e parë). Ti je Shkaku Kryesor!”

“O Shkaku i të gjitha gjërave nga ku rrjedhin të gjitha qeniet,

Zot i qiejve të ndarë në shtresa që vendosi tokën dhe detërat në qendër të tyre,

Unë kërkoj faljen dhe strehimin Tënd si një mëkatar,

Fali gabimet e këtij mëkatari dhe (robi) të pakujdesshëm,

Me hijeshinë tënde, Zoti i të gjitha gjërave, pastroje elementin tim (thelbësor) nga papastërtitë e botës së natyrës dhe të elementeve.”

Zoti është i Pafundëm dhe i Plotmëshirshëm, por shërbëtori, dmth, Al-Farabi, filozofi, është i dobët dhe ka nevojë për udhëzim hyjnor dhe mbrojtje nga tundimet, dëshirat shtazarake dhe epshet e kësaj bote:

“O Zoti i individëve qiellorë, i elementëve sferikë, i shpirtrave qiellorë! Ky, shërbëtori Yt i është nënshtruar dëshirave të njeriut dhe dashurisë për dëshirat e botës së përulur. Bëj që mbrojtja Jote të më mbrojë nga gabimi, frika dhe nderimi për Ty të më mbrojnë nga ekstremizmi. Vërtet, Ti ke rrethuar gjithçka.

O Zot! Shpëtomë nga burgu i katër elementeve dhe më merr mua në anën Tënde, më të gjerën nga të gjitha, dhe në afërsinë Tënde, më fisniken nga të gjitha.

O Zot! Bëje vetë-mjaftueshmërinë që më jep Ti një arsye për të ndërprerë marrëdhëniet e dënueshme midis meje dhe subjekteve tokësore dhe shqetësimeve të botës së krijimit. Bëje urtësinë një shkak për të bashkuar shpirtin tim me botën hyjnore dhe shpirtërat qiellorë.

O Zot! Ringjalle shpirtin tim me Shpirtin Fisnik, ndikoje intelektin tim dhe shqisat e mia me urtësi supreme, dhe bëji engjëjt shokët e mi dhe jo botën e natyrës.

O Zot! Më jep udhëzime, lidhe besimin tim me vetëdijen dhe frikën ndaj Teje, dhe më bëj të qëndrueshëm ndaj dashurisë për botën.

O Zot! Më jep forcë kundër dëshirave kalimtare, merre shpirtin tim në banesën e shpirtrave të qëndrueshëm, dhe bëje atë një anëtar të substancave të larta dhe fisnike në xhenetet sublime.”

Filozofi e lavdëron Zotin për bukurinë dhe madhështinë e Tij të plotë, dhe e lartëson mëshirën e Tij të pafund për dhënien e ekzistencës të gjitha qenieve, duke përfshirë edhe njerëzit. Të gjitha qeniet e lavdërojnë Zotin, por njerëzit dështojnë në të kuptuarin e kësaj lutjeje kozmologjike. Ajo kërkon mjete më të larta epistemologjike me të cilat mund të shohim dhe të vlerësojmë atë që nuk e zbulon veten në shikimin e parë. Ajo i bën thirrje syrit të zemrës për ta parë:

“Unë të lavdëroj Ty, o Ai që i paraprin të gjitha qenieve që flasin gjuhën e stacionit shpirtëror. Ti i jep secilës qenie atë që i takon nga urtësia, dhe u jep atyre ekzistencën si një mëshirë duke pasur parasysh mos-ekzistencën e tyre. Të gjitha esencat dhe rastësitë meritojnë hijeshinë Tënde dhe lavdërojnë virtytet e bekimeve Tua. E nuk ka asnjë send që nuk e madhëron Atë, duke i shprehur falënderim Atij, por ju nuk e kuptoni (mënyrën e tyre) të madhërimit. (Kur’an, Isra 44).

O Zot! Unë të lavdëroj Ty. Ti je Ai, i Vetmi dhe i Përjetshmi, As s’ka lindur kë, as nuk është i lindur.
Dhe Atij askush nuk i është i barabartë. (Kur’an, Ikhlas 3-4)
.”

Pjesa e fundit e lutjes së El-Farabit është ndoshta më e forta, pasi ai i lutet Zotit për të pastruar shpirtin e tij, për ta mbrojtur nga gabimi dhe për ta çuar te e vërteta. Lutja është aq e thjeshtë sa edhe e fuqishme:

“O Zot! Ti e ke burgosur shpirtin tim në burgun e katër elementeve, dhe ke ngarkuar detyrën e ndarjes së tij nga kafshët grabitqare të mbushura me dëshira trupore.

O Zot! Rinovoje atë me dëlirësi, ki mëshirë për të në një mënyrë që të shkon Ty. Ndihmoje atë me një zemërgjerësi që vjen prej Teje në mënyrën më të përshtatshme. Jepi atij pendimin që i takon botës hyjnore. Ngute atë për t’u kthyer në stacionin e tij fisnik. Hidh mbi errësirën e tij një rreze dielli nga Intelekti Aktiv. Largoje atë nga errësira e injorancës për në dritën e diturisë dhe shkëlqimin e intelektit. All-llahu është mbrojtës i atyre që besuan, i nxjerr ata nga errësira në dritë (Kur’an, Bekare 257).”

Pa marrë parasysh se sa i zgjuar dhe i talentuar është një person, ai ka nevojë për udhëzim hyjnor për t’i rezistuar tundimeve të trupit. Vetëm arsyeja nuk është e mjaftueshme; ai ka nevojë për një vullnet të fortë për integritet moral dhe përsosje shpirtërore. Kështu e përfundon Al-Farabi lutjen e tij supreme:

“O Zot! Tregoi shpirtit tim format e vërteta të së padukshmes në ëndrrat e tij, dhe largoje atë nga shikimi i ëndrrave të këqija në shikimin e mirësisë dhe të myzhdes së vërtetë në ëndrrat e tij. Pastroje atë nga papastërtitë që kanë prekur shqisat e tij dhe nga imagjinata e kotë. Hiq nga ai baltën e botës natyrore. Vendose atë në botën e shpirtrave fisnikë zbritës.

O Zot që më ke udhëzuar (në rrugën e drejtë), që më ke plotësur, që më ke strehuar!

Falënderimi i takon vetëm Zotit, paqja dhe bekimet qofshin për (Profetin Muhamed), pas së cilit nuk ka profet.”

Amin! / Gazeta Impakt

Burimi: Daily Sabah

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne