Maas: Gjermania dëshiron t’i përmirësojë lidhjet me Turqinë

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, ka deklaruar se Gjermania dëshiron t’i përmirësojë marrëdhëniet me Turqinë dhe të rrisë bashkëpunimin për çështje me interes të përbashkët.

“Gjermania ka një interes strategjik në riorganizimin e marrëdhënieve tona me Turqinë në një mënyrë konstruktive. Turqia nuk është vetëm një fqinj i madh për ne, por gjithashtu është një partner i rëndësishëm i Gjermanisë”, tha ai në një deklaratë.

Gjatë ditës së sotme në Ankara, Maas është planifikuar të takohet me homologun e tij turk, Mevlüt Çavuşoğlu dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Gjatë dy viteve të fundit, marrëdhëniet politike midis Ankarasë dhe Berlinit kanë pësuar pengesa, por muajt e fundit të dyja palët kanë ndërmarrë hapa drejt përmirësimit të lidhjeve.

Udhëtimi i ministrit Maas në Turqi realizohet para vizitës kyçe të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, në Berlin më 28-29 shtator.

Gjermania me peshë të rëndësishme në Bashkimin Evropian (BE) mbetet partneri kryesor ekonomik dhe tregtar i Turqisë, pavarësisht mosmarrëveshjeve politike midis dy qeverive për disa çështje.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne