Maduro thirrje Papa Françeskut për ndihmë kundër “kërcënimit ushtarak” të SHBA-ve

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, deklaroi të martën se Qeveria e tij përgatit masa kundër bllokadës eventuale ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Venezuela është qendër e një fushate të madhe globale të shpifjeve. Për fat të keq, momentalisht jemi në pikën më të ulët të marrëdhënieve me Qeverinë e SHBA-ve. Them për fat të keq, sepse propozimi im, i bazuar në dialogun e qytetëruar, ka qenë të kemi marrëdhënie të respektit me presidentin Donald Trump”, deklaroi Maduro duke u drejtuar gazetarëve në pallatin presidencial.

Maduro i bëri thirrje Papës Françeskut që ta mbështes kundër “kërcënimit ushtarak” të SHBA-ve, në momentin kur trysnia ndërkombëtare rritet për shkak të krizës së madhe politike me të cilën përballet Venezuela gjatë muajve të fundit.

“Le të na ndihmojë Papa që ta parandalojmë Trumpin në dërgimin e trupave në Venezuelë. Lus Papën që të na ndihmojë kundër kërcënimit ushtarak të SHBA-ve”, tha Maduro.

Presidenti amerikan, Donald Trump, më parë shprehu shqetësime për shkak të krizës gjithnjë më të madhe humanitare në Venezuelë, për shkak të cilës nuk përjashton mundësinë e intervenimit ushtarak si përgjigje.

Administrata e Trumpit tashmë ka vendosur sanksione kundër presidentit të Venezuelës dhe shumë zyrtarëve të dikurshëm dhe të tanishëm të këtij shteti të Amerikës së Jugut, pasi erdhi deri te represioni mbi liderët e opozitës.

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se ka refuzuar kërkesën e Maduros që të bisedojë me Trumpin nën arsyetimin se fillimisht duhet që në Venezuelë “të kthehet demokracia”.

Venezuela ka rezervat më të mëdha të naftës në botë dhe është furnizuesi i tretë më i madh i naftës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vendi hasi në “krizë vdekjeprurëse” politike dhe ekonomike, meqë çmimet e ulta të naftës detyruan Qeverinë që të ulë ose tërësisht të heq programet sociale./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne