Mahathir: Nuk mendoj se unë jam një lider më i keq se Trump

Kryeministri i Malajzisë, Mahathir Mohammad, në lidhje me një sondazh të fundit sipas të cilit mbështetja e popullit ndaj qeverisë është në rënie, tha se sse, “Nuk mendoj se unë jam një lider më i keq se Trump”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mahathir ka bërë një vlerësim për mediat në lidhje me performancën e qeverisë për vitin e parë në pushtet të koalicionit Aleanca Shpresës (PH) e udhëhequr nga vetë ai.

Mahathir deklaroi se suksesi më i madh i qeverisë në një vit është lufta kundër korrupsionit dhe theksoi se “Sot njerëzit nuk ankohen më për korrupsionin. Askush nuk kërkon dikujt që të paguajë para ose të paguajë më shumë për të bërë një punë ekstra. Çështjet zyrtare miratohen më shpejt”.

Në lidhje me rënien ekonomike që po përjeton vendi, pasi ka vënë në dukje se ende po përpiqen të zgjidhin problemet e shkaktuara nga qeveria e mëparshme, Mahathir tha se “Ata morën miliarda kredi, i ndëshkuan njerëzit që nuk i mbështetën duke i hequr nga punët e tyre. Ne kurrë nuk kemi bërë diçka të tillë”.

Rreth pyetjes për rënien e mbështetjes së popullit ndaj qeverisë dhe ndaj tij, sipas një sondazhi të fundit, lideri malajzian ka theksuar se, “Nuk mendoj se unë jam një lider më i keq se Trump. Në të njëjtën mënyrë nuk mendoj se jam një lider më i keq se liderët britanikë, francezë apo spanjollë. Në krahasim me ata performanca ime është më e mirë”.

Duke bërë të ditur se e ndjen veten akoma të fortë pavarësisht moshës që përparon, Mahathir tha se “Shumica e njerëzve që janë 93 vjeç nuk janë në gjendje të mendojnë, por unë ende mund t’iu përgjigjem pyetjeve tuaja këtu”.

Më tej Mahathir ka nënvizuar se nuk ka ndërmend që të qëndrojë në pushtet pas vitit 2020, dhe ka ripërsëritur premtimin e tij se në vitin e dytë të detyrës së tij si kryeministër postin do t‘ia lëshojë kryetarit të përgjithshëm të Partisë Drejtësia e Popullit, Enver Ibrahim./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne