Manifesti i terroristit të krishterë zbulon obsesionin e supremacisë së bardhë që ka për muslimanët

nga Michael Koziol.

Dosieri i përpiluar nga vetë personi i vetë-përshkruar si terrorist që vrau besimtarët muslimanë në Christchurch të Zelandës së Re, zbulon një obsesion ndaj Islamit të mbushur plot me thirrje për tu ngritur kundër Islamit dhe muslimanëve.

Terroristi i krishterë, që e identifikon veten si Brenton Tarrant, një 28 vjeçar i lindur në Australi, e përshkruan vendin e tij të lindjes si dicka më shumë se një bastion të Evropës me prirje apatike ndaj politikës.

Kryeministri Scott Morrison konfirmoi se një australian ishte arrestuar në Zelandën e Re dhe tha se ishte informuar shkurtimisht për manifestin dhe e përshkroi atë një vepër me bazë urrejtjeje,

Përgjatë 74 faqeve të dokumentit përmbledhës duken kundërshtimet që i bëhen emigracionit dhe multikulturalizmit, dhe vihet re edhe dëshpërimi ndaj rënies së kulturës së bardhë në Europën Perëndimore.

Megjithëse ai i është referuar shumë herë Australisë, në dokumentin e zbuluar ka shumë pak sugjerime që shpjegojne se veprimi i tij ekstrem ka pasur lidhje dhe eksperiencë të drejtpërdrejtë me vendin e tij ose me politikat e tij.

Sipas mendimit të tij, Australia nuk ka qenë gjë tjetër vetëm se një koloni evropiane dhe thjesht një zgjatim i kolonistëve të saj britanikë si dhe një vend pa ndonjë interes nga ana e tyre.

Fillimisht e ngriti si ide por më vonë e hodhi poshtë se ai mund të ishte radikalizuar nga idetë që i ishin ofruar nga miqtë apo nga të njohurit e tjerë, sepse “ata përreth [meje] kishin qenë australianë tipikë, apatikë dhe në pjesën më të madhe apolitikë, ku motivimi kryesor për ta kishin qenë kryesisht çështjet e lidhura me të drejtat e kafshëve, mjedisi dhe taksat”.

Personi i armatosur nuk u identifikua si australian, pavarësisht se kishte lindur atje. “Origjina e gjuhës sime është evropiane, kultura ime është evropiane, bindjet e mia politike janë evropiane, bindjet e mia filozofike janë evropiane, identiteti im është europian dhe, më e rëndësishmja, gjaku im është evropian”, kishte shkruar ai.

“Çfarë është një australian përvec të qënurit një evropian i dehur? Po bëj shaka. Megjithatë, Australia është një koloni evropiane, veçanërisht një magazinë rezervë e britanikëve dhe në këtë mënyrë edhe një zgjatim i Evropës”.

Tarrant e kishte përshkruar veten si një “etno nacionalist eko-fashist”, ndërsa më parë ishte identifikuar si komunist, anarkist dhe si liberal. Ai kishte shkruar se besonte në “autonominë etnike për të gjithë popujt me një fokusim tek ruajtja e natyrës dhe e rendit natyror”.

Në dosier, ai i kishte bërë një referim edhe përdhunimeve në Sydney në vitin 2000 të njohura si ‘përdhunimet Skaf në grup’. Megjithatë, manifesti i tij tregon se ai ishte i preokupuar me përdhunimet që kishin ndodhur në Angli dhe më së fundi edhe në Gjermani nga jo-evropianët.

Në veçanti, ai i referohej shfrytëzimeve seksuale të rreth 1400 fëmijëve në qytetin verior të Rotherhamit në fund të viteve 1980, 1990 dhe 2000, të bëra kryeshisht nga persona britaniko-pakistanezë.

Së bashku me referencat për Rotherhamin, mbishkrimet në pajimet ushtarake të Tarrant-it flisnin për Alexandre Bissonnette dhe Luca Traini, vrasësa në masë në Kanada dhe Itali.

Ai gjithashtu kishte përfshirë edhe emrat e disa figurave ushtarake serbe, siç ishin Millos Obiliq, një kalorës legjendë i cili është bërë i njohur në Betejën e Kosovës të vitit 1389 kundër pushtimit nga Perandoria Osmane, superfuqisë islame të asaj kohe, betejë në të cilën thuhet se Millosh Obiliqi kishte vrarë Sulltanin Osman.

Tarrant ka bërë edhe një referencë për princin serb Lazar Hrebeljanoviç, të cilit i kishte shërbyer Obiliqi, por që ishte vrarë gjatë Betejës së Kosovës.

Emra të tjerë të shkruar në armët e Tarrantit përfshinin Bajo Pivljanin dhe Novak Vujosevicin. Secili nga ata kishte drejtuar kryengritje kundër osmanëve gjatë periudhave të mëvonshme dhe ishin konsideruan heronj brenda komuniteteve të tyre. Ndërmjet emrave të tyre gjendej edhe emri i gjeneralit malazez Marko Miljanov.

Të shkruar në armët dhe municionet e tij gjendeshin edhe referenca të Betejës së Vjenës të vitit 1683, në të cilën forcat e krishtera mundën osmanët, si dhe një referencë e dukshme e Betejës së Lepantos e vitit 1571 në të cilën Perandoria Osmane pësoi një tjetër humbje.

Në sfondin e videos së sulmit të Tarrantit dëgjohej muzikë. Njëra këngë ishte në gjuhën serbe dhe tjetra në gjermanisht. Kënga serbe i referohej “kasapit të Bosnjes”, Radovan Karaxhiçit, një kriminel i dënuar lufte dhe udhëheqës politik i serbëve të Bosnjes.

“Ujqërit janë duke lëvizur nga Krajina. Fashistë dhe turq, kini kujdes. Karaxhiçi udhëheq serbët dhe le të shohin se ata nuk i frikësohen askujt”, thotë teksti i kengës.

Akoma nuk është bërë e qartë nëse Tarranti ishte i përfshirë me grupet neo-naziste të së djathtës ekstreme në Australi. Sidoqoftë, imazhet e profilit të tij në Twitter, tashmë të mbyllur, kanë ngjashmëri të dukshme me ato të përdorura nga një grup i ekstremit të djathtë dhe anti-emigracion i quajtur The Dingoes.

Në shkrimin e tij, Tarrant i bënte jehonë pikëpamjeve të shprehura nga Anders Breivik, terroristi norvegjez i ekstremit të djathtë i cili masakroi 77 vetë në një sulm me armë dhe bomba në Norvegji në vitin 2011.

Në mënyrë specifike ai e përmendte Breivikun me emër dhe pretendonte se kishte patur një “kontakt të shkurtër” me vrasësin masiv, si dhe kishte marrë një “bekim” për veprimet e tij nga bashkëpunëtorët e Breivikut.

Dosieri i tij vlerësonte gjithashtu Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe e konsideronte atë një simbol të identitetit të bardhë të rinovuar që kishte qëllime të përbashkëta.

Z. Morrison konfirmoi se personi ishte një qytetar australian dhe e përshkroi atë si një terrorist ekstremist të dhunshëm të së djathtës. Ai tha se ishte informuar shkurtimisht edhe për dosierin.

“Është punë e urrejtjes. Nuk kam ndonjë mënyrë tjetër për ta përshkruar atë”, tha ai. “Ajo që lind nga urrejtja nuk është asnjëherë e mirë.”

burimi: smh/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne