Ministri gjerman për Europën, Michael Roth ka komentuar për ‘Deutsche Welle’ përgjimet e publikuara nga ‘Zëri i Amerikës’ dhe ‘Birn’ për blerjet e votave me ndihmë të krimit të organizuar, veçanërisht në Durrës. I pyetur se si do të ndikojë kjo çështje në imazhin e Shqipërisë përpara Bashkimit Evropian dhe çfarë mund të Tirana për të përmirësuar imazhin e dëmtuar deri në muajin qershor, kur merret vendimi për negociatat, Roth ka kërkuar ndjekje penale dhe ndëshkime.

Ai theksoi se këto manipulime që tani të dënueshme dhe se zgjedhjet e lira janë themeli i çdo demokracie të vërtetë.

“Zbatimi i reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR-it është i rëndësishëm për të forcuar sistemin zgjedhor e bashkë me të edhe demokracinë në Shqipëri.  Ne e kemi  mbështetur intensivisht përgatitjen e propozimeve konkrete për reformën zgjedhore – prandaj presim që kjo reformë të miratohet në Kuvend dhe të zbatohet me shpejtësi.  Këtu pritet që të luajë një rol të veçantë edhe opozita, e sidomos Partia Demokratike, pasi qeveria nuk e ka shumicën e mjaftueshme të votave për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Natyrisht, shkeljet e të drejtës së votës, të cilat qysh tani janë të dënueshme, duhet të ndiqen penalisht dhe të ndëshkohen. Zgjedhjet e lira, të barabarta dhe të fshehta janë themeli i çdo demokracie të vërtetë”, ka deklaruar ministri gjerman i Shtetit.

Sa i përket protestës së opozitës shqiptare, e planifikuar më 16 shkurt, Michael Roth deklaroi: “Sigurisht që dëshiroj që protestat e paralajmëruara të jenë paqësore dhe të mos kthehen në dhunë. Demonstratat paqësore janë legjitime dhe liria e tubimit është një shtyllë e rëndësishme e kulturës së politikës demokratike. Si student edhe unë kam marrë pjesë në demonstrata. Por vendi qendror i debatit politik midis qeverisë dhe opozitës është parlamenti shqiptar dhe jo rruga. Kjo është arsyeja pse i bëj thirrje opozitës: Shqipëria ende ka detyra të mëdha përpara, të cilat kërkojnë një bashkëpunim të të gjitha forcave politike.”

23