Manja: Në kolaps opozita, jo sistemi i Drejtësisë

Nuk ka kolapsim të sistemit të Drejtësisë prej mosvotimit të ndryshimeve në ligjin e Magjistraturës, pasi Kushtetuta dhe ligjet e kanë parashikuar këtë.

Kreu i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja në një prononcim për median theksoi sot se, opozita është bërë pishman që votoi reformën në Drejtësi, duke u shprehur se mazhoranca nuk i ka 84 votat për ligjin e magjistraturës.

“Nuk na pengon asgjë ta shohim njëri-tjetrin në sy në sallën e Parlamentit dhe të komunikojmë drejt për së drejti me opinionin publik për të thënë disa të vërteta për reformën në Drejtësi dhe zbatimin e saj se kam përshtypjen se procesi i reformës në Drejtësi nuk është kuptuar sa dhe si duhet nga opozita. Teoria e kolapsimit të reformës në sistemin e Drejtësisë nuk është teori juridike. Unë gjykoj dhe me aq informacion sa kam unë nuk jemi në rastin e kolaps të reformës në Drejtësi por kolapsim të opozitës”, tha Manja.

“Që nga dia e parë të nesërmen e votës për ndryshimet kushtetuese opozita është bërë pishman për reformën në drejtësi. Tani na dalin profetë që thonë e kishim parashikuar kolapsin e reformës në Drejtësi. Tani që qytetarët kanë parë rezultatet e para të Vetingut që është cunami më i madh në sistemin e korruptuar të drejtësisë nuk ka më asgjë që e ndryshon këtë gjë”, tha deputeti socialist Manja.

“Qytetarët kishin 27 vite që i thoshin politikës nuk po marrim Drejtësi. Jo thoshte politika. Tani që gjyqtarët po i nënshtrohen Vetingut, opozita duhet të dalë përpara qytetarëve shqiptarë dhe të kërkojë falje se në duart e kujt e ka lënë sistemin e Drejtësisë”, u shpreh Manja.

Manja tha se KLGJ dhe KLP janë në krijim e sipër. Hapat e Vetingut janë të përcaktuara në Kushtetutë, vijoi ai, duke thënë se kandidatët për KED që u shkarkuan nga Vetingu, do të zëvendësohen me short, siç e përcakton Kushtetuta.

Burimi: ATSH/Gjergji Mima

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne