Maputo, “qyteti beton” i kolonialistëve portugezë

Veprat arkitekturore në qytetin Maputo të Mozambikut ende bartin gjurmët e kolonizatorëve portugezë, shkruan Anadolu Agency (AA).

Maputo, qytet në të cilin sot jetojnë rreth 2.5 milionë banorë, në vitin 1898 ishte kryeqyteti i periudhës kolonialiste.

Qyteti dikur bartte emrin e tregtarit portugez Lourenço Marques, i cili erdhi në Gjirin e Maputos në shekullin XVI, kurse pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1975, qyteti mori emrin nga lumi Maputo.

Edhe pse aktualisht në katër anët e qytetit janë ndërtuar ndërtesa të larta, aty ende gjenden gjurmët e kolonialistëve portugezë, të cilët braktisën vendin pas pavarësimit.

Popullata e vendit sot ende përdor ndërtesat administrative të ndërtuara nga portugezët, stacionet e trenave dhe pazaret. Në qytet mund të rastisen ndërtesa me arkitekturë të dalluar, siç është “Shtëpia e Hekurt” e projektuar nga Gustave Eiffel.

Kolonialistët portugezë, të cilët kanë qëndruar në qendrën e qytetit të cilin e quanin “qyteti beton”, kishin ndaluar popullatën lokale të ndërtonte shtëpi prej tullash dhe hekuri, duke e detyruar atë të jetonte në baraka.

Nga ana tjetër, ideologjia marksiste e Frontit Çlirimtar të Mozambikut (FRELIMO), i cili i priu luftës për pavarësi dhe i cili ende është në pushtet, mund të vërehet tek emrat e rrugëve dhe rrugicave të qytetit. Emrat e shumë prijësve komunistë, siç janë Karl Marksi, Vladimir Lenini dhe Mao Ce Duni, mbahen të gjallë në shumë rrugë.

Sheshi i Pavarësisë, i rrethuar me objekte portugeze

Në krye të vendeve ku më së shumti ndihet arkitektura kolonialiste në Maputo është Sheshi i Pavarësisë. Në afërsi gjenden ndërtesa e ish-administratës portugeze, kishë, qendër zbavitjeje, park dhe objekte të tjera, të cilat tregojnë se qyteti i kolonizatorëve është ndërtuar vetëm për të bardhët.

Në mes të sheshit ndodhet shtatorja e prijësit të Luftës për Pavarësi dhe presidenti i parë i Mozambikut, Samora Machel, në vendin e të cilit dikur gjendej shtatorja e drejtuesit kolonialist Joaquim Albuquerque.

Menjëherë prapa sheshit ndodhet ish-ndërtesa administrative e kolonialistëve portugezë, e cila sot përdoret si ndërtesë e Bashkisë së Mozambikut. E ndërtuar në vitin 1947, ajo edhe sot konsiderohet si ndërtesa më madhështore të qytetit.

Po aty, në afërsi të shtatores, gjendet edhe Katedralja e Bardhë Katolike, themelet e së cilës ishin hedhur në vitin 1944 dhe e cila ishte ndërtuar për të krishterët evropianë të cilët vinin dendurazi në qytet.

Shtëpia prej hekuri e Eiffelit

Një nga objektet më interesante arkitekturore të qytetit është Shtëpia e Hekurt, e projektuar nga Gustave Eiffel, arkitekti i Kullës së Eiffelit në Paris dhe Statujës së Lirisë në New York. Quhet kështu për arsye se çdo pjesë e saj është ndërtuar duke përdorur hekur.

Ende nuk dihet se pse shtëpia është ndërtuar prej hekuri, duke marrë parasysh klimën e ngrohtë në këtë vend. Në vitin 1892, kur ndërtimet e saj përfunduan, ndërtesa përdorej si gjykatë dhe kolegj, kurse aktualisht shërben për Agjencinë Nacionale të Trashigimsë Kulturore në këtë shtet.

Kopshti Jardim Tunduro

Kopshti Jardim Tunduro, e ndërtuar në vitin 1885 si Kopshti Vasco da Gama, është projektuar nga arkitekti britanik Thomas Honney.

Në kopshtin me sipërfaqe prej 64 mijë metrash katrorë gjenden bimë dhe pemë të ndryshme, si nga Afrika, ashtu edhe nga bota.

Krahas shëtitjeve dhe pikniqeve, popullata lokale e përdor atë edhe për organizimin e dasmave.

Kalaja e Maputos

Kalaja e Maputos, një nga ndërtesat më të vjetra të qytetit që tani është shndërruar në muze, është ndërtuar në fund të shekullit XVIII.

Kalaja ishte ndërtuar për të mbrojtur qytetin nga sulmet që vijnë nga oqeani. Krahas pikturave dhe figurave që rrëfejnë persekutimin dhe torturat e kolonialistëve portugezë ndaj popullit vendas, në kala ekspozohen edhe armë dhe municione që i përkasin asaj periudhe.

Stacioni i Trenave

Stacioni i Trenave në Maputo, ndërtimi i të cilit përfundoi në vitin 1920, në revistën Amerikan Time në vitin 2016 ishte treguar si stacioni i tretë më i bukur i trenave në botë.

I projektuar nga inxhinieri Alfrede Augusto de Lima, stacioni edhe sot transporton pasagjerë, por edhe rrëfen historinë e këtij objekti përmes muzeut që gjendet brenda.

Ndërkaq, pazari në të cilin banorët lokalë blejnë pemë dhe prodhime artizanale, njihet si Pazari Qendror. Pazari është i ndërtuar me arkitekturë angleze në vitin 1903.

Largimi i kolonizatorëve nga vendi

Lufta e Mozambikut për pavarësi që filloi në vitin 1962, rezultoi më shpalljen e pavarësisë më 25 qershor të vitit 1975.

Një nga vendimet e marra pas pavarësimit të vendit, ishte që të gjithë portugezët në vend brenda 24 orëve ta braktisnin vendin duke marrë me vete bagazh prej vetëm 20 kilogramësh.

Pas këtij vendimi që në histori njihet si “urdhri 24/20”, dhjetëra mijëra portugezë braktisën Mozambikun. Thuhet se vetëm një vit pas pavarësisë, numri i atyre që braktisën vendin shkoi në 250 mijë.

Ndërkaq, shtëpitë e portugezëve iu dhuruan popullatës së varfër dhe drejtuesve të vendit.

Sot, shumica e shtëpive portugeze rrënohen, në vend të rinovimit ndërsa vendin e tyre e zënë ndërtesa moderne./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne