Maqedoni, VMRO-DPMNE kundërshton ligjin për gjuhën shqipe

VMRO-DPMNE është shprehur kundër projektligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në mbledhjen e Komisionit për Çështje Evropiane në Maqedoni. Ndërsa sipas BDI, ky ligj përmbledh realizimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Projektligji për përdorimin e gjuhës shqipe ka nxitur polemika të ashpra mes pushtetit dhe opozitës në seancën e Komisionit për Çështje Evropiane në Maqedoni. Deputetët e VMRO-DPMNE-së insistuan që ky ligj të mos miratohet me shenjën europiane pasi sipas tyre përmbajtja e këtij propozimi nuk bazohet në asnjë akt të Bashkimin Europian.
Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE: “Nuk është sjellje e përgjegjshme. Ndoshta e keni me ngut për shkak të zgjedhjeve lokale, sepse ky ligj është vetëm për shkak të zgjedhjeve lokale. Nuk është as për interesin e qytetarëve e as për asgjë tjetër. Ky ligj është vetëm në interes të dy tri partive politike. Por nëse doni zgjidhje reale të problemeve duhet t’i respektoni procedurat. Procedurat nënkuptojnë të hiqet flamuri i Bashkimit Europian nga ligji”.
Kryetari i Komisionit për Çështje Europiane, Artan Grubi tha se ky projektligj përmbledhë realizimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe siguron barazi e kohezion shoqëror.

Artan Grubi, Kryetar i Komisionit për Çështjet Europiane: “Të gjithë deputetët nga të gjitha partitë politike, pozitë dhe opozitë, jemi të vetëdijshëm se ligji që kemi para nesh do të përmbledhë pjesën legjislative që buron nga Marrëveshja e Ohrit dhe që në asnjë mënyrë të vetme nuk e cenon as Kushtetutën e vendit e as karakterin unitar të shtetit”.
Ndërsa deputeti I VMRO-DPMNE Antonio Milloshovski tha se Marrëveshja e Ohrit nuk parashikonte shtet dygjuhësor. Ai shtoi më tej se me këtë ligj diskriminohen bashkësitë tjera etnike. Por deputeti I BDI-së Xhevat Ademi, një nga bashkë-autorët e projektligjit tha se të njëjtin projektligj e kishte pranuar edhe VMRO-DPMNE para se BDI të bënte koalicion me LSDM. Debati për gjuhën shqipe në Komisionin për Çështje Europiane do të vazhdojë deri ditën e enjte, për të vijuar më pas në seancën plenare. Me projektligjin për përdorimin e gjuhëve kërkoohet zgjerimi i përdorimit të gjuhës shqipe në nivel kombëtar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne