Maqedoni, votohet vendimi për referendumin për emrin më 30 shtator

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë pasditen e sotme me 68 vota “pro”, si dhe asnjë “kundër” dhe “të përmbajtur”, ka marrë vendim që më 30 shtator të këtij viti të mbahet referendumi për emrin, i cili do të jetë konsultativ.

Kreu i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, deklaroi se pyetja në referendum do të jetë “A jeni për në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë”.

Në votim nuk ishin të pranishëm deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare, të cilët lëshuan sallën e Kuvendit pasi deputeti i tyre Nikolla Micevski e shpalosi qëndrimin partiak se pyetja e referendumit është e pa precizuar, e shumëkuptimshme dhe manipuluese për qytetarët.

Më herët para votimit të vendimit për referendumin, grupi parlamentar i deputetëve të VMRO-DPMNE-së parashtruan dy amendamente për Propozim vendimin për shpalljen e referendumit, por nuk morën pjesë kur u vendosën në rend dite dhe kur u refuzuan në votim.

Vendimi për shpalljen e referendumit u votua me shumicë nga numri i përgjithshëm i deputetëve, përkatësisht 68 nga gjithsej 120 deputetë të Kuvendit të Maqedonisë.

Përveç opozitës maqedonase e cila kundërshtoi referendumin, edhe Aleanca për Shqiptarët theksoi se referendumi nuk është i nevojshëm. Kreu i kësaj partie, Ziadin Sela, gjatë debatit mbi referendumin, tha se do të votojnë “të përbajtur”, si dhe theksoi se me marrëveshjen me shtetin fqinj eliminohen popujt tjerë dhe se shqipja nuk qëndron si gjuhë zyrtare.

Për bojkot të mundshëm të referendumit nga ana e opozitës maqedonase, para fillimit të seancës, sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev, tha se do të vendosin organet më të larta të partisë dhe publiku do të njoftohet.

Referendumi është pjesë e Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut, që paraqet kushtin kryesor për anëtarësim në NATO dhe çelje të negociatave me Bashkimin Evropian (BE).

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne