Koordinatori nacional për menaxhimin e kufijve të Maqedonisë, Vladimir Pivovarov dhe koordinatori nacional për menaxhimin e kufijve të Kosovës, Isa Xhemalaj, nënshkruan një memorandum për bashkëpunim në fushën e menaxhimit të integruar të kufijve mes dy vendeve.

Ky memorandum i nënshkruar do të mundësojë këmbim më të shpejtë të informatave, të cilat do të mundësojnë qarkullim më të shpejtë të udhëtarëve dhe mallrave në kalimet kufitare ndërsa do të ndihmojnë luftën kundër korrupsionit dhe terrorizmit.

Koordinatori nacional për menaxhimin e kufijve të Maqedonisë, Pivovarov, tha se zbatimi i kësaj marrëveshjeje, pritet të lehtësojë vështirësitë të cilat i hasin qytetarët e dy vendeve gjatë kalimit të kufirit, sidomos afaristët gjatë transportit të mallit në të dyja drejtimet.

“Ndonëse kjo marrëveshje po nënshkruhet sot, ne tashmë kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me kolegët nga Kosova, të cilën e dëshmuam gjatë verës që shkoi, kur u përballëm me probleme teknike në anën kosovare, por falë policisë dhe doganave të të dyja vendeve ky problem u tejkalua duke mos shkaktuar vonesa”, tha Pivovarov i cili tha se shpreson që vitin e ardhshëm me kolegun kosovar sërish të bëhen bashkë për të folur mbi rezultatet e zbatimit të memorandumit.

Koordinatori nacional për menaxhimin e kufijve të Kosovës, Isa Xhemalaj, nga ana e tij tha se bashkëpunimi i nënshkruar sot, do të avancojë luftën kundër krimit të organizuar, por njëkohësisht do t’i afrojë qytetarët më pranë njëri tjetrit.

“Shumë shpejtë qytetarët nga Prishtina dhe Shkupi do të jenë më afër sepse tash në Kosovë është në përfundim autostrada nga kufiri deri në Prishtinë, me shpresë që edhe Maqedonia do ta bëjë pjesën e saj”, tha ai.

Kujtojmë se të martën Qeveria e Maqedonisë miratoi nevojën për menaxhim të përbashkët të kufirit me Serbinë, për çka Pivovarov tha se qëllimi është të fillohet me Serbinë dhe Shqipërinë, gjë të cilën e mbështeti me faktin se ekonomitë e Ballkanit, në nivel vjetor humbin rreth një miliard dollarë nga qarkullimi i dobët i mallrave.

Burimi: AA

6