Maqedonia e Veriut i refuzoi azilin, al-Bolooki drejt Evropës

Pasi shtetases nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Hind Mohammed al-Bolooki iu refuzua azili në Maqedoninë e Veriut ajo braktisi vendin dhe udhëtoi për në Evropë. Ajo kishte kërkuar azil, për shkak se siç ka thënë, kërcënimeve serioze për jetën e saj vetëm pse ka kërkuar divorc nga burri i saj, raporton Anadolu Agency.

Informacionin se al-Bolooki e ka lënë vendin për AA e konfirmoi në një deklaratë me shkrim Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

“Sipas nenit 79, paragrafit 1 të Ligjit për mbrojtje të përkohshme ndërkombëtare dhe të afatit ligjor, më datë 13.02.2019 H.M.A. përmes përfaqësuesit të saj ligjor paraqiti njoftimin se dëshiron të largohet vullnetarisht nga vendi, që iu mundësua dhe e njëjta më datë 15.02.2019 braktisi Qendrën e pranimit për të huajt dhe vullnetarisht u largua nga vendi përmes kalimit kufitar ‘Aeroporti ndërkombëtar – Shkup’”, tha Ministria e Punëve të Brendshme.

Sipas informacionit të siguruar nga AA, al-Bolooki nga Shkupi udhëtoi për në Berlin të Gjermanisë.

Al-Bolooki, nënë e 4 fëmijëve nga Dubai i Emirateve të Bashkuara Arabe, në tetor të vitit 2018 kërkoi azil në Maqedoninë e Veriut. Ajo thotë se për shkak se kërkoi divorc nga burri i saj po përballet me përndjekje nga familja dhe se kërcënohet me vrasje.

Sektori për azil në MPB të Maqedonisë së Veriut ka refuzuar kërkesën për azil. Si shpjegim për këtë vendim, thuhet se nuk ka bazë për të besuar se al-Bolooki është e përndjekur dhe se nuk ka arsye të besohet se nëse ajo kthehet në Emiratet e Bashkuara Arabe do të përballet me rrezik real për t’iu nënshtruar lëndimeve të rënda.

Më 7 dhjetor të vitit të kaluar, Sektori për azil po ashtu kërkoi për të kufizuar lirinë e saj të lëvizjes, prandaj dhe nga dhjetori i vitit të kaluar ajo ishte vendosur në Qendrën e pranimit për të huajt në Gazi Babë të Shkupit.

MPB-ja vlerësoi se e nevojshme është t’i shqiptohet masa për kufizimin e lëvizjes për mbrojtjen e rendit publik dhe sigurisë kombëtare brenda tre muajve nga data e dorëzimit të vendimit.

Asaj i është thënë se deri më 19 shkurt vullnetarisht të largohet nga Maqedonia e Veriut, ndërsa në ndërkohë do të mbetet e mbyllur në Gazi Babë. Nëse nuk do të largohej nga Maqedonia e Veriut, ajo duhej të deportohej në Dubai.

Po ashtu, Gjykata Administrative dhe Gjykata e Lartë e vendit vendosën të refuzojnë kërkesën për azil të al-Bolooki.

Në artikujt e mediave lokale, al-Bolooki njoftoi se më 11 shkurt Gjykata e Strasburgut miratoi një masë të përkohshme me të cilën kërkohet nga autoritetet që ta lirojnë nga paraburgimi dhe të presë në liri vendimin përfundimtar për azil.

Sipas këtij informacioni, aktivistët e të drejtave të njeriut që punonin në rastin al-Bolooki në mediat sociale njoftuan se ajo ka udhëtuar për në Evropë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne