Maqedonia ftohet zyrtarisht për bisedime nga NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka shfrytëzuar konferencën e parë për shtyp në fund të ditës së parë të bisedimeve në Samitin e vendeve të aleancës së Atlantikut të Veriut, për të zyrtarizuar ftesën në drejtim të Maqedonisë për nisjen e bisedimeve për negociatat e anëtarësimit të vendit ballkanik.

Kjo është ajo që parashikohej të ndodhte, pasi në draft konkluzionet e samitit të NATO-s shkruhej se Maqedonia do të merrte këtë të mërkurë ftesën për anëtarësim, pas përmbylljes së të gjitha procedurave të ditës së parë të takimit.

“Në vitin 2008 kemi vendosur që NATO t’i japë ftesë Maqedonisë për hyrjen në NATO, pasi të gjendej një zgjidhje e përbashkët për emrin, pas ngërçit me Greqinë, bazuar në kornizat e OKB-së. E përshëndesim marrëveshjen historike mes Athinës dhe Shkupit për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Në pajtueshmëri me politikën tonë kemi vendosur që ta ftojmë qeverinë në Shkup të fillojë bisedimet me aleancën. Të bëhet implementimi i plotë i të gjitha procedurave në lidhje me marrëveshjen për çështjen e emrit, gjë që është edhe kusht për plotësimin e procesit hyrës”,- thuhej në draft konkluzionet.

Konkluzionet përshëndesnin gjithashtu edhe marrëveshjen me Bullgarinë.

“I përshëndesim përpjekjet e qeverisë në vitin e fundit dhe progresin e rëndësishëm që kanë arritur për disa reforma të caktuara prioritare dhe inkurajojmë për reforma plotësuese që të përforcohet kontributi drejt aleancës”, thuhet në to.

NATO përshëndeti gjithashtu përpjekjet për ndërtimin e shoqërisë shumetnike dhe bëri thirrje që të vazhdohen përpjekjet plotësisht në këtë fushë.

Stoltenberg përshëndeti në emër të aleancës edhe kontributin e Maqedonisë në misionet e saj dhe sigurinë ndërkombëtare.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne