Maqedonia përfitoi më së shumti nga vendosja e taksës ndaj mallrave të Serbisë

Në Kosovë, importi i mallrave nga vendet e CEFTA-s gjatë muajit shkurt të këtij viti ka rënë për 33.8 për qind, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2018.
Nga 38 milionë e 764 mijë e 684 euro, sa ishte në shkurt të vitit të kaluar, importi nga këto vende ka rënë në 25 milionë e 661 mijë e 407 euro gjatë shkurtit të këtij viti.
Maqedonia veriore ka përfituar më së shumti nga vendosja e taksës ndaj mallrave të Serbisë. Importi i mallrave nga ky vend fqinj është rritur dukshëm, krahasuar me të njëtin muaj të vitit të kaluar.
Bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës, rënia e importeve nga vendet e CEFTA-s ka ndikuar që të ketë rritje të importit nga vendet e Bashkimit Evropian. Vlera e importit nga vendet e BE-së arrin vlerën rreth 100 milionë apo 55 për qind më shumë se në shkurt të viti 2018. Gjermania, Sllovenia, Italia dhe Bullgaria janë shtetet nga të cilat Kosova importon më së shumti.
Shkak i rënies së importit nga vendet e CEFTA-s është vendosja e taksës prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe nga Bosnjë-Hercegovina, në nëntor të vitit të kaluar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Për dallim nga importi, eksporti me vendet e CEFTA-s ka shënuar rritje për 23 për qind. Nga 8 milionë e 296 mijë e 11 euro, sa ishte në shkurt të 2018-s, eksporti është rritur në 10 milionë e 211 mijë e 487 euro apo gati 2 milionë euro më shumë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne