Markelov: Transmetimi i gazit në projektin “Rrjedha Turke” do të fillojë më 31 dhjetor

Vitaly Markelov, ndihmëspresident i Bordit Ekzekutiv të gjigandit rus të energjisë “Gazprom”, deklaroi të martën se gazi i parë në projektin “Rrjedha Turke” do të transmetohet më datë 31 dhjetor.

Duke folur për gazetarët në Shën-Petërburg, Markelov bëri me dije se në Turqi ka përfunduar 73 për qind e ndërtimit të pjesës tokësore të gazsjellësit “Rrjedha Turke”.

“Etapa detare dhe ruse e projektit ka përfunduar. Transmetimi i gazit të parë në projekt planifikohet të fillojë më 31 dhjetor”, tha ai duke potencuar se presin që në muajin nëntor të përfundojë edhe ndërtimi i etapës tokësore të projektit “Rrjedha Turke” në Turqi.

Markelov bëri vlerësime edhe në lidhje me projektet eksploruese të Gazprom-it.

“Këtë vit synojmë të veçojmë 1,2 miliardë dollarë për eksplorimet dhe 1,1 miliardë dollarë nga kjo shumë do të përdoren për aktivitetet eksploruese në Rusi”, sqaroi ndihmëspresident i Bordit Ekzekutiv të gjigandit rus të energjisë.

Gazsjellësi ““Rrjedha Turke” ka një gjatësi totale prej 1.100 km. Ai formohet nga dy linja paralele të ndara dhe e para prej tyre, kapaciteti i së cilës është 15,75 miliardë m3 gaz natyror në vit, pritet të plotësojë nevojën e Turqisë për energji. Ndërsa linja e dytë, me kapacitet të barabartë me të parën, planifikohet të shtrihet drejt Evropës në një fazë të ardhshme. Kështu, me anë të projektit “Rrjedha Turke” parashikohet që të transmetohen në total 31,5 miliardë m3 gaz natyror në vit./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne