Marrëdhëniet Arabi Saudite – Katar; A është pushtimi i Katarit hapi i ardhshëm?

Kreu i një instituti politikash tha për Sputnik se Arabia Saudite i kishte prerë lidhjet diplomatike me Katarin në përgatitje për një pushtim të plotë të vendit fqinj.

Vendimi i Arabisë Saudite për të prerë të gjitha lidhjet me shtetin e Gjirit Persik të Katarit mund të jetë një prelud për të pushtuar emiratin e vogël dhe të pasur dhe për të konfiskuar pasurinë e tij, tha kreu i Institutit për Çështjet e Gjirit, Profesor Ali al-Ahmed për Sputnik.

“Unë parashikoj pushtimin e Katarit … kam marrë raporte për lëvizjet ushtarake saudite pranë kufirit të Katarit,” tha të hënën el-Ahmed. “Sauditët: po përgatiten.”

Al-Ahmed paralajmëroi se një pushtim i plotë i Katarit mund të ndodhte shumë më shpejt se ç’do të kishte parashikuar.

“Shikoni frekuencën e shpërthimeve në Jemen … Një shenjë kyçe do të ishte një ndërprerje apo reduktim i madh i numrit të sulmeve ajrore saudite që po zhvillohen kundër forcave rebele në Jemen. Kjo do të tregonte se sauditët po i masin forcat e tyre për një veprim të papritur kundër Katarit në vend të kësaj,” tha al-Ahmed.

Presidenti Donald Tramp dhe Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, i cili ka pasur lidhje të ngushta me familjen mbretërore saudite gjatë 15 viteve të tij si Kryetar dhe CEO i Exxon, do e mbështesnin në mënyrë të heshtur pushtimin saudit të Katarit, pohoi al-Ahmed.

“E them me siguri të plotë që Trampi u ka thënë tashmë sauditëve se ai nuk do të ketë asnjë kundërshtim”, tha ai.

Nëse sauditët pushtojnë Katarin, ata gjithashtu do të mbështeteshin fuqishëm nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, veçanërisht nga Mbretëria e Bahreinit që strehon Flotën e Pestë të SHBA-së në Gjirin Persik, tha Ahmed.

“Sauditët janë shumë të zemëruar me Katarin … Sauditët nuk do të lejojnë kurrë që Jemeni të arrijë pavarësinë … Bahreini e urren Katarin,” vuri në dukje ai.

Udhëheqësit e Arabisë Saudite ishin të vendosur ta bënin Katarin një satelit të nënshtruar të Rijadit dhe në varësi servile si qeveria aktuale në Jemen, shpjegoi al-Ahmed.

“Sauditët kanë dy synime: së pari, të krijojnë me Katarin një marrëdhënie të nënshtruar, që është e krahasueshme me punën e skllavit. Së dyti, sauditët po i kushtojnë vëmendje rezervave masive të të hollave të Katarit,” tha ai.

Udhëheqja aktuale e Saudisë po kthehej në parimet e plaçkitjes dhe piraterisë me të cilën babai i kombit, Mbreti Abdelaziz ibn Saud krijoi Mbretërinë e Shkretëtirës më shumë se një shekull më parë, vuri në dukje al-Ahmed.

“Arabia Saudite ishte një shtet i bazuar në parimin e vjedhjeve dhe plaçkitjeve. Ja çfarë ishin fillimisht Al-Saudët: Ata ishin grabitës dhe plaçkitës të shkretëtirës. A​ata ishin piratë të shkretëtirës. Dhe tani ata kanë nevojë të madhe për para,” tha ai.

Presidenti Donald Tramp ua kishte bërë të qartë Sauditëve se ai priste që ata të paguanin shuma shumë më të mëdha drejtpërdrejt dhe indirekt për Shtetet e Bashkuara për të financuar mbrojtjen e tyre, duke rritur barrën fiskale në Rijad, shtoi Ahmed.

“Sauditët kanë nevojë për të holla nga të gjitha anët. Tani Trampi u ka bërë kërkesa të reja financiare: Atyre do u mbarojnë paratë. Me gjithë këto angazhime ata janë të dëshpëruar për infuzione të reja parash”, tha ai.

Sauditët mbesin të vendosur për të pasur një udhëheqje në Katar që është krejtësisht e nënshtruar ndaj tyre, përfundoi Ahmed. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne