Trupi i liderëve, ministrave dhe personaliteteve evropiane që morën pjesë në inaugurimin e presidentit iranian Hassan Rouhani fundjavën e kaluar, ishte një goditje mahnitëse ndaj Uashingtonit. Ishte gjithashtu një sinjal i qartë se SHBA-ja po humbet kontrollin e saj mbi Evropën.

Mendoni për këtë. Sipas Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Kongresit Amerikan, Irani është sponsori më i madh shtetëror i terrorizmit. Dhe megjithatë ne pamë udhëheqësit evropianë që morën pjesë me respekt në betimin e presidentit të rizgjedhur të vendit. Një kontradiktë mjaft e madhe, apo jo?

Federica Mogherini, diplomatja më e lartë e BE-së, u shoqërua në ceremoninë presidenciale të Iranit nga Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian dhe Ministri i Shtetit Gjerman, Michael Roth. Gjithashtu morën pjesë ministra dhe personalitete nga Austria, Britania, Danimarka, Italia dhe Hollanda, si dhe shumë vende të tjera jo-evropiane.

Pra, çfarë është e gjithë kjo histori amerikane që Irani është një shtet mashtrues, një shkaktar i terrorizmit global? Prania e zyrtarëve evropianë – dhe mungesa e atyre amerikanë – gjatë inaugurimit të Presidentit Rouhani ishte një demonstrim spektakolar i mosmarrëveshjes dhe mohimit të politikës amerikane.

Vetëm pak javë më parë, në maj, ndërsa Presidenti Trump ishte në vizitën e tij të parë zyrtare jashtë shtetit në Arabinë Saudite, ai u bëri thirrje të gjitha kombeve të botës që të bojkotojnë Iranin. Trumpi u tha krerëve arabë të mbledhur më pas: “Të gjitha kombet me ndërgjegje duhet të punojnë së bashku për të izoluar Iranin”, duke akuzuar Republikën Islamike për kërcënimin e sigurisë së Lindjes së Mesme.

Me sa duket, vendet evropiane e kanë injoruar Trumpin dhe karikaturën e tij të tmerrshme të Iranit.

Në të vërtetë, që nga nënshkrimi i marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore ndërmjet Iranit dhe gjashtë fuqive të tjera botërore (SHBA, Rusi, Kinë, Britani, Francë dhe Gjermani) në korrik të vitit 2015, qeveritë dhe bizneset evropiane kanë qenë shumë pranë Teheranit për të nënshkruar mbi ndërmarrje të reja të përbashkëta dhe marrëveshje investimesh.

Marrëveshja bërthamore – e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA) – ka hequr sanksionet ndërkombëtare kundër Iranit në këmbim të respektimit nga ky i fundit të kufizimeve të programit bërthamor për të penguar armatimin. Gjashtë rishikimet e kryera nga mbikqyrësi i Kombeve të Bashkuara dhe Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, kanë verifikuar që Irani është në përputhje të plotë me pjesën e tij të marrëveshjes së JCPOA.

Evropianët duken më shumë se të lumtur për këtë. Federica Mogherini, shefja e çështjeve të jashtme të BE-së, është një avokate e madhe e marrëveshjes bërthamore, duke e shpallur atë një sukses dhe një burim stabiliteti rajonal. Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammed Javad Zarif u prit me ngrohtësi në Bruksel në qershor kur raportoi nëpërmjet Twitter-it: “Takim i shkëlqyeshëm me udhëheqësit në Berlin, Romë dhe Paris. Pavarësisht armiqësisë së pamatur të Shteteve të Bashkuara, BE-ja është e përkushtuar ndaj JCPOA-s dhe angazhimit konstruktiv.”

Investitorët evropianë janë grumbulluar rregullisht për të rrëmbyer një pjesë të tregut iranian prej rreth 80 milionë banorësh, dhe burimin e dytë dhe të katërt më të madh të gazit natyror dhe të naftës.

Këtë javë, dy ditë pas inaugurimit të Rouhanit, kompania franceze Renault nënshkroi marrëveshjen “më të madhe ndonjëherë” me Iranin me vlerë 660 milionë euro, ku do të prodhojë 150,000 automjete në vit në partneritet me dy firma iraniane.

Vitin e kaluar, kompania franceze PSA, prodhuesi i Peugeot dhe Citroen, njoftoi një investim të ngjashëm në Iran, me vlerë 400 milionë euro.

Kulmi për investimet evropiano-iraniane erdhi muajin e kaluar kur Total i Francës nënshkroi një projekt 20-vjeçar prej gati 5 miliardë eurosh me firmat iraniane dhe kineze për të zhvilluar fushën me gaz të Iranit në Parsin Jugor në Gjirin Persik, që llogaritet si rezerva më e madhe në botë.

Si Gjermania ashtu edhe Franca kanë parë rritje të eksporteve në Iran që nga zbatimi i marrëveshjes bërthamore. Rritja e Gjermanisë është rreth 26 për qind dhe e Francës gati 50 për qind, sipas shifrave të tregtisë.

Eric Schweitzer i Dhomës gjermane së Tregtisë vlerëson se tregtia dypalëshe e vendit të tij me Iranin do të dyfishohet brenda dy viteve të ardhshme. Duke qenë ekonomia kryesore e Europës, kjo do të thotë një marrëdhënie në rritje mes BE-së dhe Iranit.

Bëri bujë kur Mogherini tha muajin e kaluar që JCPOA “nuk i përket asnjë vendi”, kur u takua me Ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov në Bruksel. Ky ishte një njoftim i fshehur për SHBA-në se evropianët synojnë të zbatojnë marrëveshjen bërthamore me ose pa amerikanët. Rusia dhe Kina, natyrisht, janë në rregull me marrëveshjen. Të dyja kanë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme të energjisë me Iranin gjatë vitit të kaluar.

Përkundrazi, Uashingtoni ka sinjalizuar se mund ta prishë JCPOA-n. Presidenti Trump ka lëvizur pa dëshirë me marrëveshjen, e cila u negociua nën administrimin e mëparshëm të Obamës. Megjithatë, Trumpi e ka lënë anash sekretarin e tij të shtetit, Rex Tillerson, një ish-CEO të naftës, dhe po përpiqet të shfuqizojë pajtueshmërinë amerikane.

Një kthesë e tillë do të kishte implikime ligjore pasi JCPOA është një traktat i detyrueshëm ndërkombëtar i konfirmuar nga Kombet e Bashkuara. Ajo që Shtëpia e Bardhë e Trumpit do të kërkojë të bëjë është ose të ngrejë akuza se Irani është në kundërshtim me marrëveshjen duke testuar raketa balistike, ose të përpiqet të antagonizojë Iranin që të hedhë poshtë JCPOA-n duke e goditur Republikën Islamike me sanksione të tjera dypalëshe. Javën e kaluar, Trumpi nënshkroi në ligj sanksione të reja që synonin Iranin, si dhe Rusinë dhe Korenë e Veriut.

Këto “sanksione dytësore” – të cilat në mënyrë nominale nuk janë të lidhura me marrëveshjen bërthamore – gjithashtu do të synojnë potencialisht bankat dhe industritë evropiane mbi investimet në Iran.

Kështu, ndërkohë që bizneset dhe qeveritë evropiane kanë të drejtë ligjore të bashkëpunojnë me Iranin për shkak të kushteve të JCPOA-s, Uashingtoni po kërkon të vendosë pengesa në bazë të sanksioneve të tij dypalëshe bazuar në dyshime të lidhjeve iraniane me terrorizmin ose zhvillimin e paligjshëm të raketave balistike.

Kjo i bën jehonë të njëjtave pasoja për Evropën lidhur me sanksionet e reja amerikane të vendosura ndaj Rusisë, mbi projektet e saj të shpërndarjes së gazit natyror në kontinent. Firmat energjetike britanike, franceze, gjermane dhe austriake kërcënohen me dënime amerikane për shkak të partneritetit të tyre me Gazprom të Rusisë në ndërtimin e tubacionit Rrjedha e Veriut-2.

Përgjigjja e Evropës ndaj këtyre sanksioneve amerikane ka qenë e zemëruar, duke dënuar politikën e Uashingtonit si ndërhyrje të hapur në sigurinë energjetike të saj.

Irani është një tjetër rast flagrant, ku interesat ekonomike dhe politike evropiane po diktohen nga Uashingtoni.

Sidoqoftë, gjithnjë e më shumë, duket se evropianët po e kuptojnë përmes përvojës së hidhur se Uashingtoni nuk po vepron nga ndonjë “unitet transatlantik” dashamirës, ​​por përkundrazi, për interesat e veta bazë dhe egoiste strategjike.

Qoftë marrëveshja klimaterike e Parisit, marrëveshja bërthamore iraniane apo sanksionet për furnizimin me energji ruse, evropianët janë në një udhëtim të zbulimit politik, në të cilin ata do ta kuptojnë plotësisht se partneriteti i tyre strategjik me SHBA-në është, në fakt, një përgjegjësi e madhe.

Siç raportoi Deutsche Ëelle më herët këtë muaj: “Evropa dhe SHBA-ja (janë) në një rrjedhë përplasjeje lidhur me marrëveshjen bërthamore të Iranit”.

Evropa duhet të largohet nga mendimi i dyfishtë i ndjekjes së sanksioneve amerikane kundër Iranit dhe Rusisë, ndërkohë që po ndëshkohet nga Uashingtoni pothuajse në çdo kthesë.

Ndërsa amerikanët thonë shkëlqyeshëm: “Nuk ka gjëra të tilla si aleatët, ka vetëm interesa”. Sigurisht që Evropa duhet të merret me interesat e veta dhe t’i harrojë aleatët fiktivë.

Jo vetëm që “aleati” amerikan është fiktiv, por ai është gjithashtu shkatërrues dhe i rrezikshëm për të qenë përreth.

Finian Cunningham

/ © Gazeta Impakt

23