Marrëdhëniet e rëndësishme me shtetin mik

Në qoftë se një ditë Shqipëria do të mbetej me vetëm një mik në botë në një botë lufte të ashpër interesash, atëherë ky mik do të ishte Turqia. Ky është një pohim që merr në konsideratë historinë e vendit, pozicionin gjeografik dhe shumë elementë që kanë rol bazik në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Shkruan: Fitim ZEKTHI, Tiranë

Pavarësisht një konsensusi të sipërfaqshëm, që merret për i mirëqenë pa u thelluar, se Shqipëria sot ka miq në Ballkan, ka miq në Europë dhe ka miq në botë, në të vërtetë miqtë janë shumë të paktë, për të mos thënë se nuk ekzistojnë fare.

Në marrëdhëniet mes njerëzve ekzistojnë tri lloje miqësish. Aristoteli flet për tre lloje miqësish: miqësia e interesit, ku secili individ kërkon të përfitojë nga marrëdhënia dhe arsyeja e vetmja pse kjo marrëdhënie ekziston është përfitimi; miqësia e kënaqësisë, në të cilën individët marrin kënaqësi, ndjehen mirë – kjo miqësi gjithashtu ekziston vetëm për kënaqësinë që përftohet aty; dhe miqësia e përsosur, në të cilën individët janë aty për shkak të mirësisë, altruzimit, dashurisë për njëri-tjetrin – ty nuk ka interesa personale.

Edhe në marrëdhëniet ndërkombëtar, si në ato njerëzore, do të duhet të ekzistonin parimisht të tria llojet e miqësive, por për shkak të kompleksitetit të shteteve ose kombeve, për shkak të interesave të ndryshme të secilit, për shkak pamundësisë për të gjetur në një kohë të caktuar dy shtete ose dy kombe që të përkufizohen nga të njëjtat vlera dhe parime, duket se ekziston vetëm miqësia për interes. Teoricienët e marrëdhënieve ndërkombëtare janë të gjithë të të njëjtit mendim se kjo është e vetmja formë e miqësisë, që ekziston në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Duke qenë kështu, shqiptarët kanë vuajtur shumë në historinë e tyre të re. Duke qenë një popull me një gjuhë të ndryshme ose krejt të ndryshme nga latinët, sllavët ose anglo-gjermanikët, shqiptarët nuk kanë mundur të kenë shumë interesa të drejtpërdrejta të përbashkëta me këta popuj. Edhe fakti që shqiptarët janë në shumicë të besimit mysliman, në një kohë që fqinjët dhe vendet e Europës janë ose kanë qenë të krishtera, e ka bërë më të vështirë sesa për shumë popuj të tjerë që të ketë interesa të përbashkëta me fqinjët dhe vendet e Europës. Për pasojë, trojet e shqiptarëve janë ndarë pa u pasur parasysh interesi shqiptar. Fqinjët, sidomos serbët dhe grekët, gjithnjë kanë dashur të marrin troje shqiptare ose edhe të mos ketë fare Shqipëri. Ndërsa, vendet e perëndimit kanë qenë gjithnjë shumë më pranë Greqisë dhe Serbisë. Sot ka një situatë të re, edhe pse Serbia mbetet ende një vend me pretendime të papranueshme ndaj shqiptarëve, ndërsa Greqia është shumë më miqësore. Vendet e tjera, si Italia, Turqia, Bullgaria, Rumania, mund të thuhet se nuk kanë sot asnjë interes që e dëmton Shqipërinë, ndonëse edhe kjo është relative, për shkak të raportit që ka secili nga këto vende me Serbinë ose me vendet e tjera. Kështu, për shembull, ndonëse Rumania nuk ka ndonjë interes që i dëmton shqiptarët, ajo nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, sepse ka miqësi me Serbinë, por edhe për shkak të problemeve të brendshme. Për ta qartësuar më mirë natyrë ne marrëdhënieve mes shteteve dhe kombeve po shohim se cilat janë principet që sundojnë në këto marrëdhënie.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare mbizotërojnë tri teori kryesore: realizmi, liberalizmi dhe konstruktivizmi. Të tria teoritë e konsiderojnë arenën ndërkombëtare një sistem anarkik dhe për këtë ka një dakordësi të gjithanshme. Realistët besojnë se, në një sistem anarkik, qëllimi i vetëm i shtetit është të sigurojë mbijetesën (të maksimizojë fuqinë, dhe mbrojtjen). “Gjërat duhet të shihen siç janë dhe jo siç duam ne që ato të jenë.” Kjo do të thotë se secili mjet është i justifikuar. Ndër të parët mendimtarë të kësaj qasjeje është Tukididi dhe, më pas, kemi Hobbes, Morgenthau etj. Mbrojtësit e liberalizmit besojnë se shteti nuk është i vetmi aktor në marrëdhëniet ndërkombëtare, madje aktori më i rëndësishëm janë organizatat ndërkombëtare, të cilat mundësojnë bashkëpunimin midis shteteve. Locke dhe Kant janë ndër themeluesit e kësaj mënyre të menduari. Çdo shtet ka interes të bashkëpunojë, sepse fiton më shumë nga ky bashkëpunim. Shtetet duhet të sillen në politikë të jashtme sipas parimeve që duan të ndjekin në politikë të brendshme, pra të mbrojnë vlera të tilla, si: drejtësia, lufta ndaj varfërisë, demokracia etj. Konstruktivistët, me një qasje jokonvencionale, besojnë se anarkinë e bëjnë vetë shtetet. Autorë si Wendt, Katzenstein, Onuf etj., thonë se realiteti ndërkombëtar është konstruksion social, prandaj ata fokusohen më shumë te studimi i identitetit, ligjërimit, medias, elitave, sesa tek fuqia ushtarake ose ekonomike.

Asnjëra nga qasjet nuk e kundërshto njëra-tjetrën në kuptimin që të asgjësojë njëra-tjetrën, por ato më së shumti janë kënde të ndryshme të shpjegimit ose të ndërtimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Tek secila qasje vihet re se sundon interesi vetjak i shtetit ose i kombit dhe secila qasje përpiqet të ndërtojë një metodologji të mbrojtjes së këtij interesi. Shqipëria, edhe për shkak se është vend i vogël dhe me mundësi të kufizuara të fuqizimit të interesit të saj, do të duhet të jetë fleksibël në qasjen ndaj marrëdhënieve me shtete e tjera. Në qoftë se një ditë Shqipëria do të mbetej me vetëm një mik në botë në një botë lufte të ashpër interesash, atëherë ky mik do të ishte Turqia. Ky është një pohim që merr në konsideratë historinë e vendit, pozicionin gjeografik dhe shumë elementë që kanë rol bazik në marrëdhëniet ndërkombëtare. Duhet të kemi parasysh që Turqia, në marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk i mbron interesat e Shqipërisë, por të sajt. Duhet ta kemi parasysh se interesat e Turqisë janë interesa që nuk ka pse ta kërkojnë fundin e Shqipërisë. Mbijetesa e Shqipërisë në një botë anarkike, sipas qasjes realiste, vetëm se ndihmohet nga marrëdhëniet e ngushta me Turqinë. Turqia është një vend që do të ketë gjithnjë një rol në Ballkan, është një vend i madh; sot është një vend që po zhvillohet me shpejtësi. Në këto kushte, Turqia duhet të shihet nga shqiptarët si mik, marrëdhënia e ngushtë me të cilin çon përpara interesat e tyre.

Marrëdhëniet mes dy vendeve ose mes shumë vendeve bëhen shumë më të natyrshme dhe interesat e secilit mbrohen më mirë kur ato vende janë të ngjashme ose kanë përbashkësi të mëdha. Kjo do të ishte një situatë e admirueshme për gjithkënd dhe kjo është arsyeja pse qasja liberale flet për marrëdhënie të ndërtuara mbi parime si drejtësia ose lufta ndaj varfërisë, demokracia ose lufta ndaj racizmit, të cilat duhet të qeverisin fillimisht jetën e brendshme të shteteve dhe, më pas, të udhëheqin marrëdhëniet mes tyre. Kjo sot në botë ndodh pak. Edhe brenda klubeve të mëdha ose aleanca të mëdha, si BE dhe NATO, ka debate të ndezura për shkak se shtetet nuk i ndjekin të njëjtat parime dhe nuk e kanë të njëjtin koncept mbi drejtësinë, demokracinë ose luftën ndaj varfërisë etj. Dihen debatet me Hungarinë, Poloninë, Britaninë, që doli fare nga BE-ja, Greqinë e zhytur në borxhe, që mezi pranon ose nuk pranon të paguajë, SHBA-të, që kërkon nga Europa ta paguajë pjesën e saj në NATO etj.

Në këtë kuptim, pra, kur qasja sunduese në botë është ajo realiste, për shqiptarët qasja liberliste do të ishte e tepërt. Ata duhet të udhëhiqen nga qasja realiste. Bota duhet të shihet siç është dhe jo siç duam ne që ajo të jetë. Turqia është një vend i fuqishëm, që kërkon të ketë gjithnjë e më shumë një rol më të rëndësishëm në Ballkan dhe në botë, është një vend, interesat e të cilit nuk synojnë t’i dëmtojnë interesat e Shqipërisë. Përkundrazi, interesat e Shqipërisë shtyhen më shumë përpara.

Sot ka një debat të madh në botë, por edhe rreth nesh, mbi atë çfarë përfaqëson qeveria turke, Presidenti Erdogan dhe politika e tyre. Liberalët, e majta, komunistët etj., e cilësojnë atë si një autokrat. Edhe partitë e djathta në Europë, ndonëse në terma shumë më të butë, e cilësojnë atë një autokrat. Flitet kudo për burgosje gazetarësh, për lirime nga puna, për burgosje kundërshtarësh etj. Gjithë kjo klimë ka prodhuar një kompleks tek shumë njerëz ose subjekte në lidhje me qëndrimin ndaj Turqisë dhe qeverisë turke. Sikurse e thamë, shqiptarët duhet të shohin tek Turqia një vend të fuqishëm, i cili edhe në kushtet më të këqija të botës do të ishte ndër miqtë e fundit. Pra, shqiptarët nuk duhet të nisen shumë se cili e drejton Turqinë, sepse – fundja – marrëdhëniet janë me Turqinë. Në rastin e Presidentit Erdogan, shqiptarët nuk mund të përvetësojnë qëndrime vendesh, grupesh ose interesash, të cilat duke e parë Erdoganin si një problem për interesat e tyre, e etiketojnë atë si autokrat apo diktator. Në Europë, për shembull, qeveria britanike nuk e quan Erdoganin autokrat dhe qëndrimi i saj ka qenë gjithnjë krejt tjetër nga ai i Holandës ose i Gjermanisë, të cilat – të përballura edhe me problemin në rritje të forcave të tyre ksenofobe – nuk mund ta mbajnë qëndrimin që e mbajnë britanikët, sepse në Gjermani dhe në Holandë banojnë miliona shtetas me origjinë turke. Gjithashtu qenia e Erdoganit autokrat ose diktator nuk është një gjë që vendoset nga shtypi liberal ose majtist në Perëndim. Që një lider ose një qeveri të jetë diktaturë, duhet që pushteti të mos ndërrohet me zgjedhje (pra, zgjedhjet të manipulohen), duhet që konkurrenca në ekonomi të mos ekzistojë, duhet që liria e medias, e shprehjes, të mos ekzistojnë, duhet që gjykatat të jenë në dorën e qeverisë etj. Ndërkaq, është e qartë se në Turqi nuk ekziston kjo gjendje, me gjithë problemet që mund te ketë. Por, gjendja në Turqi nuk ka qenë më e mirë: gjykatat nuk kanë qenë më të lira, konkurrenca në ekonomi jo e jo më e mirë para qeverisjes së Erdoganit. Por, atëherë shtypi nuk i mbante këto qëndrime.

Mbajtja e qëndrimeve të duhura ose shikimi i gjërave siç janë është në të mirë të marrëdhënieve të shqiptarëve, sepse nesër koniuktura mund të ndryshojë dhe vendet që sot flasin për Erdoganin si diktator mund të kenë qëndrime të tjera. Jemi në marrëdhënie ndërkombëtare të përvijuara nga realizmi. Në fakt, Gjermania e ka ndryshuar ambasadorin dhe po mban qëndrime të tjera, si edhe SHBA-të dhe Presidenti Trump.

Një problem duhet zgjidhur në marrëdhëniet me Turqinë. Myslimanët shqiptarë nuk duhet ta shohin qeverinë ose Presidentin Erdogan si mysliman që kërkon të çojë përpara çështjen e Islamit. Myslimanët shqiptarë, si edhe të krishterët shqiptarë, duhet ta shohin Presidentin Erdogan si president të Turqisë, një vend mik, interesat e të cilit i ndihmojnë interesat tona. Ai është një politikan dhe duhet parë si i tillë. Besimi i tij fetar mund ta bëjë atë një politikan më të mirë, por politikat e tij dhe interesat që ai i mbron janë politike. Forcat politike konservatore, të djathta mes shqiptarëve, kanë arsye të ndjehen më mirë me një politikan të djathtë si Erdogani. Kjo, megjithatë, nuk do të thotë se ai duhet përdorur kundër forcave të majta. Këta janë gjëra që nuk përzihen dhe nuk duhet të përzihen. Në momentin që qeveria e një vendi ose Presidenti i një vendi, në rastin tonë Turqia, do të shihet si më afër një grupi politik, fetar ose kulturor dhe do të synohet të përdoret ndaj grupeve të tjera fetare, politike ose kulturore, atëherë marrëdhëniet mes dy vendeve kanë mbaruar. Do të ishte fatkeqësi që myslimanët ose të djathtët ta shihnin Erdoganin si presidentin e tyre, që do t’u jepte sukses në debate e brendshme. Erdogani dhe Turqia duhet parë, siç i shohin shqiptarët SHBA-të dhe Presidentin Bush, Obama ose Trump. Kjo është realiste, e leverdishme dhe e ndershme./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne