Në shkrimin e kaluar ju dhamë informacione mbi hyrjen e shqiptarëve nën sovranitetin osman. Kurse në këtë artikull do të trajtojmë temën “përse e pranuan shqiptarët myslimanizmin?”

Elementët e Shtetit Osman grupohen sipas parimit të origjinës fetare dhe sektare, por pa bërë dallime racore. Këta elementë emërtohen në “mysliman”, “i krishterë” dhe “çifut” sipas feve që ata u përkasin. Këto komunitete fetare quhen ‘milet’, që në arabisht do të thotë fe dhe sekt fetar. Turqit, arabët dhe shqiptarët, të cilët përbëjnë klasën dominuese dhe drejtuese në Shtetin Osman emërtohen si “milete myslimane” (popuj myslimanë). Ndërsa të tjerët që mbeten emërtohen “mileti grek”, “mileti armen” dhe “mileti çifut”. Grekët dhe bullgarët nëse janë ortodoksë pranohen si pjesëtarë të “miletit rum (grek)”, kurse armenët pranohen pjesëtarë të mileteve të ndryshme në varësi të përkatësisë së tyre fetare, protestane apo katolike. Jo-myslimanët që janë pjesëtarë të këtyre komuniteteve, të cilët njëherësh pranohen të gjithë shtetas osmanë, u nënshtrohen normave e rregullave të ndryshme në fushat e të drejtës private dhe publike. Në fushën e të drejtës private ata u nënshtrohen normave të jetesës sociale të besimit dhe komunitetit me të cilin ata janë të lidhur dhe i përkasin, ndërsa në fushën e të drejtës publike kjo kategori i nënshtrohet normave që nuk u takojnë shtetasve myslimanë[1]. Pas këtyre informacioneve të përgjithshme mund të kalojmë tani në procesin e pranimit të myslimanizmit nga shqiptarët.

Sipas disa historianëve para se të hynin nën sovranitetin osman tek shqiptarët nuk rastiset në një strukturë organizative të kishës dhe kjo ndërlidhet me marrëdhënien elastike të shqiptarëve me fenë. Madje në këtë periudhë nuk kemi një Ungjill të shkruar në gjuhën shqipe. Priftërinjtë katolikë shqiptarë janë të varur nga Roma, kurse peshkopët ortodoksë janë të varur nga Stambolli. Kur të vijmë në shekullin e 14-të katolikët në kishë mësimin dhe meshat i bëjnë në latinisht, kurse ortodoksët në gjuhën greke[2]. Megjithëse lidhjet e shqiptarëve me fenë janë elastike, pjesa e vendit që mbetet ndërmjet veriut dhe jugut të Shqipërisë është si të thuash një zonë konflikti ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve. Presionet e grekëve nga jugu dhe të serbëve nga veriu për asimilimin e shqiptarëve vijnë duke u rritur dhe kthehen në dhunë. Shteti Osman kur ngadhënjen Shqipërinë nuk prek gjuhën, zakonet, traditat, doket dhe besimet fetare të shqiptarëve. Madje Shteti Osman lejon që bejlerët shqiptarë të gëzojnë një pjesë të të drejtave dhe privilegjeve që kanë pasur më parë[3]. Kështu bashkë me sovranitetin osman shqiptarët njihen me tolerancën fetare dhe sistemin e pronësisë së osmanlinjve[4].

Pas hyrjes nën sovranitetin osman djemtë e derebejve shqiptarë fillojnë e përgatiten në Shtetin Osman si myslimanë dhe me disiplinën e sarajit. Pastaj këta emërohen në detyra e funksione të rëndësishme në ushtri dhe administratën e prandorisë. Një situatë e tillë fillimisht ndikon në konvertimin me shpejtësi në myslimanë të derebejve shqiptarë[5]. Pas derebejve nisin dhe e pranojnë myslimanizmin edhe shqiptarët që merren me blegtori dhe bujqësi dhe që jetojnë në toka të shumta të drejta dhe në qytete. Për sa i përket arsyeve në pranimin e myslimanizmit nga shqiptarët ato që dalin më shumë në plan të parë janë kërkesat e tyre për të shpëtuar nga xhizja (taksë që paguhej nga shtetasit jomyslimanë), haraçet e detyrimet e tjera[6]. Vetëm se ekziston edhe një e vërtetë tjetër që në pranimin e myslimanizmit nga disa shqiptarë kanë ndikuar edhe veprimet e gabuara dhe kontradiktore të priftërinjve ndaj popullatës.

Shkurtimisht vihet re se ajo çfarë ka ndikuar tek shqiptarët që të pranojnë myslimanizmin është dëshira e tyre për të zotëruar e gëzuar të drejtat, pozitën dhe prestigjin që kishin turqit, të cilët ishin edhe elementi themelor i perandorisë. Falë kësaj shqiptarët që kishin marrë pjesë në luftëra do të siguronin privilegje si: mundësia për t’u rikthyer në tokën e pronën e tij, të ishin pronarë timaresh duke shpëtuar kështu nga dënimet dhe taksat e rënda[7]. Për arsyet e mësipërme shqiptarët orientohen masivisht drejt myslimanizmit. Po të studiojmë regjistrat osmanë të popullsisë dhe të taksave ndërmjet viteve 1520-1535 del se në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë në veçanti (duke përfshirë këtu edhe pomakët që jetonin në zonën malore të Rodopit) populli e kishte pranuar në mënyrë masive myslimanizmin[8].

Evropianët, pas pranimit të myslimanizmit nga shqiptarët, brenda sistemit osman të miletit shqiptarët myslimanë i emërtojnë si “turq”. Kurse turqit i përmendin shqiptarët si “bij të trevave të largëta të atdheut”. Dhe kështu shqiptarët që pranuan myslimanizmin i hapin rrugën bashkimit të fatit me turqit, një fat i përbashkët ky që do të zgjasë pesë shekuj. Vetëm se shqiptarët ortodoksë dhe katolikë pranohen nga evropianët si pakicë. Madje shqiptarët ortodoksë pranohen si “grekë” dhe lidhen me Patrikanën Greko-Feneriote. Kurse shqiptarët katolikë duke u pranuar si “latinë” pranohen nën protektoratin austro-hungarez[9].

Pas pranimit të myslimanizmit shqiptarët arrijnë të kenë një pozicion të privilegjuar nën sovranitetin turk. Ata ngrihen në pozita të larta në punët e ushtrisë dhe shtetit dhe fillojnë të bashkëdrejtojnë shtetin duke kaluar mjaft mirë me osmanlinjtë. Shqiptarët janë njerëz që e duan pasurinë, respektin, armën, kalin dhe lirinë e pakufizuar. Për shkak edhe të veçorive që kishin shqiptarët si njerëz të guximshëm dhe besnikë, turqit merren vesh shumë lehtë me shqiptarët. Me kalimin e kohës brenda procesit historik Timuri dhe Shah Ismaili duan të krijojnë një ushtri të madhe turk që të përfshijë edhe territoret osmane. Në këtë situatë tek drejtuesit e Shtetit Osman në vend të konceptit “turk” dalin në pah disa elementë myslimanë dhe njëri prej tyre janë shqiptarët. Si konkluzion i kësaj 33 sadrazamë (kryeministra) dhe 52 pasha (gjeneralë) shqiptarë shërbejnë në Portën e Lartë. Përveç kësaj përcaktohet se në Shtetin Osman kanë shërbyer edhe dy Shejhulislamë (shejhulislami është autoriteti më i lartë teologjik e administrativ i fesë islame në Perandorinë Osmane), tetë komandantë të flotës osmane dhe pesë përgjegjës të thesarit të shtetit si dhe vali (guvernatorë e prefektë) e komandantë të panumërt me origjinë shqiptare[10].

Shqiptarët u ngritën në detyra të rëndësishme duke u integruar me Shtetin dhe Administratën Osmane dhe u bënë ortakë të drejtimit të shtetit. Në kundërshtim me pakicat e tjera që ishin pjesë e Shtetit Osman, shqiptarët e ruajtën vetëdijen e tyre kombëtare, por qëndruan larg kërkesave nacionaliste. Për të parë se kur dhe si u kthye në zgjim nacionalist kjo vetëdije kombëtare e ruajtur mirë nga shqiptarët ju ftojmë të na ndiqni në numrin e radhës. (vijon)

U përgatit nga: Dr. Halil Özcan (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Hacettepe” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar Hüseyni.

Burimet dhe literatura kryesore:

ALPAN, Necip P., Kuruluşunun 100. Yıldönümünde Prizren Birliği ve Arnavutlar, Çağdaş Basımevi, Ankara, 1978.

BARTL, Peter, Milli Bağımsızlık Hareketleri Esnâsında Arnavutluk Müslümanları, çeviren Ali Taner, Bedir Yayınları, İstanbul, 1998.

İNALCIK, Halil,”Türkler ve Balkanlar”, Balkanlar,Ortadoğu ve Balkan İncelemeleri Vakfı Yayınları, İstanbul, 1993, s. 9-32.

KARAL, Enver Ziya, Osmanlı Tarihi VI. Cilt: Islahat Fermanı Devri (1856-1861), Türk Tarih Kurumu, Ankara, 2000.

KOLOĞLU, Orhan, Osmanlı’nın Son Balkan Toprağı”, Popüler Tarih Dergisi, sayı 43, Mart 2004, s.42- 47.

ŞIVGIN, Hale, “Arnavutlarda Milli Bilincin Gelişme Süreci,” Türk Dünyaları Araştırmaları, İstanbul, Aralık 2003, s.131-152.

ÇELİK, Bilgin, İttihatçılar ve Arnavutlar: II.Meşrutiyet Döneminde Arnavut Ulusçuluğu ve Arnavutluk Sorunu, Büke Kitapları, İstanbul, 2004.

[1]Gülnihal Bozkurt, Batı Hukuku’nun Türkiye’de Benimsenmesi, TTK, Ankara, 1996, s. 1-9.

[2]Hale Şıvgın, “Arnavutlarda Milli Bilincin Gelişme Süreci,” Türk Dünyaları Araştırmaları, İstanbul, Aralık 2003, s.133-134.

[3]Enver Ziya Karal, Osmanlı Tarihi VI. Cilt: Islahat Fermanı Devri (1856-1861), Türk Tarih Kurumu, Ankara, 2000, s.239.

[4]Necip P. Alpan Kuruluşunun 100. Yıldönümünde Prizren Birliği ve Arnavutlar, Çağdaş Basımevi, Ankara, 1978, s.23.

[5]Peter Bartl, Milli Bağımsızlık Hareketleri Esnâsında Arnavutluk Müslümanları, çeviren Ali Taner, Bedir Yayınları, İstanbul, 1998, s.23-25.

[6]Bartl, a.g.e., s.25-27.

[7]Karal, Osmanlı Tarihi VI. Cilt: Islahat Fermanı Devri (1856-1861), s.239.

[8]Halil İnalcık, ”Türkler ve Balkanlar”, Balkanlar,Ortadoğu ve Balkan İncelemeleri Vakfı Yayınları, İstanbul, 1993, s. 19-22.

[9]Bilgin Çelik, İttihatçılar ve Arnavutlar: II.Meşrutiyet Döneminde Arnavut Ulusçuluğu ve Arnavutluk Sorunu, Büke Kitapları, İstanbul, 2004, s.34.

[10]Orhan Koloğlu, Osmanlı’nın Son Balkan Toprağı”, Popüler Tarih Dergisi, sayı 43, Mart 2004,s. 47.

94