Marrëdhëniet turko-shqiptare në kohën e Ataturkut- pjesa 5

Hapësirat gjeografike kanë veçorinë të përcaktojnë fatet e vendeve. Në programin e kësaj jave do të trajtojmë rëndësinë strategjike që ka gjeografia e Shqipërisë si dhe ndikimin që pa pasur kjo gjeografi nga Çështja e Orientit. Pranimi që i bënë shqiptarët myslimanizmit do të bëhet shkak që ata bashkë me turqit të jenë në shënjestër në kuadër të Çështjes së Orientit. Atëherë le të shikojmë se si është ndikuar pozita gjeografike e Shqipërisë nga Çështja e Orientit.

Çështja e Orientit është tërësia e çështjeve historike e krijuar nga shtetet evropiane me qëllim sigurimin e pavarësimit të popujve të ndryshëm që jetonin brenda administratës osmane duke e futur Shtetin Osman nën influencën dhe varësinë e tyre ekonomike dhe politike[1]. Kjo çështje ka për synim ti nxjerrë turqit fillimisht jashtë Evropës, pastaj nga Ballkani dhe më në fund ti dëbojë ata nga Anadolli dhe ti rikthejë tek hapësirat gjeografike nga kanë ardhur. Shtetet e Evropës, që i vendosin edhe emrin kësaj çështjeje dhe që përpiqen të ndajnë mes tyre trashëgiminë osmane në kuadër të kësaj çështjeje, janë Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria, Gjermania dhe Italia. Brenda kësaj çështjeje Shqipëria zotëron një vend dhe pozicion specifik.

Shqipëria ka një pozitë të privilegjuar si një vend me shumicën e popullsisë myslimane dhe që i ka dhënë një numër të madh zyrtarësh të lartë administratës së Shtetit Osman. Madje Shqipëria pranohej si elementi kryesor më i privilegjuar dhe më i besuar i Shtetit Osman në Ballkan. Për finalizimin me sukses të Çështjes së Orientit Shqipëria u pa si një pjesë gjeografike, me të cilën duhej shkëputur lidhja që kishte me Shtetin Osman. Kjo për faktin se shqiptarët ishin një komunitet nën administrimin e Shtetit Osman dhe që mund të orientoheshin drejt pavarësisë, dhe për faktin tjetër që shumicën e popullsisë e përbënin myslimanët. Si rrjedhim Shqipëria u ndikua në mënyrë të drejtpërdrejt nga politikat që ndiqeshin në lidhje me Çështjen e Orientit. Në kuadër të kësaj çështjeje nga njëra kemi fillimin e trazirave në Shqipëri si pasojë e dobësimit të Shtetit Osman në Evropë dhe Ballkan, ndërsa nga ana tjetër shikojmë që hapësira shqiptare fillon e kërcënohet.

Krahas Çështjes së Orientit ajo që i vendos tokat shqiptare në shënjestër janë edhe pozita gjeografike dhe strategjike e këtij vendi. Pozita gjeografike e Shqipërisë ka një rëndësi strategjike për shkak të lidhjes detare dhe tokësore në Ballkan. Shqipëria nga njëra anë dominon grykën e Detit Adriatik, ndërsa me lidhjen tokësore ajo është në cilësinë e urës kryesore të Ballkanit. Dhe duke u nisur nga ky pozicion strategjik që ka, një shtet që vendoset ose do të fuqizojë influencën e tij në Shqipëri jo vetëm do të zotërojë dhe dominojë detin, por do të jetë në gjendje të sigurojë superioritet edhe në Gadishullin Ballkanik.[2]

Sa të rëndësishme janë në këndvështrimin strategjik ngushticat dhe pozita gjeografike në përcaktimin e fatit të Shtetit të Osman dhe të Turqisë, po aq me ndikim janë në përcaktimin e fatit të Shqipërisë dalja në Adriatik dhe pozita gjeografike e të këtij vendi[3]. Kjo është edhe arsyeja që shqiptarët kanë një rëndësi të veçantë në luftën që bëhej për influencë në Adriatik dhe Ballkan, të cilët aty nga fundi i shekullit të 19-të ishin bërë objekt i një konkurrence të rëndësishme ndërmjet Italisë dhe Austro-Hungarisë e Rusisë. Jemi në një kohë kur konkurrenca ndërmjet Anglisë dhe Gjermanisë është rritur, dhe Anglia mundohet të ketë ndikim mbi shqiptarët përmes Italisë, kurse Gjermania këtë përpiqet ta realizojë nëpërmjet Austro-Hungarisë[4]. Ndërsa Rusia mundohet që ndikimin e saj mbi shqiptarët ta realizojë me anë të politikës së pansllavizmit duke punuar të influencojë mbi sllavët e Ballkanit[5].

Shtetet e mëdha që synonin të shtrinin ndikimin e tyre në një hapësirë të tillë kaq të rëndësishme, edhe pse për një kohë të gjatë nuk arrijnë të gjejnë një themel shoqëror ndërmjet shqiptarëve, përsëri ato nuk heqin dorë dhe nuk mbeten prapa në punimet e përpjekjet e tyre këmbëngulëse. Brenda këtij procesi, megjithëse një pjesë e madhe e shqiptarëve insistojnë që të qëndrojë të varur me Shtetin Osman, disa intelektualë dhe prijës shqiptarë me ndryshimin e kushteve pas Kongresit të Berlinit (1878) orientohen nga Perëndimi për të kërkuar mbështetje dhe bashkëpunim[6]. Pas Traktatit të Berlinit rivalitetit të Shteteve të Mëdha u shtohen edhe politikat ekspansioniste të shteteve ballkanike dhe një situatë e tillë kërcënon hapësirën gjeografike shqiptare[7].

Pasi edhe intelektualët shqiptarë në procesin e Lidhjes së Prizrenit pohojnë se Çështja e Orientit nuk do të mund të zgjidhet pa marrë në konsideratë të ardhmen e Shqipërisë. Në këtë kuadër ata deklarojnë se në qoftë se lejohet ndarja e Shqipërisë nga shtetet fqinje, kjo gjendje nuk do të sjellë paqe dhe se ata do të luftojnë për të mbrojtur tokat e tyre[8].

Tokat objekt rivaliteti në Ballkan dhe Adriatik në këtë periudhë janë toka osmane. Ata që kërkojnë të ndërtojnë superioritet mbi këto toka nxisin popujt e Ballkanit kundër Shtetit Osman. Dhe ata që qëndrojnë prapa kësaj politike ndërkohë që përpiqen të largojnë Osmanët nga Ballkani, njëkohësisht janë në garë me njëri-tjetrin për të dominuar mbi tokat shqiptare.

Për ta bërë më të kuptueshme çështjen e konkurrencës në hapësirën shqiptare do të jetë e dobishme t’u hedhim një vështrim të shkurtër edhe aktivitetit të vendeve të tjera mbi shqiptarët. Italia aty nga vitet 1850 fillon e organizon shqiptarët e quajtur “arbëresh”, të cilët kishin emigruar më herët në Itali, kryesisht në Napoli[9].Për Austro-Hungarinë Shqipëria ka rëndësi jo vetëm për daljen në Adriatik, por edhe në aspektin e politikës së saj “drejt orientit”. Për Austro-Hungarinë Shqipëria dhe Adriatiku kanë të njëjtin kuptim. Shtojmë këtu se Austro-Hungaria mendon se një Shqipëri e fuqishme, që do të krijohej nën hegjemoninë e saj do të përbënte një ekuilibër kundër Serbisë, duke i bërë ballë kështu edhe politikës pansllaviste dhe ekspansionit të Rusisë në Ballkan. Për këtë arsye që nga viti 1856 e mbrapa Austro-Hungaria fillon e ndjek në veri të Shqipërisë, ku jetojnë katolikët (dhe veçanërisht në Shkodër), një aktivitet kulturor dhe ekonomik[10].

Me marrëveshjen sekrete Austri-Rusi të datës 15 janar 1877 dhe me iniciativën e Austrisë përcaktohet mundësia e krijimit të një shteti shqiptar autonom në rast të shpërbërjes së Shtetit Osman. Si shtesë e kësaj në marrëveshjen e Budapestit të firmosur në vitin 1877 ndërmjet Austrisë dhe Rusisë autonomia e Shqipërisë njihet në kontekstin politik. Ndërsa me marrëveshjen tjetër sekrete të nënshkruar në vitin 1897 ndërmjet Austrisë dhe Rusisë parashikohet krijimi i një shteti të pavarur me emrin Principata Shqiptare, në rast se do të ketë ndryshim të statuskuosë në Ballkan. Si pasojë e këtyre politikave edhe gjatë Kongresit të Berlinit Austro-Hungaria mundohet të parandalojë rënien e tokave shqiptarëve në duart e sllavëve[11].

Rusia duke pasur parasysh gjendjen që e ka të vështirë të realizojë politikën e saj të zbritjes në ujërat e nxehta (të Mesdheut) duke kaluar nga ngushticat turke kalon në Ballkan dhe i kërkon këtu rrugët për të zbritur në Mesdhe përmes Detit Egje ose Adriatik. Dhe kjo përbën edhe një nga qëllimet e politikës panortodokse dhe pansllaviste që përdor Rusia në këto vite. Rusia mundohet të kapet diku në Ballkan dhe të ketë ndikim mbi Shqipërinë me qëllim për të zbritur në Adriatik përmes Serbisë dhe Malit të Zi. Sipas Traktatit të Shën Stefanit (sot lagjja Yeşilköy në Stamboll) i nënshkruar pas luftës Osmano-Ruse, Rusia kërkon që një rregullim ligjor të ngjashëm me atë të vitit 1868 për statusin e ishullit të Kretës të hartohet dhe zbatohet edhe për Thesalinë e Shqipërinë dhe e detyron Shtetin Osman që të konsultohet me të (Rusinë) në lidhje me këtë çështje[12].

Në fund të shekullit të 19-të Anglia i propozon Qeverisë Osmane krijimin në Shqipëri të një administrimi të privilegjuar duke bashkuar krahinat e banuara nga shqiptarët dhe që gjendeshin nën administrime të ndryshme. Pas mospranimit të propozimit të saj Anglia fillon të ndjekë politikën e realizimit të një Shqipërie të pavarur duke marrë me vete dhe mbështetur intelektualët shqiptarë[13].

Ashtu si Anglia edhe Franca synonte të krijonte në Mesdhe një perandori të gjerë kolonialiste dhe për ta realizuar këtë ajo mundohet të rrisë dominimin e saj në Evropë dhe Ballkan. Vetëm se rivaliteti i Francës me shtetet e tjera dhe koncesionet ekonomike që gëzonte në Shtetin Osman e shtyjnë këtë vend të afrohet me Portën e Lartë[14].

Në dritën e këtyre informacioneve mund të thuhet se nga politika e Çështjes së Orientit që ndoqën shtetet imperialiste bashkë me Shtetin Osman u prek edhe hapësira gjeografike e Shqipërisë, duke i sjellë kësaj edhe humbje territoresh. (vijon)

U përgatit nga: Dr. Halil Özcan (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Hacettepe” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar Hüseyni.

Burimet dhe literatura kryesore:

ÇELİK, Bilgin “Avusturya’nın Arnavutluk Politikası: Viyana’da Bir Arnavut Cemiyeti: Dia”, Tarih ve Toplum Yeni Yaklaşımlar, Numri:3, pranverë 2006, fq.55-89.

ÇELİK, Bilgin “Balkan Jeopolitiğinde Arnavutlar”http://kisi.deu.edu.tr/bilgin.celik.

KÂNİ, Süleyman İrtem, Osmanlı Devleti’nin Makedonya Meselesi: Balkanların Kördüğümü, Yayına Hazırlayan Osman Selim Kocahanoğlu, Temel Yayınları, İstanbul, 1999.

KARAL, Enver Ziya, Osmanlı Tarihi VI. Cilt: Islahat Fermanı Devri (1856-1861), Türk Tarih Kurumu, Ankara, 2000.

KARAL, Enver Ziya, Osmanlı Tarihi IX. Cilt: İkinci Meşrutiyet ve I. Dünya Savaşı (1908-1918), Türk Tarih Kurumu, Ankara. 1999.

KOLOĞLU, Orhan, “Faik Bey Konitza’nın Arnavutluk Sorunlarına İlişkin 1899 Tarihli Memorandumu”, Balkanlar’da İslâm Medeniyeti II. Milletlerarası Sempozyumu Tebliğleri Tiran, Arnavutluk, 4-7 Aralık 2003,İslâm Tarih, Sanat ve Kültür Araştırma Merkezi (IRCICA), İstanbul, 2006, fq.13-27.

SÖNMEZ, Banu İşlet, II. Meşrutiyette Arnavut Muhalefeti, Yapı Kredi Yayınları, İstanbul, 2007.

TURAN, Mustafa, Milli Mücadele’de Siyasî Çözüm Arayışları (30 Ekim 1918-24 Temmuz 1923) Siyasal Kitabevi, Ankara, 2005.

[1] MustafaTuran, Milli Mücadele’de Siyasî Çözüm Arayışları (30 Ekim 1918-24 Temmuz 1923) Siyasal Kitabevi, Ankara, 2005, fq.15-16.

[2]Cumhuriyet Gazetes,, 20 gusht 1935, fq. 7.

[3]Bilgin Çelik,”Avusturya’nın Arnavutluk Politikası: Viyana’da Bir Arnavut Cemiyeti: Dia”, Tarih ve Toplum Yeni Yaklaşımlar, sayı:3, Bahar 2006, fq.57-61.

[4]“Balkan Jeopolitiğinde Arnavutlar”http://kisi.deu.edu.tr/bilgin.celik.

[5]Çelik, po aty, fq.73-74.

[6]Çelik, http://kisi.deu.edu.tr/bilgin.celik.

[7] Çelik, İttihatçılar ve Arnavutlar, fq.37

[8] Sönmez, po aty, fq.68.

[9]Orhan Koloğlu, “Faik Bey Konitza’nın Arnavutluk Sorunlarına İlişkin 1899 Tarihli Memorandumu”, Balkanlar’da İslâm Medeniyeti II. Milletlerarası Sempozyumu Tebliğleri Tiran, Arnavutluk, 4-7 Aralık 2003,İslâm Tarih, Sanat ve Kültür Araştırma Merkezi (IRCICA), İstanbul, 2006, fq.17.

[10]Süleyman İrtem Kâni, Osmanlı Devleti’nin Makedonya Meselesi: Balkanların Kördüğümü, Yayına Hazırlayan Osman Selim Kocahanoğlu, Temel Yayınları, İstanbul, 1999, fq. 127.

[11]Banu İşlet Sönmez, II. Meşrutiyette Arnavut Muhalefeti, Yapı Kredi Yayınları, İstanbul, 2007, fq.204-205.

[12]Enver Ziya Karal, Osmanlı Tarihi VIII. Cilt: Birinci Meşrutiyet ve İstibdat Devirleri (1876-1907), Türk Tarih Kurumu, Ankara, 2007, fq. 64-80.

[13]Enver Ziya Karal, Osmanlı Tarihi IX. Cilt: İkinci Meşrutiyet ve I. Dünya Savaşı (1908-1918), Türk Tarih Kurumu, Ankara. 1999, fq. 243-244.

[14]Enver Ziya Karal, Osmanlı Tarihi VI. Cilt: Islahat Fermanı Devri (1856-1861), Türk Tarih Kurumu, Ankara, 200, fq. 19.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne