Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 16-të)

Në shkrimin e kaluar folëm për mbështetjen e jashtme që u ishte dhënë zhvillimeve në Shqipëri. Kurse në këtë artikull do të analizojmë Luftërat Ballkanike dhe çështjen e pavarësisë së Shqipërisë sipas reflektimit që i është bërë në gazetën “Sabah” të kohës.

Ndërkohë që Shteti Osman vazhdonte luftën me Italinë në Tripoli,Shtetet e Ballkanit krijojnë një aleancë ndërmjet tyre dhe fillojnë e përcaktojnë kushtet e luftës kundër Shtetit Osman. Këtë proces e ndjek nga afër edhe shtypi Osman dhe përpiqet të krijojë edhe një opinion publik, vetëm se qeveria nuk tregon sensibilitetin e duhur ndaj kësaj çështjeje.

Gazeta “Sabah” e datës 2 Tetor në faqen e parë boton një lajm nën titullin “Erërat e Luftës dhe Urdhri për Mobilizim”, ku tërheq vëmendjen në përgatitjet që janë duke bërë Shtetet Ballkanike për ti shpallur luftë Shtetit Osman[1]. Sipas lajmit të gazetës, me përjashtim të Rumanisë, katër shtete të Ballkanit kanë dhënë urdhër për mobilizim të përgjithshëm për të kaluar në luftë kundër Osmanëve. “Qeveria jonë do ti kërkojë madhërisë së tij, Padishahut, të shpallë urdhrin e mobilizimit kundër qeverive të Bullgarisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë, shtete të cilat e kanë nxitur popullatën në Maqedoni, në Tuz dhe Lezhë të Shqipërisë për të ngritur krye, ku siç kuptohet prej një kohe të gjatë e kanë ushqyer popullin e këtyre trevave me urrejtje (ndaj Shtetit Osman)”, thuhet në vijim të lajmit. Sipas gazetës ministritë e luftës dhe të jashtme i kanë marrë të gjitha masat në lidhje me këtë çështje, vetëm se këto masa nuk janë publikuar me arsyetimin se publikimi i tyre do të nënkuptonte deshifrimin e përgatitjeve që bënte ushtria osmane.

Gazeta “Sabah” tërheq vëmendjennë pozicionin që mbajnë fuqitë e mëdha, që mbështesin Shtetet e Ballkanit, të cilat gazeta i krahason me një Shoqëri Tregtare me Përgjegjësi të Kufizuar, dhe shtron pyetjen “A do të ketë luftë?”Disa gazeta të Evropës dhe Stambollit prej dy ditësh flasin për forcimin e shpresës për paqe, shkruan “Sabah” në vijim të lajmit të saj. Mirëpo gazeta ndan me lexuesit edhe përshtypjet e saj se lufta nuk është shumë larg. Sipas gazetës “Sabah” ambicia ballkanike, Bullgaria, e cila po thur intrigat e sotme duke formuar një partneritet të hapur, nuk ka qëllim tjetër përveçse luftës. Bashkë me Austrinë dhe Rusinë deri më sot ajo përfaqëson Shtetet Ballkanike në çështjen e Ballkanit[2]. Sipas gazetës “Sabah” Osmanët nuk janë trembur asnjëherë nga lufta dhe pas miratimit të rezolutës do të luftojnë me heroizëm[3].

Me nismën e Komitetit Bashkim dhe Përparim zhvillimet në Ballkan protestohen në orët e para të mëngjesit të datës 4 tetor nga më shumë se 40 mijë patriotë të mbledhur në sheshin e Sulltan Ahmetit në Stamboll[4]. Me një pjesëmarrje maksimale të vullnetarëve në Shqipërinë e veriut formohet një regjiment vullnetarësh me të rinj të moshës 17 dhe 20 vjeç. Përveç kësaj formohen edhe shumë batalione të tjera me burra deri në moshën 40 vjeç dhe më të madhe[5]. Ndërkohë që në Shqipërinë e Veriut kemi krijimin e batalioneve dhe regjimenteve vullnetare, në Stamboll shfaqen mbrojtësit vullnetarë. Ditën 6 tetorit rreth 500 mbrojtës vullnetarë shqiptarë shkuan në mënyrë të grumbulluar pranë shtabit të forcave rezerviste brenda Sarajeve Topkapi duke kënduar këngë patriotike nën shoqërimin e veglave të tyre muzikore kombëtare që i prinin turmës dhe kërkojnë nga autoritetet ushtarake kryerjen e veprimeve të nevojshme për të marrë përsipër detyrën e mbrojtjes së kufijve të Portës së Lartë[6].Në fund të lajmit (për shqiptarët vullnetarë) gazeta bën këtë koment: “Të rrojnë për jetë të jetëve!” Ditën e 7 tetorit batalioni i formuar me shqiptarët vullnetarë shëtit në lagjet Beshiktash, Nishantash dhe Beyollu të Stambollit dhe bën manifestime për mbrojtjen e atdheut[7].

Kur filloi lufta, në gazetën “Sabah” nuk shikojmë lajme të dhëna nën titullin “Shqipëria”, por informacionet në lidhje me Shqipërinë gazeta i përcjell brenda lajmeve që kishin të bënin me luftën. Aty nga fundi i muajit tetor në shtypin e huaj e ardhmja e Shqipërisë fillon e diskutohet nga shtetet e Evropës dhe ato të Ballkanit. Në numrin e datës 29 tetor gazeta “Sabah” boton një lajmnën titullin “Shqipëria dhe Maqedonia”, ku thuhet se pas përfundimit të bisedimeve ndërmjet Shtetit Osman dhe Bullgarisë mbi kushtet e paqes, çështjet e Shqipërisë dhe Maqedonisë do të trajtohen në një konferencë që do të mbahet në Evropë. Sipas lajmit në këtë konferencë do të shpallet autonomi për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Qendra e autonomisë që do të shpallet në Maqedoni do të jetë qyteti i Selanikut, kurse për Shqipërinë do të caktohet një princ nga shtetet e paanshme, shkruan “Sabah” në lajmin e saj[8].

Kur ushtritë osmane 20 ditë pas fillimit të luftës fillojnë e tërhiqen të humbura përballë ushtrive të Shteteve të Ballkanit, ditën e 29 tetorit 1912 Ahmet Muhtar Pasha tërhiqet nga posti i Kryeministrit dhe në vend të tij zgjidhet Qamil Pasha, një emër i mbështetur edhe nga shqiptarët. Që në ditën e parë të fillimit të luftës shqiptarët me anë të deputetit te Shkupit, Sait Efendiut i dërgojnë parlamentit osman një kërkesë përmes të cilës kërkojnë që në vend të Ahmet Muhtar Pashës të krijohet një qeveri e drejtuar nga Qamil Pasha. Madje në 28 tetor shqiptar Ferit Pasha në emër të shokëve të tij e detyron Ahmet Muhtar Pashën të japë dorëheqjen dhe ashtu ndodh, një ditë më vonë Ahmet Muhtar Pasha jep dorëheqjen. Krijimi i qeverisë së Qamil Pashës konceptohet si një fitore e Partisë së Lirisë dhe Bashkimit (Bashkimi Liberal – Hürriyet ve İtilâf Fırkası) dhe të Grupit të Shpëtimtarëve[9].

Lajmet dhe artikujt e shkruar në shtypin evropian për Ballkanin dhe Shtetin Osman për shkak të Luftës Ballkanike janë shumë larg realitetit. Madje edhe informacione që duhen dhënë sipas parimeve reale, siç janë statistikat e ofruara në këto shkrime, janë të dyshimta. Shtypi evropian kërkon që lëvizjet e Qeverive të Ballkanit kundër Shtetit Osman ti shikojë si legjitime dhe të gjithë vëmendjen dhe përpjekjet i fokuson tek të drejtat e të krishterëve, të cilët sipas tyre përbëjnë shumicën në Rumeli[10]. Një nga korrespodentët e luftës të gazetës “Daily Telegraph” mbërrin në Shkodërndërkohë që lufta vazhdonte dhe zhvillimet në qytetet gazeta “Sabah” i publikon nën titullin “Fazat e Rrethimit të Shkodrës”[11].

Ndërkohë që lufta vazhdonte, një nga liderët shqiptarë, Ismail Qemal Bej Vlora jep një intervistë për gazetën “Noya Fraye Press” me seli në Vjenë. Sipas Ismail Qemalit Shtetet Ballkanike i kanë ngulur sytë në tokat e Shqipërisë, por shqiptarët nuk kanë për ta pranuar kurrë një gjë të tillë. Në qoftë se copëtohet Shqipëria, atëherë do të prishet edhe qetësia e rendi i Evropës. Shqipëria do të jetë e pavarur dhe do të ndërtojë marrëdhënie me Serbinë, kjo e fundit mund të përfitojë nga portet e Shqipërisë për të bërë tregti. Në këtë intervistë Ismail Qemali thotë se malësorët punojnë për llogari të Malit të Zi, por edhe këta bëjnë përpjekje për të ardhmen e Shqipërinë. Pas bërjes i pavarur Shqipëria duke qenë se është një shtet i vogël ka nevojë për mbështetjen e Italisë dhe Austrisë, deklaron ndër të tjera Ismail Qemal Bej Vlora për gazetën austriake “Noya Fraye Press”. Fqinja jonë Austria, do të përfitojë nga një Shqipëri e pavarur, deklaron Ismail Qemali në Vjenë[12]. Aty nga fundi i luftës në lidhje me pavarësinë e Shqipërisë fillojnë e vijnë lajme të paqarta. Këtë lajm gazeta “Sabah” e përcjell në numrin e datës 25 nëntor duke iu referuar burimeve të Vjenës. Sipas kësaj shpallja e pavarësisë së Shqipërisë nën drejtimin e Ismail Qemalit jepet me shënimin “lajmi ka vonuar”. Në një lajm tjetër me burim Vjenën, që jepet menjëherë poshtë këtij lajmi, thuhet se përpara portit të Durrësit qëndron një anije luftarake e Austro-Hungarisë dhe përgënjeshtron lajmin e mëhershëm sikur Shqipëria e kishte shpallur pavarësinë nën mbrojtjen e kësaj anijeje. Gjithashtu gazeta përcjell lajmin se po të njëjtën ditë Komiteti Shqiptar është nisur drejt Vlorës për të shpallur këtu pavarësinë e Shqipërisë. Këtë lajm gazeta e boton duke iu referuar burimeve të Vjenës[13].

Një lajm të marrë nga burimet e shtypit të Romës të datës 29 nëntor gazeta “Sabah” në numrin e saj të datës1 dhjetor 2012 e ndan me lexuesit nën titullin “Pavarësia e Shqipërisë” (Arnavudluk İstiklali). Sipas këtij lajmi ditën e 28 nëntorit 1912 Ismail Qemali dhe të ftuarit e tjerë të mbledhur në Vlorë kishin shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Serbia sa do që e pranonte autonominë e Shqipërisë, kishte deklaruar se nuk do të hiqte dorë kurrë për të pasur një port të sajin në Adriatik. Gazeta u përcjell lexuesve edhe pjesë nga fjalimi që mbajti Ismali Qemali gjatë shpalljes së pavarësisë. Sipas gazetës “Sabah” këtu Ismail Qemali thotë se serbët dhe grekët do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të marrë toka nga Shqipëria[14]. (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ/ trt

Burimet dhe literatura kryesore:

KARAL, Enver Ziya, Osmanlı Tarihi IX. Cilt: İkinci Meşrutiyet ve Birinci Dünya Savaşı (1908-1918), Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1999.

Gazeta “Sabah”, 2 Tetor 1912, fq.1.

Gazeta “Sabah”, 5 Tetor 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”, 5 Tetor 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”, 7 Tetor 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”, 8 Tetor 1912, fq.1.

Gazeta “Sabah”, 29 Tetor, fq.1.

Gazeta “Sabah”, 29 Tetor fq.1.

Gazeta “Sabah”, 2 Tetor 1912, fq.1.

Gazeta “Sabah”, 25 Nëntor 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”, 10 Nëntor 1912, fq.1-2.

Gazeta “Sabah”, 25 Nëntor 1912, fq.1-2.

Gazeta “Sabah”, 1 Dhjetor 1912, fq.1.

[1]Gazeta “Sabah”, 2 Tetor 1912, fq.1.

[2] Enver ZiyaKaral,Osmanlı Tarihi IX. Cilt: İkinci Meşrutiyet ve Birinci Dünya Savaşı (1908-1918),Türk Tarih Kurumu, Ankara, 1999s, 185.

[3]Gazeta “Sabah”, 5 Tetor1912, fq.2.

[4]Gazeta “Sabah”, 5 Tetor1912, fq.2.

[5]Gazeta “Sabah”, 7 Tetor1912, fq.2.

[6]Gazeta “Sabah”, 7 Tetor1912, fq.2.

[7]Gazeta “Sabah”, 8 Tetor1912, fq.1.

[8]Gazeta “Sabah”, 29 Tetor, fq.1.

[9]Gazeta “Sabah”, 29 Tetor, fq.1.

[10]Gazeta “Sabah”, 2 Tetor 1912, fq.1.

[11]Gazeta “Sabah”, 25 Nëntor 1912,fq.2.

[12]Gazeta “Sabah”, 10 Nëntor 1912, fq.1-2.

[13]Gazeta “Sabah”, 25 Nëntor 1912, fq.1-2.

[14]Gazeta “Sabah”, 1 Dhjetor 1912, fq.1.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne