Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 18-të)

Në shkrimin e kaluar u ndalëm në procesin e pavarësimit të Shqipërisë. Kurse në artikull javë do të trajtojmë zhvillimet mbi Shqipërinë në procesin e Konferencës së Londrës që u mbajt pas pavarësisë.

Për një kohë të shkurtër, rreth 1 muaj, në të gjitha frontet me Aleancën e Shteteve Ballkanike Shteti Osman humbi shumë territore. Me anë të Ambasadës ruse në Stamboll më 12 nëntor 1912 Porta e Lartë i dërgon një telegraf Mbretit të Bullgarisë dhe kërkon armëpushim. Në përgjigjen e saj Bullgaria i thotë Shtetit Osman se në fillim do të konsultohet me aleatët dhe mundohet kështu të fitojë kohë për të pushtuar Stambollin. Ditën e 17 nëntorit ushtria bullgare kaloi në sulm në Çatalca dhe provoi të marrë Stambollin. Por në datat 17-18 nëntor ushtria osmane arrin ta ndalojë ushtrinë bullgare. Pas kësaj në 19 nëntor Bullgaria i komunikon Qeverisë Osmane kushtet e aleatëve për armëpushim. Në 3 dhjetor Shteti Osman nënshkruan protokollin e armëpushimit me Bullgarinë, Serbinë dhe Malin e Zi. Kurse Greqia nuk e firmos këtë protokoll për shkak të luftës detare që vazhdonte duke treguar si pretekst mos-dorëzimin e Janinës nga turqit[1]. Vetëm se pas armëpushimit do të nevojitet fillimi i bisedimeve të paqes për ti dhënë fund luftës.

Aleatët ballkanas si vend për mbajtjen e bisedimeve të paqes preferojnë Londrën. Lufta Ballkanike, megjithëse gjeografikisht u zhvillua në Ballkan, në fakt ajo është si provë e Luftës së Parë Botërore, po të kemi parasysh Fuqitë e Mëdha që përkrahën dhe mbështetën Shtetet e Ballkanit pjesëmarrëse në këtë luftë. Për këtë arsye Ministri i Punëve të Jashtme të Anglisë, Eduard Grej (Edvar Grey) dhe ambasadorët e Fuqive të Mëdha takohen në “Konferencën e Ambasadorëve”. Me iniciativën e Ministrit të Punëve të Jashtme të Anglisë në Londër mbahen dy konferenca të ndara. E para nga këto është “Konferenca e Shteteve Luftuese”[2], ku përfaqësoheshin shtetet që kishin marrë pjesë në Luftën e Parë Ballkanike, ndërsa konferenca tjetër është Konferenca e Ambasadorëve, që u mbajt me pjesëmarrjen e ambasadorëve të Gjermanisë, Francës, Italisë, Austro-Hungarisë dhe Rusisë në Londër si dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme të Anglisë. Gjashtë Fuqitë e Mëdha pjesëmarrëse në Konferencës së Ambasadorëve janë edhe shtetet e Antantës dhe Boshtit Qendror të Luftës së Parë Botërore[3]. Dhe me të vërtetë Luftërat Ballkanike janë si prologu ose lajmëtari i Luftës së Parë Botërore.

Konferenca e Shteteve Luftuese u mblodh në 16 dhjetor 1912 në Pallatin St.James në Londër me pjesëmarrjen e delegatëve të shteteve ballkanike dhe Shtetit Osman. Ndërsa Konferenca e Ambasadorëve mbahet të nesërmen më 17 dhjetor 1912[4]. Në sesionin e Konferencës së Shteteve Luftuese mbajtur ditën e 21 dhjetorit serbët ankohen për komandantin e Shkodrës, i cili vazhdonte të luftonte ende, pavarësisht armëpushimit të arritur[5].

Në 28 dhjetor 1912 Shteti Osman paraqet propozimin që pranon autonominë e Shqipërisë. Sipas këtij propozimi Shqipëria do të jetë një vilajet i lirë nën sovranitetin e sulltanit, do të ketë një asamble (kuvend) të përgjithshëm, administrimi i vendit do ti jepet princit osman për një periudhë 5-vjeçare, e cila kur të përfundojë do të rinovohet[6]. Në 30 dhjetor delegatët osmanë zgjidhjen e çështjes së caktimit të kufijve dhe të ardhmen politike të Shqipërisë bashkë me çështjen e Pazarit të Ri pranojnë që t’ua lënë Fuqive të Mëdha[7]. Kështu çështja e Shqipërisë bëhet pjesë e agjendës së Konferencës së Ambasadorëve. Qëllimi i Shtetit Osman me këtë nisëm është që të përshpejtojë bisedimet e Fuqive të Mëdha (Konferencës së Ambasadoreve) për të arritur paqen pa rënë ende Edirneja me Shkodrën.

Çështja shqiptare do të shkaktojë vështirësi mjaft të mëdha edhe në Konferencën e Ambasadorëve. Austro-Hungaria me Italinë, të cilat janë të shqetësuara për zbritjen e Rusisë në Adriatik përmes Serbisë, me qëllim për të penguar daljen e Serbisë në Adriatik mbështesin tezën që Shqipëria të jetë e pavarur brenda kufijve mundësisht sa më të gjerë. Kurse Rusia, e cila kishte siguruar përkrahjen e Francës dhe Anglisë është për t’u dhënë më shumë pjesë Serbisë e Greqisë nga territoret e Shqipërisë.

Shteti Osman para se çështjen e caktimit të kufijve të Shqipërisë dhe të ardhmen politike të shtetit shqiptar t’ia linte Fuqive të Mëdha, ditën e hapjes së Konferencës së Ambasadorëve (17 dhjetor) delegatët bien dakord për të mos e lejuar Serbinë të ketë dalje në Adriatik. Përveç kësaj pranohet edhe statusi “autonom” i Shqipërisë, e cila do të ishte nën sovranitetin e padishahut osman dhe nën kontrollin dhe garancinë e 6 shteteve të mëdha. Vetëm se Fuqitë e Mëdha nuk pajtohen mbi çështjen e kufijve të Shqipërisë[8]. Vendimi i parë në lidhje me lirinë e Shqipërisë merret në punimet e Konferencës së Ambasadorëve të datës 20 dhjetor 1912. Sipas këtij vendimi liria e Shqipërisë do të ishte “nën sovranitetin ose suzerenitetin e sulltanit” dhe do të vihej “nën garancinë dhe kontrollin ekskluziv të Gjashtë Fuqive të Mëdha”[9].

Në 17 janar çështja e caktimit të kufijve të Shqipërisë diskutohet sërish në Konferencën e Ambasadorëve. Edhe Italia heq dorë nga mendimi i mëparshëm për t’ia dhënë Shkodrën Malit të Zi dhe mbështet lënien e qytetit Shqipërisë. Në 25 janar Rusia deklaron se është për bashkimin e problemit të Shkodrës me problemet e tjera të kufijve të Shqipërisë. Pas ‘hapjes reciprokisht të letrave’ ndërmjet Shtetit Osman dhe Shteteve Ballkanike Lufta Ballkanike rifilloi sërish më 3 shkurt 1913. Projekti i Traktatit të Paqes që kishte përgatitur Konferenca e Ambasadorëve në 30 maj të vitit 1913 firmoset nga Shtetet e Ballkanit. Sipas kësaj çështja e kufijve të Shqipërisë si dhe problemet e tjera lidhur me Shqipërinë si dhe problemi i Ishujve lihen në pritje të vendimit të Fuqive të Mëdha[10].

Mosmarrëveshjet mbi caktimin e kufijve të Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve vazhdojnë, sepse ndërkohë që Austria kërkon largimin e Serbisë dhe të Malit të Zi nga veriu i Shqipërisë, mbrojtësja e sllavëve, Rusia, del kundër kësaj. Për sa u takon kufijve jugorë të Shqipërisë, ndërkohë që Franca mbështet Greqinë, Italia me Austrinë përkrahin Shqipërinë. Fuqitë e Mëdha për ta bindur Greqinë të heqë dorë nga territoret shqiptare që kishte pushtuar në Shqipëri propozojnë ti japin kësaj Ishujt e Egjeut[11]. Me dështimin e kësaj marrëveshjeje merret vendimi që kufiri i Shqipërisë së Jugut të caktohet nga një komision ndërkombëtar. Vetëm se me shpërthimin e Luftës së Dytë Ballkanike, atëherë procesi ndërpritet deri në mbarimin e luftës. Shqipëria kishte luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e Aleancës Ballkanike në prag të Luftës së Parë të Ballkanit, gjithashtu ajo luan një rol të rëndësishëm edhe në shpërndarjen e kësaj aleance pas luftës dhe si rrjedhim edhe në fillimin e Luftës së Dytë Ballkanike[12].

Më në fund pas Luftës së Dytë Ballkanike, më 29 korrik 1913 Konferenca e Ambasadorëve shpall vendimin mbi Shqipërinë. Sipas këtij vendimi pranohet që Shqipëria të jetë një principatë e lirë, sovrane nën garancinë e gjashtë shteteve të mëdha (Anglia, Franca, Austro-Hungaria, Gjermania, Italia dhe Rusia). Përveç kësaj përvetësohet mendimi që në krye të Shqipërisë të vihet një princ, i cili do të caktohej nga Fuqitë e Mëdha brenda jo më shumë se gjashtë muajve[13].

Në rubrikën e ardhshme do të flasim për zhvillimet në Shqipëri, pas pavarësimit dhe vendimeve të Konferencës së Londrës. (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ

Burimet dhe literatura kryesore:

ARMAOĞLU, Fahir, 19. Yüzyıl Siyasî Tarihi (1789-1914), TTK Basımevi, Ankara, 1997.

BAYUR, Yusuf Hikmet, Türk İnkılâbı Tarihi Cilt:II, Kısım:II, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1991.

HAYTA, Necdet, Balkan Savaşları’nın Diplomatik Boyutu ve Londra Büyükelçiler Konferansı (17 Aralık 1912-11 Ağustos 1913), Atatürk Araştrıma Merkezi, Ankara,2008.

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

YALÇIN, Hüseyin Cahit, Talat Paşa, Yedigün Neşriyatı, İstanbul, 1943.

[1] Necdet Hayta, Balkan Savaşları’nın Diplomatik Boyutu ve Londra Büyükelçiler Konferansı (17 Aralık 1912-11 Ağustos 1913), Atatürk Araştrıma Merkezi, Ankara,2008, fq.5-7.

[2] Halil Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri (1920-1938), Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011, fq.27.

[3] Fahir Armaoğlu, 19. Yüzyıl Siyasî Tarihi (1789-1914), TTK Basımevi, Ankara, 1997, fq.673.

[4] Hayta, po aty, fq.8-25.

[5] Hayta, po aty, fq.14-15.

[6] Yusuf Hikmet Bayur, Türk İnkılâbı Tarihi, Cilt:II, Kısım:II, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara,1991, fq.27-59.

[7] Hayta, po aty, fq.14-15.

[8] Hayta, po aty, fq.29.

[9] Bayur, po aty, fq.88.

[10] Hayta, po aty, fq.61.

[11] Hayta, po aty, fq.64.

[12] Hüseyin Cahit Yalçın, Talat Paşa, Yedigün Neşriyatı, İstanbul, 1943, fq.20.

[13] Hayta, po aty, fq.80.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne