Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 19-të)

Gjeografia e Shqipërisë e parë në aspektin strategjik është një zonë ku përplasen si politika sllave e Rusisë, ashtu edhe politika germene e Austrisë dhe interesat ekspansioniste të Italisë. Për ta zgjidhur këtë problem Anglia në filli kishte propozuar krijimin e një Shqipërie (autonome) nën suzerenitetin e padishahut osman, por kur ky propozim nuk u pranua nga shtetet që u përplaseshin interesat, edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Anglisë kishte pranuar caktimin e një princi nga ana e gjashtë Fuqive të Mëdha në krye të Shqipërisë[1].

Sa do që pavarësia e Shqipërisë e arritur në Londër me mbështetjen e Austrisë dhe Italisë u miratua nga shtetet e treshes së boshtit qendror dhe treshes së Antantës mosmarrëveshjet mbi këtë rajon nuk do të kenë të mbaruar me kaq. Shqipëria dhe Adriatiku bëhen shkas i konflikteve të reja edhe ndërmjet shteteve të Aleancës dhe shteteve të Antantës, edhe ndërmjet shteteve ballkanike. Bullgaria, e cila pranohet si kryesuesja e Aleancës Ballkanike, del kundër rrezikimit të të gjitha tokave të saj për një port të Serbisë në Adriatik. Si reagim ndaj kësaj edhe Serbia kërkon territore nga Maqedonia dhe fillon të bashkëpunojë me Greqinë[2]. Kurse Shteti Osman me humbjen e Shqipërisë, humbet 83% të territoreve në Ballkan dhe e bën të diskutueshme ekzistencën e tij në Evropë.

Në një raport të përgatitur nga Shteti Osman në këtë situatë zënë vend përcaktime interesante lidhur me të ardhmen e Shqipërisë. Sipas këtij raporti, megjithëse në të vërtetë ishte pranuar pavarësia e Shqipëria, pjesa më e madhe e trojeve shqiptare kishte kaluar në duart e armikut. Ndërsa po fitonin pavarësinë shqiptarët para së gjithash i ishin shmangur mbrojtjes madje edhe të kalave të tyre si ajo e Janinës, e Shkodrës. Në Shtetin Osman shqiptarët deri sa u bënë të pavarur kishin jetuar përherë të privilegjuar nga politika dhe në të vërtetë kishin mbetur të pavarur. Robëria e vërtetë për shqiptarët tani ka filluar, vijon raporti dhe përfundon duke këtë përcaktim dhe parashikim: “Një ditë populli i tyre, gjuha, uzinat, kapitalet, kompanitë, fushatat, hekurudhat dhe atdheu i tyre do të zaptohen, malet do të çahen, e gjithë fuqia dhe pasuria do të shkojë tek të huajt. Në atdheun e tyre do të bëhen shërbëtorë për të huajt, armët do t’u merren nga duart, do të shkojnë ushtarë, do të paguajnë taksa, nuk do të kenë më din e imam. Në mundësinë më të madhe e kaluara osmane do të mbetet e freskët në zemrat e tyre”[3].

Pas shpalljes së pavarësisë liderët shqiptarë brenda nuk arrijnë të sigurojnë unitetin dhe rendin publik. Si pasojë e krijimit të një qeverie në këtë proces edhe nga Esad Pashë Toptani përveç qeverisë së drejtuar nga Ismail Qemali në vend kemi një qeverisje me dy kokë. Ndërkohë që në Vlorë kemi në pushtet qeverinë Ismail Qemalit, Esat Pasha krijon një qeverisje lokale dhe cakton në detyrë kajmekamët. Kjo lëvizje e Esat Pashës fillon të fitojë simpatinë e popullit në Shqipëri. Duke qenë se me këtë lëvizje të tijën dobëson influencën e Qeverisë së Vlorës me ndërmjetësimin e Austrisë dhe të Italisë Esat Pashës i propozohet posti i Ministrit të Punëve të Brendshme në Qeverinë e Vlorës. Esat Pasha e pranon me kënaqësi këtë detyrë, e cila do ta ndihmojë atë të forcojë pozitën duke mbajtur në duart e tij kontrollin e sigurisë dhe rendit në vend[4].

Me ndikimi edhe të qeverisjes dy-krerëshe Shqipëria nuk i pengon dot pushtimet e fqinjëve. Serbët dhe malazeztë e mbajnë Shkodrën të rrethuar për shtatë muaj. Përveç kësaj forcat serbe fillojnë të pushtojnë edhe Durrësin, Tiranën dhe Elbasanin. Ndërkohë që nga njëra anë kemi vazhdimin e pushtimit serb dhe malazez, flota greke fillon ta kërcënojë Vlorën me një bllokadë jetike[5]. Në këto rrethana Shqipëria nga njëra anë fillon e kërkon zgjidhje për të siguruar unitetin e brendshëm dhe për t’u bërë ballë kryengritjeve, nga ana tjetër nis e pret lajmin e miratimit të pavarësisë që do të vinte nga Londra.

Më 13 korrik 1913, para se Konferenca e Ambasadorëve të merrte vendimin përfundimtar për Shqipërinë, Fuat Pasha, një nga princat e Egjiptit deklaron kandidaturën për postin e princit që do të vendosej në krye të Shqipërisë nga Fuqisë e Mëdha. Fuat Pasha ishte djali i Ismail Pashës, i shkarkuar nga detyra e Valiut të Egjipit në vitin 1878 dhe xhaxhai i Abas Hilmi Pashës, i cili ka qenë vali i Egjiptit në vitin 1913. Në vitin 1917 (gjatë Luftës së Parë Botërore) ai do të bëhet Mbreti i Egjiptit. Sa do që Fuat Pasha e shpalli kandidaturën për në krye të fronit të shtetit të ri shqiptar duke pasur me vete edhe përkrahjen e Italisë, Austria nuk e pranon këtë propozim[6].

Pas diskutimeve dhe debateve të gjata në punimet e Konferencës së Ambasadorëve të datës 29 korrik 1913 pranohet që Shqipëria të jetë një principatë nën garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha. Detyra për kontrollin e administratës civile dhe të financave të Shqipërisë i jepet një komisioni ndërkombëtar të përbërë nga delegatët e gjashtë Fuqive të Mëdha dhe të një delegati nga Shqipëria me mandat dhjetëvjeçar (por nëse do të ishte e nevojshme ky afat mund të zgjatej). Qetësia dhe rendi publik i Shqipërisë do të siguroheshin nga një xhandarmëri, e cila do të komandohej nga oficerë suedezë. Brenda jo më shumë se gjashtë muaj për Shqipërinë do të caktohej një princ.

Pas përcaktimit të pavarësisë së Shqipërisë në formë të prerë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër lindi problemi i princit që do të caktohej në krye të shtetit të ri. Rumania propozon si kandidat të pavarur për fronin princëror në Shqipëri Princin Vilhem. Princi Vilhem vinte nga një familje fisnike e Gjermanisë. Ai kishte lindur në 26 mars 1876 në Neuwied, afër Koblenz në Gjermani. Halla e Vilhemit, mbretëresha e Rumanisë Elisabeta(1843-1916), kishte një ndikim të madh mbi Vilhemin. Propozimi i Rumanisë pranohet nga të gjitha Fuqitë e Mëdha. Ato që ndikuan në pranimin e propozimit ishin veçoritë që kishte princi, i cili nuk kishte shumë përvojë në diplomaci dhe politikë, ishte qibar e i sjellshëm, gëzonte shëndet të mirë dhe ishte fytyrëqeshur, nuk kishte shumë informacion mbi Shqipërinë si dhe lidhje të hershme me këtë vend. Në 7 shkurt 1914 Vilhemi u dërgon nga një notë diplomatike ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Berlin dhe u bën të ditur vendim e tij se e ka pranuar fronin princëror të Shqipërisë, detyrë e cila nuk do të zgjasë shumë. Paria shqiptare iu drejtua Fuqive të Mëdha për krijimin sa më shpejtë të regjimit të Vilhemit, kurse Ismail Qemali shpreh mospëlqimin e tij për ardhjen e Vilhem Vidit në Shqipëri duke akuzuar për këtë Mbretëreshën e Rumanisë[7]. Ditën e 7 marsit 1914 Princi ngjitet në fronin e Shqipërisë me emrin Giyom i Parë[8]. Edhe Shteti Osman mundohet për caktimin në krye të Shqipërisë të njërit prej princave të saj apo të ndonjë myslimani të njohur. Në përfundim, më 13 mars 1914 Qeveria Osmane bën të ditur se do ta ndihmojë princin e ri të Shqipërisë.

Intelektualët shqiptarë e presin me kënaqësi ardhjen në vendin e tyre të këtij sundimtari evropian. Nën drejtimin e Turhan Pasha Përmetit formohet qeveria e parë e Shqipërisë, në të cilën bën pjesë edhe Esat Pashë Toptani. Kabineti i ri fillon menjëherë nga reformat. Oficerët e sjellë nga Holanda organizojnë xhandarmërinë si forcë ushtarake të vendit. Vetëm se zvogëlimi shumë i kufijve të vendit dhe papunësia e lartë bëjnë që të ardhurat të mos përballojnë shpenzimet. Italia me Austrinë nga 50 milionë franga që i kishin premtuar qeverisë së re japin vetëm 10 milionë dhe ngurrojnë në lëvrimin e kredisë së mbetur, e cila do të jepejsi borxh[9].

Italia, Serbia dhe Greqia, të cilat në këtë periudhë kërkonin toka nga Shqipëria, fillojnë e shkaktojnë trazira brenda vendit duke e përdorur si mjet propagandimi regjimin e Princ Vidit në Shqipëri. Mjeti kryesor që kishin në dorë që përdorën më shumë propaganduesit e këtyre vendeve ishte provokimi i popullit analfabet në aspektin e ndjeshmërive fetare duke treguar si shkak të kësaj princin e ri. Për këtë qëllim këto vende mundohen ta nxisin dhe irritojnë popullin shqiptar me shprehje të tilla si “Në Shqipërinë islame erdhi princ i huaj”, “Nëpër shkollat islame përdoret gjuhë e huaj”, “Të rinjtë myslimanë vendosin kapele në kokë”[10].

E ndërkohë që gjendja e Shqipërisë, e Ballkanit dhe madje e Evropës vinte duke u përkeqësuar, në gusht të vitit 1914 shpërthen Lufta e Parë Botërore. Në 5 gusht 1914 Princ Vidi, i cili nuk kishte mbështetur aq sa duhet nga Austria që tashmë kishte hyrë në Luftë, e braktis Shqipërinë dhe në këtë periudhë në Shqipëri zot i fjalës bëhet Esat Pashë Toptani. (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ

Burimet dhe literatura kryesore:

ARMAOĞLU, Fahir, 19. Yüzyıl Siyasî Tarihi (1789-1914), TTK Basımevi, Ankara, 1997.

BAYUR, Yusuf Hikmet, Türk İnkılâbı Tarihi Cilt:II, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1991.

Gazeta “Hakimiyeti Milliye”, 28 Maj 1926.

Gazeta “Hakimiyeti Milliye”, 30 Maj 1926.

HEATON-ARMSTRONG, Captian Duncan,The Six Month Kingdom: Albania 1914, I.B.Tauris&Co.Ltd., London, 2005, s.x-xiv.

KARAL, Enver Ziya, Osmanlı Tarihi IX. Cilt (1908-1918), Türk Tarih Kurumu , Ankara, 1999.

MACMİLLAN, Margaret, Paris 1919: 1919 Paris Barış Konferansı ve Dünyayı Değiştiren Altı Ayın Hikâyesi, Çev. Belkıs Dişbudak, ODTÜ Yayıncılık, Ankara, 2004.

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

Ankara Üniversitesi Türk İnkılâp Tarihi Enstitüsü (TİTE) Arşivi,kutu no:25, gömlek no:18, belge no:18

[1]Enver Ziya Karal, Osmanlı Tarihi IX. Cilt (1908-1918), Türk Tarih Kurumu , Ankara, 1999, fq.349.

[2]Fahir Armaoğlu, 19. Yüzyıl Siyasî Tarihi (1789-1914), TTK Basımevi, Ankara, 1997, fq. 673.

[3]TİTE Arşivi, kutu no:25, gömlek no:18, belge no:18,Halil Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri (1920-1938), Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011,fq.19.

[4]Gazeta “Hakimiyeti Milliye”, 28 Maj 1926, fq. 3.

[5]Gazeta “Hakimiyeti Milliye”, 28 Maj 1926, fq. 3, Özcan, a.g.e.,fq.19.

[6]Yusuf Hikmet Bayur, Türk İnkılâbı Tarihi, Cilt:II, Kısım:II, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara,1991,fq.98-100.

[7]Captian Duncan Heaton-Armstrong,The Six Month Kingdom: Albania 1914, I.B.Tauris&Co.Ltd., London, 2005, fq.x-xiv.

[8]Margaret MacMillan, Paris1919: 1919 Paris Barış Konferansıve Dünyayı Değiştiren Altı Ayın Hikâyesi, Çev. Belkıs Dişbudak, ODTÜ Yayıncılık, Ankara, 2004, fq.346.

[9] Gazeta “Hakimiyeti Milliye”, 30 Maj 1926, fq. 3.

[10] Gazeta “Hakimiyeti Milliye”, 30 Maj 1926, fq. 3.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne