Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 25-të)

Pushtimet në Anadoll dhe në Shqipëri pas Luftës së Parë Botërore (vijon nga numri i kaluar).

Më 15 shtator 1918 forcat e Antantës përqendrohen në frontin Bullgar dhe Bullgaria detyrohet të dalë nga lufta duke nënshkruar më 30 shtator marrëveshjen e armëpushimit. Pas tërheqjes së Bullgarisë nga lufta, më 5 tetor Perandoria Austro-Hungareze u drejtohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe më 3 nëntor 1918 nënshkruan armëpushimin. Pas këtij armëpushimi më 18 nëntor 1918 mori fund edhe dinastia austriake. Më 1 tetor ndryshoi kryeministri gjerman dhe më 4 tetor qeveria gjermane iu drejtua Presidentit amerikan Wilson për armëpushim. Pas shpalljes së republikës nga socialistët më 3 nëntor edhe qeveria e re gjermane më 11 nëntor firmosi armëpushimin.

Pas rënies së frontit të Bullgarisë ushtritë e Shteteve të Antantës kërcënonin kryeqytetin osman dhe Shteti Osman gjendet në pozitë të vështirë përballë nismave për paqe të aleatëve të tij. Sikur të mos mjaftonte kjo, më 19 shtator 1918 Anglia fillon një ofensivë të madhe ndaj ushtrive osmane në Palestinë. Më 5 tetor Shteti Osman i drejtohet Presidentit Wilson të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për armëpushim, në fillim përmes Spanjës dhe më pas nëpërmjet Zvicrës. Kur nga SHBA-ja nuk erdhi ndonjë përgjigje, prefekti i Izmirit, Rahmi Beu dërgohet në Angli për të filluar bisedimet e drejtpërdrejta të paqes, por kjo nismë e Shtetit Osman nuk jep rezultat. Kabineti i Talat Pashës më 8 tetor jep dorëheqjen dhe në 14 tetor krijohet qeveria e re në drejtimin e Ahmet Izet Pashës. Më 18 tetor qeveria e re i drejtohet edhe një herë Britanisë së Madhe për armëpushim nëpërmjet gjeneralit anglez të kapur rob, Towshend. Bisedimet e armëpushimit vlerësohen pozitivisht dhe ditën e 28 tetorit fillojnë zyrtarisht. Me nënshkrimin më 30 tetor të Traktatit të Armëpushimit të Mundrosit Shteti Osman del nga lufta. Vetëm se kjo marrëveshje e armëpushimit jo vetëm që nuk i shpëtoi tokat e Shtetit Osman nga pushtimi i Shteteve të Antantës, por solli me vete edhe pushtime të reja.

Me marrëveshjet e fshehta që u firmosën gjatë Luftës së Parë Botërore pushtohet edhe Shqipëria, e cila ishte paraparë të copëtohej bashkë me Shtetin Osman. Mirëpo Shqipëria nuk kishte luftuar me Shtetet e Antantës, madje me anë të Esat Pashës ajo u kishte shpallur luftë shteteve që bënin pjesë në Boshtin Qendror. Pas luftës Shtetet e Antantës mbajnë një qëndrim indiferent ndaj ripushtimit të Shqipërisë dhe demonstrojnë një qëndrim jo të sinqertë ndaj shqiptarëve me shumicë myslimane. Madje pushtimet në Shqipëri shfaqin rrezikun e të qenurit pushtime të qëndrueshme, pikërisht ashtu si në Anadoll. Këtu do të ishte e dobishme që në fillim të ndalemi pak në pushtimet që ndodhën në Anadoll dhe cilat ishin motivet e tyre.

Sipas pikës 7 të Traktatit të Mundrosit Shtetet Fituese të luftës në rast se do të kërcënohej siguria e tyre mund të pushtonin pikat strategjike të Shtetit Osman. Me marrëveshje, pra me marrëveshjen e armëpushimit marrin fund fazat e luftimeve të armatosura të një lufte. Me marrëveshje ushtritë qëndrojnë në vendin ku ndodhen dhe në lojë hyn diplomacia dhe ndërmjet palëve firmoset një marrëveshje paqeje e qëndrueshme. Mirëpo me Marrëveshjen e Armëpushimit të Mundrosit nuk ndodh kështu, Shtetet Fituese territoret që nuk kishin arritur ti pushtonin dot gjatë luftës fillojnë e i pushtojnë në një mënyrë të jashtëligjshme dhe të padrejtë duke u mbështetur në pikën 7 të marrëveshjes. Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes (së armëpushimit të Mundrosit) Anglia pushton Mosullin, Bautmin, Çukorovan, Ardahanin, Karsin, Antepin, Marashin, Urfan, stacionin e Konjës, Bilexhikun, Samsunin dhe Merzifonin. Përveç kësaj nga forcat ushtarake angleze dhe franceze pushtohen edhe disa vende të tjera të Anadollit Jugor dhe Juglindor. Anglia u lë forcave franceze të mbështetura nga armenët edhe Çukurovan, Iskenderunin, Dërtjollin, Mersinin, Adanan dhe Pozantin. Në bazë të marrëveshjes që Britania e Madhe bëri me Francën për Sirinë përveç Çukurova-s Anglia e lejon Francën të pushtojë edhe disa zona të tjera brenda provincave turke të Antepit, Marashit dhe Urfës[1]. Pushtimet në Anadoll vazhdojnë edhe në vitin 1919. Greqia pushton Izmirin dhe Anadollin Perëndimor, kurse Istalia pushton Antalian, Stacionin e Konjës, Burdurin dhe Ispartën[2].

Shtetet që dolën fituese në luftë paralelisht me të gjitha këto pushtime grumbullojnë armatimin dhe municionin e ushtrisë osmane dhe e shpërndajnë atë. Përveç kësaj shtetet fituese nuk kursejnë të përdorin kundër turqve në këto pushtime as armenët dhe grekët, të cilët kishin bashkëjetuar me vite me turqit në këto toka. Me qëllim krijimin e Shtetit Grek të Pontusit në zonën e Detit të Zi dërgohen në këtë zonë një numër i madh çetash greke të armatosura dhe këto çeta e detyrojnë popullatën turke të emigrojë nga trojet e veta. Në mënyrë të ngjashme çetat greke përdoren edhe gjatë pushtimit të Izmirit, kurse ato armene në pushtimin e krahinave të Anadollit Jugor. Këto çeta përdoren si element kërcënues kundër turqve duke i detyruar këta të emigrojnë në vende të tjera. Me anë të shpërnguljes me forcë të turqve nga zonat e pushtuara tregohet kujdes që popullata armene dhe greke në këto zona të jetë më e madhe në numër se sa ajo turke. Kështu nëpërmjet përqendrimit të popullsisë synohet krijimi i shteteve të përhershme armene dhe greke në këto zona. Këto pushtime të realizuara menjëherë pas nënshkrimit të Traktatit të Armëpushimit të Mundrosit duket qartë që janë bërë me qëllim për të shtirë në dorë me anë të manovrave diplomatike gjatë bisedimeve të paqes që do të zhvilloheshin më vonë tokat e Anadollit që nuk ishin marrë dot me fuqi ushtarake gjatë Luftës së Parë Botërore.

Pasi u hodhëm një sy pushtimeve që u bënë pas luftës në tokat e Shtetit Osman tani mund të shikojmë se për çfarë planesh dhe pazarllëqesh u shfrytëzuan tokat e Shqipërisë pas mbarimit të Luftës. Shkaku i vazhdimit të pushtime në territorin shqiptar edhe pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore është sigurimi fuqive pushtuese të drejtën për të ngritur pretendime territoriale ndaj këtyre tokave gjatë bisedimeve të paqes. Fuqitë pushtuese me qëllim për të marrë sa më shumë toka nga Shqipëria fillojnë mes tyre një konkurrencë të ashpër për veriun e Shqipërisë, territor që u boshatis nga Austria, e cila doli e humbur nga lufta. Fillimisht Shqipëria e veriut, e braktisur nga forcat austriake, nis e pushtohet nga repartet italiane dhe serbe. Serbia shqetësohet nga ky zgjerim i Italisë, nga mundësia që zotëron tani Roma për t’u shtrirë e kontrolluar të gjithë Shqipërinë, pasi Italia përveç jugut që e kishte pushtuar më parë, tani po përparonte edhe në drejtim të veriut duke e shtrirë ndikimin e saj në të gjithë vendin[3].

Pas reagimeve që erdhën nga Serbia, Italia bie dakord me Greqinë për ndarjen e Shqipërisë. Sipas kësaj marrëveshjeje Itali do të njohë të drejtat e Greqisë në Trakinë Perëndimore dhe Epirin e Veriut, kurse Greqia do të përkrahë protektoriatin e Italisë në Shqipëri si dhe aneksimin e Vlorës. Ndaj kësaj marrëveshjeje të arritur ndërmjet Italisë dhe Greqisë reagojnë Serbia me Shqipërinë[4]. Pas kësaj marrëveshjeje reagimi serb kthehet në pushtim. Një batalion serb që kishte hyrë në Shkodër pasi qëndron disa ditë e lëshon qytetin dhe Shkodra (një sipërfaqe prej 10 kilometrash katrorë) pushtohet në emër të Shteteve të Antantës nga trupat franceze[5]. Francezët pushtojnë edhe Korçën në jugperëndim të vendit dhe gjatë këtij pushtimi preferojnë që në vend të ngjyrës së flamurit francez të përdorin një flamur të krijuar me motive tradicionale shqiptare[6].

Tokat e Shtetit Osman dhe të Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore pushtohen dhe këto territore shndërrohen në çështje pazarllëku të Shteteve Fituese në Konferencën e Paqes së Parisit. Javën e ardhshme do t’ju flasim për tokat e Anadollit dhe Shqipërisë në bisedimet që u mbajtën pas Luftës së Parë Botërore. (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ / trt

Burimet dhe literatura kryesore:

AKŞİN, Sina ve FIRAT,Melek, “İki Savaş Arası Dönemde Balkanlar” Balkanlar, Ortadoğu ve Balkan İncelemeleri Vakfı Yayınları, İstanbul, 1993, fq.97-124.

Gazeta “Hakimiyeti Milliye”,6 qershor 1926.

MACMİLLAN, Margaret, Paris 1919: 1919 Paris Barış Konferansı ve Dünyayı Değiştiren Altı Ayın Hikâyesi, Çev. Belkıs Dişbudak, ODTÜ Yayıncılık, Ankara, 2004. Gazeta “Hakimiyeti Milliye”, 6 qershor 1926.

TURAN, Mustafa, Millî Mücadele’de Siyasî Çözüm Arayışları 30 tetor 1918-24 korrik 1923, Siyasal Kitabevi, Genişletilmiş 2. Baskı, Ankara, 2005.

[1]Mustafa Turan, Millî Mücadele’de Siyasî Çözüm Arayışları 30 Ekim 1918-24 Temmuz 1923, Siyasal Kitabevi, Genişletilmiş 2. Baskı, Ankara, 2005, fq.38-39.

[2]Turan, fq.39-42.

[3]Hakimiyeti Milliye Gazetesi, 6 Haziran 1926, fq.3.

[4]Sina Akşin, Melek Fırat, “İki Savaş Arası Dönemde Balkanlar” Balkanlar, Ortadoğu ve Balkan İncelemeleri Vakfı Yayınları, İstanbul, 1993, fq.109.

[5]Hakimiyeti Milliye Gazetesi, 6 Haziran 1926, fq.3.

[6], Margaret, Macmillan, Paris 1919: 1919 Paris Barış Konferansı ve Dünyayı Değiştiren Altı Ayın Hikâyesi, Çev. Belkıs Dişbudak, ODTÜ Yayıncılık, Ankara, 2004, fq.353.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne