Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 30-të)

Ndihma ushtarake që qeveria turke i bëri Shqipërisë dhe arsyet. (vijon nga numri i kaluar)

Turqia me Shqipërinë, dy shtetet e fundit me shumicë myslimane që ishin krijuar mbi tokat e Shtetit Osman, për shkak të çështjes së orientit kishin qenë edhe dy vendet që kishin humbur më shumë territore në Ballkan. Po ashtu të dyja vendet gjatë procesit të Luftës së Parë Botërore ishin bërë objekt i pazarllëqeve me anë të marrëveshjeve e traktateve të fshehta dhe ishin pushtuar nga shtetet imperialiste ose nga mashat e tyre. Pushtimet mbi tokat e Turqisë dhe Shqipërisë jo vetëm që vazhduan edhe pas mbarimit të Luftës, por këto dy vende ishin përdorur si çështje pazarllëku nga shtetet fituese në bisedimet e negociatat që u zhvilluan pas Luftës së Parë Botërore pa marrë në konsideratë se në cilin grup aleatësh kishin marrë pjesë në Luftë. Në artikujt e kaluar ju folëm për përpjekjen për pavarësi që ishte filluar nga patriotët e të dy vendeve pas shfaqjes së rrezikut për ti bërë të përhershme pushtimet tek të dyja vendet

Në fillim të viteve 1920 Shqipëria nga njëra anë është një vend, për të cilin bëhen përpjekje për ta mbytur me anë të pushtimeve greke, jugosllave dhe italiane, kurse nga ana tjetër kemi të bëjmë me një vend që përçmohet nga tregjet evropiane. Italia e shikon Shqipërinë si një koloni, përmes të cilës do të mund të shtrihet në Ballkan, madje e shikon atë si një pikë mbështetëse për të realizuar qëllimet e saj imperialiste. Kurse Jugosllavia bën plane për ta ndarë Shqipërinë me Greqinë dhe Italinë. Nga ana tjetër Shqipëria në këtë periudhë është shumë e varfër dhe përmban në vetvete një tablo me një strukturë sociale të ndarë në më shumë pjesë në Evropë.

Fiset në veri të vendit vazhdojnë jetesën e tyre me sistemin e tyre klanor, me kusari e gjakmarrje dhe duke përdorur metoda primitive në bujqësi. Kurse pronarët e mëdhenj të tokave në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut ngrijnë krye kundër atyre që tentojnë të orientojnë ekonominë dhe shoqërinë duke e mbajtur të nënshtruar shumicën e popullsisë me një robëri të pamëshirshme. Shqiptarët që jetojnë në skajin më jugor të vendit janë gati të ndryshojnë identitetin e tyre për të marrë një shkollim të mirë grek. Madje në Shqipërinë e Jugut nuk ka shkolla shqipe, përkundër ekzistencës së një numri të madh shkollash greke. Siç është shprehur edhe më herët, në vitin 1912 Shqipëria ishte shkëputur nga Shteti Osman dhe në vitin 1913 pavarësia e saj ishte njohur me vendimin e marrë në Konferencën e Londrës. Gjatë këtij procesi Shqipëria megjithëse nuk merr pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në aleancat e kohës gjatë Luftës së Parë Botërore vendi pushtohet dhe këto pushtime vazhdojnë edhe pas mbarimit të Luftës. Për këtë arsye shqiptarët detyrohen të bëjnë përpjekje e luftojnë edhe një herë për të rifituar pavarësinë e vendit të tyre[1]. Edhe Shteti Osman si pasojë e Luftës së Parë Botërore ishte përballur me pushtime dhe po ashtu edhe turqit ishin detyruar të luftonin për pavarësi.

Shtetet që pushtuan Turqinë dhe Shqipërinë si dhe përkrahësit e tyre janë të njëjtat vende imperialiste. Armiqtë e përbashkët kishin menduar se pas triumfit të sigurt në një vend do ta pushtonin më me lehtësi vendin tjetër. Në fakt prioritare për shtetet imperialiste ishte shtirja në dorë e Anadollit dhe e tokave turke brenda kufijve të Paktit Kombëtar, doktrinë që mbrohej nga Qeveria e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM). Ata mendojnë se pasi të kenë pushtuar territoret turke do ta kenë më të lehtë për të zaptuar pjesën e dëshiruar të Shqipërisë. Në këtë proces shqiptarët që jetonin dhe punonin brenda strukturës së Shtetit Osman dhe turqit në Shqipëri marrin përsipër role aktivë për fillimin e procesit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve kundër pushtimeve të huaja. Por në këtë proces mbështetja kryesore i është bërë Shqipërisë nga kuadrot drejtuese të Luftës Nacionalçlirimtare Turke, për shkak se këta zotëronin një traditë dhe përvojë rrënjësore në drejtimin e shtetit. Vetëm se një faktor i rëndësishëm në orientimin e ndihmës nga Anadolli drejt Shqipërisë është edhe fakti që lideri i Luftës për Pavarësi, Mustafa Qemal Pasha i njihte nga afër Ballkanin dhe popujt e këtij rajoni

Mustafa Qemal Pashai në dritën e eksperiencës që kishte është i vetëdijshëm se një shtet kombëtar dhe i pavarur shqiptar për arsye te pozicionit në Ballkan është i rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët, por njëkohësisht edhe për të ardhmen e të gjithë Ballkanit dhe të Turqisë. Madje siç u kemi përcjellë në një shkrim të mëparshëm, Mustafa Qemali kur ndodhej në Karslbad për kurim mjekësor (në vitin 1918) kërkon që të shfrytëzojë rastin dhe të hartojë planin për mbrojtjen e Shqipërisë së pushtuar duke shkuar vetë deri në një vend afër kufirit me Shqipërinë.

Vetëm se në këtë proces kemi një detaj që nuk duhet harruar; ashtu siç nuk ka pasur në Shqipëri përfaqësues (diplomatë) as të Qeverisë së Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM) dhe as të Qeverisë Osmane të Stambollit, po ashtu edhe në Anadoll nuk ka pasur përfaqësues shqiptarë. Por shikojmë që Mustafa Qemal Pashai, i cili është burim frymëzimi për shpëtimin e popujve të shtypur e robëruar, i ndjek nga afër zhvillimet duke i vlerësuar nga një perspektivë e gjerë sulmet imperialiste që bëheshin si kundër vendit të tij, ashtu edhe ndaj popujve të vuajtur e të shtypur. Dihet që Mustafa Qemal Pashai në kuadër të kësaj zhvillimet në Shqipëri është munduar ti ndjekë përmes raporteve informative para hapjes së Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM). Si rrjedhim, në raportin e zbulimit të datës 30 mars 1920 të Grupit të Përfaqësuesve të Përhershëm (Heyeti Temsiliye) vihet re që përcillet informacioni se shqiptarët në Korçë kanë protestuar kundër grekëve[2].

Mustafa Qemal Pasha në seancën me dyer të mbyllura që zhvillohet më 1 maj 1920, një javë pas fillimit të punimeve të Kuvendit (TBMM) mban një fjalim drejtuar deputetëve ku jep informacione mbi forcat greke në Shqipëri. Në fjalën e tij Mustafa Qemal Pashai thotë se forcat greke përbëhen afërisht nga 110 mijë vetë dhe se një pjesë e tyre janë dërguar në Maqedoni për shkak të mosmarrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Pushtimet në Shqipëri nuk trajtohen vetëm në bisedimet e fshehta, në seancat e mbyllura të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM) dhe në raportet e zbulimit, por ndiqen nga afër edhe nga shtypi turk i kohës. Në mënyrë të ngjashme edhe shtypi i Shqipërisë[3] e ndjek nga afër me një interes dhe emocion të madh Luftën Nacionalçlirimtare Turke dhe bën përpjekje për ta përkrahur atë.

Pas hapjes së Kuvendit (TBMM) fillojnë edhe ndihmat ushtarake nga Anadolli drejt Shqipërisë. Ushtaraku i parë që shkon në Shqipëri në këtë kuadër është kolonel Hamdi Beu, lidhja e drejtpërdrejtë e të cilit me Mustafa Qemalin dhe Asamblenë e Madhe Kombëtare Turke (TBMM) nuk është përcaktuar dot. Në fakt kolonel Hamdi Beu është me origjinë shqiptare dhe në Shqipëri është një emër që gëzon shumë respekt e dashuri. Aty nga fundi i shtatorit të vitit 1920 Hamdi Beu shkon në Elbasan i shoqëruar nga një delegacion. Me të mbërritur në Shqipëri ai fillon të punojë bashkë me Fehmi Beun, që ishte zv/kryetar i Këshillit Kombëtar, dhe bëhet shef i shtabit madhor të ushtrisë shqiptare[4].

Pa dyshim që emri më i rëndësishëm që ka shkuar nga Turqia në Shqipëri pas kolonelit Hamdi Bej është koloneli i shtabit në pension Selahattin Shuajip Beu. Javën e ardhshme dhe në vijim do të ndajmë me ju shërbimet e Selahatin Shuajip Beut në ushtrinë osmane dhe informacionet lidhur me dërgimin e tij me detyrë në Shqipëri. (vazhdon)

U përgatit nga:Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNI / trt

Burimet dhe literatura kryesore:

Ankara Üniversitesi Türk İnkılâp Tarihi Enstitüsü (TİTE) Arşivi, kutu no:20, gömlek no:62, belge no:62.

ATATÜRK, Mustafa Kemal, Atatürk’ün Söylev ve Demeçleri, Cilt I-III, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 1997.

KAÇİ, Nesip, “Atatürk Arnavutluk’ta Nasıl Değerlendiriliyor?”, Atatürk’ün Ölümünün 50. Yılı Sempozyumu (31 Ekim- 1 Kasım 1988), Ankara Üniversitesi, Ankara, 1988, s. 49-58.

Peyamı Sabah Gazetesi, 11 Mayıs 1921.

TUNAYA, Tarık Zafer, Türkiye’de Siyasal Gelişmeler (1876-1938), İstanbul Bilgi Üniversitesi Yayınları, İstanbul, 2002.

[1]Halil Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011,s.55.

[2]Ankara Üniversitesi Türk İnkılâp Tarihi Enstitüsü (TİTE) Arşivi, kutu no:20, gömlek no:62, belge no:62.

[3]Nesip Kaçi, “Atatürk Arnavutluk’ta Nasıl Değerlendiriliyor?”, Atatürk’ün Ölümünün 50. Yılı Sempozyumu (31 Ekim- 1 Kasım 1988), Ankara Üniversitesi, Ankara, 1988, s. 50.

[4]Peyamı Sabah Gazetesi, 11 Mayıs 1921, s. 1.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne