Detyrat që ka kryer Selahattin Beu (Selaudin Shkoza) në Ushtrinë Osmane dhe kontributi i tij në shpalljen e Kushtetutës së Dytë. (vijon nga numri i kaluar)

Në vitin 1920, kur Anadolli ishte ende i pushtuar, në Shqipëri vazhdonte lufta dhe qëndresa e popullit shqiptar kundër pushtuesve. Gjatë këtij procesi Mustafa Qemal Pashai nuk interesohet vetëm me Anadollin, por edhe me Shqipërinë. Dhe si rrjedhojë e këtij interesimi me qëllim për ta ndihmuar ushtarakisht Selahatin Shuajip Beu dërgohet në Shqipëri, vend që kishte të njëjtin fat me Turqinë. Dhe këtë Mustafa Qemali nuk e bën vetëm për shkak të miqësisë historike mes dy vendeve e popujve, por e bën edhe si një domosdoshmëri strategjike[1]. Krahas arsyeve të mësipërmeve në realizimin e kësaj ndihme ndikon edhe kërkesa e ardhur nga Shqipëria. Ajo që bie në sy këtu është devotshmëria që shfaq një lider, i cili nuk kishte shpëtuar e çliruar ende atdheun e tij nga pushtimi, për të ndihmuar një vend tjetër duke mbështetur përpjekjen për pavarësi të atij vendi. Gjë kjo që është në përshtatje me frymën antiimperialiste të luftës nacionalçlirimtare turke. Këtë situatë Gazmend Shpuza e shpreh me këto fjalë: “Turqia me Shqipërinë në frontin e gjerë antiimperialist kanë qenë pranë njëra-tjetrës”. Pas kësaj hyrjeje të shkurtër le të shikojmë më nga afër çështjen e shkuarjes se Selahatin Beut në Shqipëri.

Kryeministri i Shqipërisë, Ilias Vrioni, postin e Ministrit të Luftës në qeverinë e re që do të krijohej ia propozon kolonelit Selahatin Shuajip Beu, i cili kishte dalë në pension dhe jetonte në Izmir. Dhe Selahattin Shuajip Beu e shikon të nevojshme që para se të vendosë për pranimin apo jo të këtij propozimi të pyesë Kryetarin e Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Qemal Pasha. Mustafa Qemal Pasha në cilësinë e porosisë në 9 dhjetor 1920 i dërgon Selahatin Shuajip Beut një letërpërgjigje të shkruar me dorën e tij, ku thotë:

“9.12.1336 (1920)

Qeveria e Kuvendit të Madh Popullor ndjen një kënaqësi shumë të madhe për zgjedhjen e Selahattin Beut në postin e Ministrit të Luftës së Shqipërisë.

Për arsye se prej një kohe të gjatë nuk arrihet të merren lajme e informacione të sakta e të sigurta nga Shqipëria, qeverisë së Ankarasë s’i ngelet gjë tjetër veç të shprehë mendime dhe dëshira të përgjithshme.

Më poshtë kemi shkruar mendimet dhe dëshirat tona:

Së pari: Ata që kërcënojnë Shqipërinë janë, grekët, sllavët dhe italianët, ndër këta armiq më pak të rrezikshëm janë italianët, prandaj dhe na duket e arsyeshme që për t’ju bërë ballë armiqve të tjerë të mbështeteni tek italianët.

Së dyti: Të bëhen përpjekje për të ndërtuar paqen midis shqiptarëve dhe temat si feja e shtypshkronjat për momentin të lihen mënjanë.

Së treti: Të forcohen lidhjet shpirtërore të Shqipërisë si me qeverinë e Ankarasë, ashtu dhe me pjesën tjetër të botës myslimane. Është e domosdoshme që të gjithë popujt islamë të bashkohen me qëllim që të mbështesin njëri-tjetrin dhe të shpëtojnë nga kjo gjendje. Prandaj dhe duhet punuar për këtë mbështetje.

Me këtë qëllim në Ankara mund të dërgoni një përfaqësues që të kemi lidhje të vazhdueshme dhe në të njëjtën kohë të krijohen lidhje dhe të ruhet kontakti me Talat Pashën që ndodhet në Berlin.

Pasi të kemi arritur të vendosim komunikimin e rregullt mund të shohim se deri në cilën shkallë do të jetë e mundur veprimi ynë i përbashkët dhe çfarë dobish do të sjellë ky bashkëpunim.

Qeveria është shumë e kënaqur nga kjo[2]”.

Para se të hyjmë në brendësi të direktivës duhet që të hedhim dritë mbi një çështje. Edhe pse në kopjen origjinale të letrës nuk ekziston shprehja “Kolonelit të Shtabit në Pension Selahattin Beut që merret me tregti në Antalia”, gjatë përkthimit që i është bërë dokumentit në fjalë kjo shprehje është përdorur. Sipas burimeve që kemi gjetur ne, Selahattin Beu pasi doli në pension u vendos në Izmir dhe këtu ka qenë me detyrë Kryetari i Klubit Shqiptar të Izmirit. Gjatë kërkimeve që kemi bërë nuk kemi hasur në ndonjë informacion apo dokument që tregon se Selahattin Beu është marrë me tregti në Antalia. Pas këtij korrigjimi mund të shikojmë më nga afër përmbajtjen e letrës.

Mustafa Qemali Pasha në direktivën që i jep Selahattin Beut propozon tre strategji themelore për pavarësinë e Shqipërisë dhe këto i ndan përbrenda sipas prioriteteve. Prioriteti i parë i shkruar në porosi është që Shqipëria të bashkëpunojë me Italinë kundër pushtimit grek dhe sllav dhe prioriteti i dytë është që Shqipëria duhet të sigurojë unitetin kombëtar duke u dhënë fund mosmarrëveshjeve brenda vendit. Prioriteti i tretë përmban bashkëpunimin me Qeverinë e Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM) dhe me botën islame. Për të ndjekur rrugët e kësaj zgjidhjeje Mustafa Qemal Pasha e shikon si të nevojshme dërgimin nga Shqipëria të një përfaqësuesi në Ankara dhe kalimin në kontakt me Talat Pashën që në atë kohë gjendej në Berlin. Po të analizojmë detajet e pikave të porosisë së Mustafa Qemal Pashait, i cili demonstron një qasje mjaft realiste ndaj Luftës Nacionalçlirimtare Turke dhe ndaj pavarësisë së Shqipërisë, nëpërmjet Selahattin Shuajip Beut i rekomandon qeverisë shqiptare metodat e përpjekjes për pavarësi që ai kishte zbatuar në Anadoll[3].

Mustafa Qemal Pasha rekomandon që shqiptarët pikë së pari të eliminojnë pushtuesit e tjerë duke bashkëpunuar me Italinë. Ngaqë Italia ishte në pozitën e pushtuesit edhe në Anadoll, Mustafa Qemal Pasha zotëron dijet e duhura në lidhje me këtë vend. Italia nuk kishte marrë dot vendet që i ishin premtuar asaj gjatë Luftës së Parë Botërore në Anadoll dhe në Shqipëri dhe një pjesë e këtyre vendeve në bashkëpunim me Anglinë, Francën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ishin dhënë Greqisë. Për këtë arsye Italia është e zemëruar me Shtetet e Antantës dhe është kundër Greqisë, e cila në të njëjtën periudhë është pushtuese edhe në Anadoll, edhe në Shqipëri. Në të njëjtën kohë brenda Italisë kanë nisur të shfaqet destabiliteti politik. Edhe Italia si pasojë e qëndresës së shqiptarëve kundër pushimit italian në fund të gushtit 1920 i jep fund pushtimit në Shqipëri dhe detyrohet të njohë pavarësinë e Shqipërisë. Kurse grekët e sllavët i vazhdojnë pushtimet e tyre në Shqipëri dhe pushtimi i këtyre vendeve synon aneksimin e territoreve shqiptare. Vetëm se interesat e Italisë në Adriatik dhe Ballkan varen nga ruajtja e integritetit territorial të Shqipërisë dhe dhënien fund pushtimit grek dhe sllav në Shqipëri.

Mustafa Qemal Pasha për kapërcimin e ndasive fetare e sektare ndërmjet shqiptareve dhe privilegjet krahinore si dhe për të finalizuar përpjekjen për pavarësi rekomandon edhe sigurimin e unitetit kombëtar. Dhe kjo është një metodë të cilën Mustafa Qemal Pasha e zbatoi në Luftën Nacionalçlirimtare Turke. Gjatë përpjekjes kombëtare për çlirimin e vendit Mustafa Qemal Pasha nga njëra anë kishte biseduar me kryetarët e fiseve të krahinës juglindore të vendit, ndërsa nga ana tjetër kishte shkuar në Haxhibektash dhe kishte vizituar teqenë e dervishëve.

Pas mbajtjes së Kongresit të Erzurumit, Mustafa Qemal Pasha kërkon të sigurojë unitetin kombëtar dhe për këtë thotë: “…Tek vilajetet dhe krerët e fiseve të lindjes nuk duhet të ketë asnjë hezitim, duhet ruajtur uniteti që kemi…” Për këtë arsye Mustafa Qemal Pasha qarkoren e Kongresit të Erzurumit bashkë me një letër të posaçme, ku shpreh mendimet e tij, ua dërgon kreut të fisit Mutki, Haxhi Musa Beut; agallarëve si Abdurrahmanit nga Shërnaku, Omerit nga Dirshevi, Resulit nga Misari; zotërinjve Sheik Mahmut dhe Sheik Mahmutit nga Nurshini[4]. Mustafa Qemal Pasha si kryetar i Delegacionit të Përfaqësuesve të Përhershëm para se të vinte në Ankara, ditën e 22 dhjetorit 1919 shkon në Haxhibektash (vendi i shenjtë i bektashinjve) dhe takohet me Çelebi Xhemallettin Efendiun dhe ndihmësin e pasardhësit të Dede Haxhibektasit, Baba Nijazi Salihun dhe merr përkrahjen e tyre. Pas thirrjes së Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM) Xhemalletin Efendiu bëhet deputet dhe për një copë kohë kryen edhe detyrën e zv/kryetarit të Presidiumit të Kuvendit [5].

Mustafa Qemal Pasha, rekomandimin që propozon për shqiptarët e zbaton vet në Anadoll dhe arrin që forcat kombëtare dhe shoqatat pas kongreseve që u mbajtën në krahina të ndryshme të Anadollit ti mbledhë nën çatinë e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM). Pasi siguron unitetin kombëtar brenda vendit realizon bisedime dhe lidh marrëveshje në fillim me Bashkimin Sovjetik, pastaj me Italinë dhe Francën dhe udhëheq një luftë më të efektive kundër Greqisë pushtuese. Këto ishin dy pikat e para të porosisë së Ataturkut drejtuar kolonelit me origjinë shqiptare, Selaudin Shkoza, që më vonë u bë Ministër i Luftës në kabinetin Vrioni të Shqipërisë. Javën e ardhshme do të shikojmë më hollësisht pikën e tretë dhe të fundit të kësaj letërporosie. (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNI

Burimet dhe literatura kryesore:

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

ŞİMŞİR, Bilâl N., Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Büyükelçilik Anıları (1985-1988), Ankara, 2001.

YEL, Selma ve ÖZCAN,Halil, “Mustafa Kemal’in Selahattin Saip Bey’i Aranvutluk’ta Görevlendirmesinin Sebep ve Sonuçları”, Atatürk Araştırma Merkezi Dergisi, Cilt:XXIV, sayı:70, s. 57-74.

BAYAR, Celâl, Ben De Yazdım, Millî Mücadeleye Giriş 5, Sabah Kitapları, İstanbul, 1997.

CENGİZ, Halil Erdoğan (Yayına Hazırlayan), Enver Paşa’nın Anıları (1881-1908), Türkiye İş Bankası Kültür Yayınları, İstanbul, 2006.

GÖRGÜLÜ, İsmet, On Yıllık Harbin Kadrosu 1912-1922, TTK Basımevi, Ankara, 1993.

HALILAJ, Isa, “Selahudin Shkoza-Kurorë Lavdie në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare (Në prag të 135 vjetorit të lindjes)”, Revista Koha i, Nisan 2002, numri:75, fq.48-50).

KASAPI,Vangjel, “ Selaudin Shkoza Reformator i Madh Ushtar)”, Rilindja, (10 Mart 1999, numri:14, fq.12.

OKAR, Mehmet Ali, Osmanlı Balkanları’nın Son On Yılı, Hazırlayan: Ahmet Mesut Okar, Türkiye İş Bankası Kültür Yayınları, İstanbul, 2013.

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

ÖZCAN, Halil, ”Emekli Erkânıharp Miralay Selahattin Bey’in II. Meşrutiyet’in İlânına Katkısı”, Atatürk Yolu Dergisi, Bahar 2010, Yıl: 23, numri: 45. fq. 83-102.

Shqipëria e Re, 26 prill 1921.

UZUNÇARŞILI, İsmail Hakkı, Hürriyet Kahramanı Resneli Niyazi Hatıratı, Örgün Yayınevi, İstanbul, 2003.

UZER, Tahsin, Makedonya Eşkiyalık Tarihi ve Son Osmanlı Yönetimi, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1999.

[1] Bilâl N. Şimşir, Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Büyükelçilik Anıları (1985-1988), Ankara, 2001, fq.16.

[2]Atatürk’ün Milli Dış Politikası: (Milli Mücadele Dönemine Ait 100 Belge) 1919-1923, T.C. Kültür Bakanlığı, Atatürk Dizisi, C.1, Ankara, 1994, fq. 209-210. Selma Yel, Halil Özcan, “Mustafa Kemal’in Selahattin Saip Bey’i Aranvutluk’ta Görevlendirmesinin Sebep ve Sonuçları”, Atatürk Araştırma Merkezi Dergisi, Cilt:XXIV, numri:70, fq. 63-64.

[3] Halil Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011, f.64.

[4] Mazhar Müfit Kansu, Erzurum’dan Ölümüne Kadar Atatürk’le Beraber, C.I-II, Türk Tarih Kurumu, Ankara, 1997, fq. 139.

[5] Kansu, po aty, fq. 492-494.

31