Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 34-t)

Reformat e Selaudin Shkozës si Ministër i Luftës në qeverinë e Iljas Bej Vrionit për formimin dhe organizimin e ushtrisë së rregullt shqiptare. (vijon nga episodi i kaluar)

Kur Selahattin Beu mori direktivën nga Ataturku, Shqipëria ishte e pushtuar në jug nga Greqia dhe në veri nga Jugosllavia. Ajo që pritej nga Selahattin Beu ishte të forconte mbrojtjen kundër armiqve të përbashkët, në veçanti kundër Greqisë. Pra në një situatë të tillë Selahattin Beu niset për në Shqipëri. Sipas gazetës së Korçës të asaj kohe mësojmë se Selahattin Beu mbërrin në Tiranë më 8 janar 1921. Lajmin gazeta e ka botuar në faqe të parë të numrit të datës 12 janar 1921[1]. “Gazet’e Korçës” u bën të ditur lexuesve se Selahattin Beu i ka dërguar telegraf Mustafa Qemalit dhe detyrën e Ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë e ka pranuar me pëlqimin e Qeverisë Turke[2].

Lidhur me atë se Selahattin Beu ka shkuar në Shqipëri vetëm apo me një delegacion ushtarak, nëse oficerët që kanë qenë pjesë e këtij delegacioni kanë qenë me origjinë shqiptare apo turke ekzistojnë informacione të ndryshme si në burimet arkivore të Turqisë, ashtu edhe ato të Shqipërisë. Halilaj[3] thotë se Selahattin Beu në Shqipëri ka ardhur me një grup oficerësh shqiptarë prej 250 vetësh. Kurse Kasapi[4] thotë se Selahattin Beu kur kishte ardhur në Shqipëri kishte sjellë me vete 300 oficerë turq, por shton se kjo nuk është vërtetuar. Ndërsa Nexhip Alpan[5] thotë se Selahattin Beu në Shqipëri kishte shkuar me një delegacion ushtarak prej 25 vetësh. Kurse Shimshir (Şimşir)[6] e shikon me shumë rezerva çështjen dhe shkruan se Selahattin Beu në Shqipëria ka shkuar bashkë me një delegacion ushtarak pa dhënë ndonjë numër. Vetëm se në kërkimet dhe hulumtimet që kemi bërë në shtypin turk dhe shqiptar të kohës si dhe në dokumentet arkivore nuk kemi gjetur ndonjë dokument që bën fjalë se Selahattin Beu në Shqipëria ka shkuar i shoqëruar nga një delegacion ushtarak. Vetëm Gazeta e Korçës e datës 22 janar 1921 në një lajm që boton në faqe të parë ndan me lexuesit lajmet që qarkullojnë sikur nga Turqia do të vijnë 300 oficerë dhe do të organizojnë ushtrinë e Shqipërisë. Ne mendojmë se burimi i lajmit lidhur me delegacionin ushtarak që ka shkuar nga Turqia në Shqipëri mund të ketë lidhje me kolonelin e shtabit Hamdi Bej.

Informacioni lidhur me mbërritjen në Shqipëri bashkë me delegacionin që e shoqëronte të Kolonel Hamdi Beut, i cili në Shqipëri kishte shkuar para Selahattin Beut, zë vend në faqen e parë të gazetës “Peyam-ı Sabah” të datës 11 maj 1921. Para se Selahattin Beu të shkonte në Shqipëri, kolonel Hamdi Beu ishte nisur nga Turqia bashkë me një delegacion dhe aty nga fundi i muajit shtator të vitit 1920 mbërrin në Elbasan dhe fillon të punojë bashkë me Fehmi Beun, që në atë kohë ishte zv/kryetar i Këshillit Kombëtar, dhe bëhet shef i shtabit madhor të ushtrisë shqiptare[7]. Në kohën kur Selahattin Beu bëhet Ministër i Luftës, Hamdi Beu vazhdonte të ishte në detyrën e kryekomandantit të ushtrisë shqiptare dhe me një seriozitet të madh punonte për krijimin dhe riorganizimin e ushtrisë shqiptare[8]. Kështu përpjekja e Shqipërisë për rifitimin e pavarësisë përshpejtohet edhe më shumë me ardhjen e Selahattin Beut dhe oficerëve e nëpunësve të tjerë nga Turqia[9].

Në qeverinë e Iljas Bej Vrionit, Selahattin Beu, i cili ishte një ushtarak i disiplinuar në çdo aspekt, me kapacitet, energjik, i drejtë dhe i ndershëm[10] bëhet Ministër i Luftës dhe merr mbiemrin Shkoza[11]. Si një ministër reformist që ishte Selahattin Beu[12] bën ndryshime rrënjësore në ushtrinë e Shqipërisë dhe punon për riorganizimin e saj[13]. Para se Selahattin Beu të bënte rregullimet ligjore kemi përpjekje për drejtimin e ushtrisë shqiptare sipas ligjeve të ushtrisë osmane. Selahattin Beu në të njëjtën kohë mendon se ushtria e re shqiptare duhet krijuar në përshtatje me modelet perëndimore dhe bëhet një nga ideatorët dhe reformatorët e ushtrisë kombëtare të Shqipërisë[14].

Selahattin Beu bën rregullimet e para ligjore për ushtrinë shqiptare, e pastron ushtrinë nga politika dhe përcakton me ligj rregullat e dorëheqjes, karrierës në ushtri, dhe sipas një rregullimi të sjellë prej tij oficerët pasi janë larguar ushtria do të qëndrojnë në rezervë për një periudhë 1-2 vjeçare[15]. Nën drejtimin e Selahattin Beut bëhen rregullime të rëndësishme ligjore si statusi i oficerëve të karrierës dhe atyre rezervë, statusi i nënoficerëve, statusi i familjeve të ushtarakëve dhe fëmijëve jetimë dhe shërbimi i detyruar ushtarak prej 24 muajsh si dhe nxirren rregullore të tjera përkatëse. Këto rregullime ligjore më vonë përdoren për vite të tëra në ushtrinë moderne shqiptare.

Në fillim Selahattin Beu krijon shtabin e tij dhe më pas edhe shtabin e përgjithshëm të ushtrisë. Oficerët e mirinformuar dhe me përvojë shqiptarë Selahattin Beu i merr në shtabin e tij[16]. Selahattin Beu përgatit për herë të parë uniformën e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Si ministër që ishte ai nuk qëndron vetëm në zyrë, por interesohet posaçërisht vet me përgatitjen e reparteve të këmbësorisë, kalorësisë dhe artilerisë. Drejtimi i rregullt i ushtrisë i habit krerët e shtetit shqiptar[17] duke siguruar që edhe ata të kenë besim tek vetja e tyre. Parada e parë që bëhet më 25 prill 1921 me rastin e hapjes së Parlamentit Shqiptar realizohet me njësitë e rregullta që kishte krijuar Selahattin Beu, i cili për këtë punë të suksesshme përgëzohet edhe nga Aqif Pashë Elbasani, që ishte Kryetari i Këshillit të Lartë[18].

Me marrjen e drejtimit të ushtrisë nga Selahattin Beu dhe Hamdi Beu plotësohen mangësitë e ushtrisë shqiptare dhe Milicia Shqiptare që u forma në këtë periudhë perceptohet si një kërcënim serioz brenda Greqisë[19]. Gjatë qëndrimit në Shqipëri Selahattin Beu i përveshet një pune intensive dhe duke punuar natë e ditë ai bën përpjekje për ta kaluar ushtrinë shqiptare nga sistemi i çetave në një ushtri të rregullt duke u mbështetur në parimet e drejtimit turk të ushtrisë[20].

Selahattin Beu pasi nxjerr ligjet dhe rregulloret lidhur me ushtrinë shqiptare bën përpjekje intensive edhe për rekrutimin e personelit që kishte nevojë kjo ushtri. Dhe për këtë qëllim ai formon në Tiranë edhe një Komision Hetues Ushtarak[21]. Pavarësisht se ishte kohë lufte Selahattin Beu vepron me shumë rigorozitet në krijimin e ushtrisë së rregullt, si gjatë rekrutimit të personelit ashtu edhe në promovimin e tyre në detyrë, duke përfituar edhe nga puna e komisionit hetues, por edhe nga informacionet e oficerëve me grada të larta që i njihnin këta persona të interesuar për të punuar në ushtrinë e re shqiptare. Ministria e Luftës i drejtohet me shkresë zyrtare qeverisë për rekrutimin dhe gradimin e personelit të ri, për të cilin kishte marrë vendim për pranimin e tij në ushtri bazuar në hetimet e nevojshme të komisionit, dhe më pas qeveria emrat që i shikonte të përshtatshëm ia dërgonte për dekretim Këshillit të Lartë që përfaqësonte shtetin shqiptar.

Sipas Halilaj Selahattin Beu formon korpuset e vendosura secili në vend të ndryshëm dhe të përbërë nga tre njësi moderne[22]. Divizionin e parë ai e formon në bazë të sistemit tresh (regjiment-batalion-kompani) dhe çdo regjiment ka edhe nga një kompani mitralozash dhe një bateri artilerie. Formon gjithsej 4 regjimente, i pari me qendër në Shkodër, i dyti në Elbasan, i treti në Korçë dhe i katërti në Gjirokastër[23]. Përveç këtyre formon edhe batalione speciale në kufi, të cilat vareshin direkt nga ministria e mbrojtjes[24]. Ushtria shqiptare, për formimin dhe përgatitjen e të cilës ishte interesuar nga afër Selahatin Beu, i cili kishte ndërtuar edhe infrastrukturën e nevojshme ligjore, megjithëse ishte një ushtri e vogël e përbërë nga vetëm disa mijëra vetë, brenda një kohe të shkurtër ajo shndërrohet në një ushtri të shkëlqyer nga aspekti i pajimeve dhe disiplinës.

Ashtu siç e kishte parashikuar edhe Mustafa Qemali, Greqia dhe Jugosllavia fillojnë e shqetësohen shumë për faktin që ushtria shqiptare, e formuar me përpjekjet e Ministrit të Luftës Selahattin Bej, kishte arritur tani në një nivel të shkëlqyer për sa i takon armatimit, municionit dhe organizimit[25]. Si pasojë e kësaj Greqia detyrohet të veçojë dhe vërë në dispozicion më shumë trupa në kufirin e saj me Shqipërinë.

U përgatit nga:Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ / trt

Burimet dhe literatura kryesore:

ALPAN,Necip P.,”Arnavutluk ve Arnavutlar”, Türk Dünyası Tarih Dergisi, Janar 1998, fq. 31-35.

ALPAN, Necip P., “Türkiye İle Arnavutluk’un İstiklâl Savaşlarındaki Parelelizm Doğrultusunda Yaptıkları İşbirliği”, X.Türk Tarih Kongresi, Kongreye Sunulan Bildiriler VI.Cilt, TTK Basımevi, Ankara, 1994, fq.2897-2904.

ARKIVI QENDROR I SHTETIT TIRANE- ALBANIA (AQSH) Fon:149, tarih:1921, Dosya II-42, fq. 200.

HALILAJ,Isa, “Selahudin Shkoza-Kurorë Lavdie në Ushtrinë Kombëtare Shqiptqre (Në prag të 135 vjetorit të lindjes)”, Revista Koha, 16 Prill 2002, Nr.75, fq. 48-50.

Gazet’e Korçes

KASAPI, Vangjel, “Selaudin Shkoza Reformator i Madh Ushtarak” Rilindja, 10 mars 1999, sayı:14, fq.12.

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

Gazeta “Peyam-ı Sabah”

Shqiperi e Re

ŞİMŞİR, Bilâl N., Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Büyükelçilik Anıları(1985-1988), Asam Yayınları, Ankara, 2001.

Gazeta “Vakit”

Gazeta “Yeni Gün”

[1]Gazet’e Korçes, 12 Janar 192, fq. 1.

[2]Gazet’e Korçes, 15 Janar 192, fq. 1.

[3] Isa Halilaj, “Selahudin Shkoza-Kurorë Lavdie në Ushtrinë Kombëtare Shqiptqre (Në prag të 135 vjetorit të lindjes)”, Revista Koha, 16 Prill 2002, Nr.75, fq. 48-49.

[4]Vangjel Kasapi,“Selaudin Shkoza Reformator i Madh Ushtarak” Rilindja, 10 mars 1999, nr.14, fq.12.

[5]Necip P. Alpan,”Arnavutluk ve Arnavutlar”, Türk Dünyası Tarih Dergisi, Janar 1998, fq. 34. Necip P. Alpan, “Türkiye İle Arnavutluk’un İstiklâl Savaşlarındaki Parelelizm Doğrultusunda Yaptıkları İşbirliği”, X.Türk Tarih Kongresi, Kongreye Sunulan Bildiriler VI.Cilt, TTK Basımevi, Ankara, 1994, fq.2901.

[6]Bilâl N. Şimşir, Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Büyükelçilik Anıları(1985-1988), Asam Yayınları, Ankara, 2001, fq.16.

[7]Gazeta Peyam-ı Sabah, 11 maj 1921, fq. 1.

[8]A.Yeni Gün, 16 maj 1921, fq. 1, Vakit, 11 maj 1921, fq. 1.

[9]Halil Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011, fq.74 dhe në vazhdim.

[10]Shqiperi e Re, 26 Nisan 1921, fq.3.

[11]Halilaj, po aty, fq. 48-50.

[12]Halilaj, po aty, fq. 48-50.

[13]Shqiperi e Re, 26 Nisan 1921, fq. 3.

[14]Halilaj, po aty, fq. 48-50.

[15]Halilaj, www.shekulli.com,30 tetor 2008.

[16]Kasapi, po aty, fq. 12.

[17]Kasapı, po aty, fq. 12.

[18]Halilaj, po aty, fq. 48-50. Halilaj, www.shekulli.com, 30 tetor 2008.

[19]Gazeta Yeni Gün, 24 gusht 1920, fq. 1.

[20]Gazeta Vakit, 21 mars 1921, fq.1.

[21]Arkıvi Qendror i Shtetit Tiranë – Albania (AQSH), Fon:149, tarih:1921, Dosya II-42, fq. 200.

[22]Halilaj, po aty, fq. 48-50.

[23]Gazeta Vakit, 11 maj 1921, fq. 1.

[24]Kasapi, po aty, fq. 12.

[25]Gazeta Vakit, 8 maj 1921, fq.1.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne