Pasqyrimi i përpjekjeve të Shqipërisë për të rifituar pavarësinë në shtypin turk të kohës. (vijon nga episodi i kaluar)

Gazeta lajmet, dëshmitë e ngjarjeve historike i pasqyron të freskëta. Këto informacione për shkencën e historisë vlerësohen si plotësuese të dokumenteve arkivore dhe sigurojnë mundësinë për ti vlerësuar ngjarjet e zhvillimet nga një perspektivë më e gjerë. Në këtë kuadër duke u nisur nga studimi i shtypit të kohës ndiqen gjurmët e disa ngjarjeve dhe këto ndikojnë mbi shkaqet dhe përfundimet e ngjarjeve të tjera. Krahas kësaj veçorie të shtypit nuk duhet harruar fakti që në disa ngjarje shtypi mund të mos jetë asnjanës dhe mund të orientohet nga fuqi apo grupe të caktuara interesi. Kështu që edhe informacionet që zënë vend në shtyp duhen parë me rezerva.

Gjatë hulumtimeve që i bëmë shtypit të kohës na ra në sy që lajmet në lidhje me Shqipërinë pas vitit 1912, vit kur Shqipëria shpalli pavarësinë, nuk kanë zënë një vend të mjaftueshëm në shtypin turk. Në fillim të shikojmë shkaqet e kësaj dhe pastaj duke filluar që nga java e ardhshme të analizojmë me detaje reflektimin në shtypin turk të përpjekjes së Shqipërisë për pavarësi, që është edhe objekti i temës. Siç e kemi sqaruar edhe në shkrimet e mëparshme Kongresi Shqiptar i mbledhur në Vlorë nën drejtimin e Ismail Qemal Beut, pas Luftës së Parë Ballkanike, më datën 28 Nëntor 1912 kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë, por menjëherë pas kësaj Shqipëria nuk kishte mundur të pengonte pushtimin e saj nga fqinjët. Në krye të Shtetit të Shqiptar, i njohur si shtet i pavarur, ishte caktuar Princ Vidi me origjinë gjermane. Vetëm se Princi gjerman pa e krijuar ende mirë autoritetin në vend plasi Lufta e Parë Botërore dhe pas rreth 6 muaj qëndrimi në këtë vend princi detyrohet ta braktisë Shqipërinë. Një paqartësi e tillë në Shqipëri e shndërroi këtë të fundit në objekt të ndarjeve e copëtimeve të fshehta që u bënë gjatë Luftës së Parë Botërore në kurriz të Shqipërisë.

Konferenca e Ambasadorëve që u mblodh në Londër pas Luftërave Ballkanike në mbledhjen e datës 29 korrik 1913 vendosi që Shqipëria të jetë një shtet i pavarur dhe me shpalljen e pavarësisë tani nuk i kishte mbetur më asnjë lidhje suzereniteti me Shtetin Osman. Mirëpo duke qenë se Shteti Osman nuk ishte informuar zyrtarisht mbi vendimin e Konferencës së Ambasadorëve për Shqipërinë, deri në datën 26 gusht 1922 Shteti Osman nuk e kishte njohur pavarësinë e Shqipërisë. Gjatë këtij procesi dhjetëvjeçar Shteti Osman nuk ishte interesuar aq sa duhet me Shqipërinë për shkak të angazhimeve që kishte me Luftën e Tripolit, Luftërat e Ballkanit, Luftën e Parë Botërore dhe Periudhën e Armëpushimit dhe për këtë arsye edhe lajmet në lidhje me Shqipërinë nuk ishin pasqyruar shumë në shtypin e kohës. Gazeta “Hakimiyet-i Milliye” e ndjeu këtë mangësi dhe i kërkon korrespondentit të saj në Tiranë që të përgatisë një seri shkrimesh që përfshijnë periudhën në fjalë, të cilat fillon ti botojë në muajin maj të vitit 1926 nën titullin “Letrat nga Shqipëria” (Arnavudluk Mektupları).

Shkrimin e parë gazeta“Hakimiyet-i Milliye” e botoi nëfaqen e tretëtë numrit të datës 28 maj 1926 nën titullin “Letrat e Shqipërisë, Një Vështrim mbi Jetën 13-vjeçare të Shqipërisë së Re”. Në vijim të shkrimit nën titullin tjetër “Si u formua Shqipëria?” gazeta ndalet në pushtimet e Shqipërisë nga vendet fqinje gjatë procesit të pavarësimit të saj dhe përcjell informacione mbi politikat e Rusisë Cariste dhe të Shteteve Sllave të Ballkanit ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit në përgjithësi. Gjithashtu në këtë artikull gazeta shkruan edhe mbi procesin e Konferencës së Londrës, Mbrojtjen e Shkodrës, fundin e marrëdhënieve turko-shqiptare, aktivitetin e Esat Pashë Toptanit dhe krijimin e qeverisë, caktimin e Princ Vidit si mbret i Shqipërisë etj.[1]

Seria e dytë e “Letrave nga Shqipëria” botohet sërish në faqen e tretë të gazetës “Hakimiyet-i Milliye” të datës 30 maj 1926 nën titullin “Rënia e Qeverisë së Princ Vidit”. Përmes këtij shkrimi gazeta informon lexuesit mbi të kaluarën e princit, caktimin e tij në krye të shtetit shqiptar, krijimin e qeverisë në Shqipëri, propaganda që kishin bërë kundër Princit brenda Shqipërisë Italia me Serbinë dhe Greqinë, vende të cilat kishin pretendime territoriale ndaj Shqipërisë dhe nuk e duronin dot faktin që Shqipëria ishte bërë shtet i pavarur. Përveç kësaj gazeta flet për opozitarizmin në Shqipëri kundër qeverisë së Princit, fillimi i Luftës së Parë Botërore, largimin e Princ Vitit nga Shqipëria, qeverinë e krijuar nga Esat Pashë Toptani dhe kryengritja e mbështetur nga Austria kundër Esat Pashës. Gjithashtu gazeta flet për aktivitetin e Greqisë për të vendosur Korçën, të cilën Konferenca e Londrës ia kishte lënë Shqipërisë, nën sovranitetin e qeverisë autonome të Epirit duke vënë në lëvizje komitët e Epirit të Veriut. Gazeta u përcjell me detaje lexuesve ngjarjet që rrodhën në këtë kohë, se si komitët e Epirit të Veriut kishin djegur e shkatërruar vendbanimet shqiptare duke e detyruar popullatën vendase të pambrojtur të internojë, duke mos bërë dallime në gra, fëmijë apo të moshuar, flet për djegien e fshatrave, se si komitët grekë i kishin mbledhur njerëzit nëpër xhami dhe i kishin masakruar në mënyrë kolektive[2].

Shkrimi i tretë botohet në numrin e datës 6 qershor 1926 të gazetës “Hakimiyet-i Milliye” nën titujt“Një Vështrim mbi të kaluarën politike 14-vjeçare të Shqipërisë së re” dhe “Si e kaloi Shqipëria e re Luftën Botërore”. Në këtë artikull gazeta shkruan mbi lëvizjet e Esat Pashë Toptanit, se si i shpalli luftë Turqisë, Gjermanisë dhe Austrisë duke iu afruar Shteteve të Antantës me fillimin e Luftës së Parë Botërore; për strehimin e serbëve dhe malazezve në tokat e Shqipërisë, që për këto shtete tokat shqiptare ishin më të sigurta përballë sulmeve të Gjermanisë, Austrisë dhe Bullgarisë; për pushtimin e Shqipërisë nga Austria, Franca dhe Italia gjatë Luftës së Parë Botërore; për pushtimin nga forcat italiane dhe serbe të Shqipërisë së Veriut të boshatisur nga Austria pas Luftës së Parë Botërore; pushtimin e Shkodrës nga ushtarët francezë në emër të Shteteve të Antantës; krijimin e kabinetit të Turhan Pashës në kongresin e mbledhur në Durrës me imponim të Italisë si dhe krijimi nga ky kabinet i një delegacioni që do të merrte pjesë në Konferencën e Paqes së Parisit. Si shtesë të këtyre zhvillimeve gazeta sqaron më tej mbi mbledhjen e Kongresit të Lushnjës nën drejtimin e Aqif Pashë Elbasanit pas dështimit të kabinetit të Turhan Pashës (2 shkurt 1920)[3], mbi Këshillin e Naltë prej katër vetësh që u krijua në këtë kongres për të përfaqësuar shtetin dhe caktimin në krye të ministrive të qeverisë së kryesuar nga Sulejman Delvina të patriotëve shqiptarë si dhe njohjen e kufijve të vitit 1913 nga kjo qeveri[4]. Po e njëjta gazetë në numrin e datës 8 qershor 1926 rrëfen procesin e krijimit të Republikës së Shqipërisë[5]. Gazeta“Hakimiyet-i Milliye” duke e informuar opinionin publik turk mbi procesin e pavarësisë së Shqipërisë dhe periudhat e ripushtimit është përpjekur të evitojë një mangësi të rëndësishme në lidhje me këtë periudhë. Shkrimin e kësaj jave po e mbyllim duke ndarë me ju edhe një informacion në lidhje me gazetën “Hakimiyet-i Milliye”. Kjo gazetë është themeluar në Ankara me mbështetjen e Përpjekjes Kombëtare Turke dhe të Ataturkut dhe ka përkrahur revolucion dhe reformat turke. Në shkrimin e ardhshëm do të shikojmë pasqyrimin në shtypin turk të luftës së Shqipërisë kundër Italisë për pavarësi. (vazhdon)

U përgatit nga:Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ / trt

Burimet dhe literatura kryesore:

Gazeta “Hakimiyet-i Milliye”, 28 Maj 1926, fq.3.

Gazeta “Hakimiyet-i Milliye”,30 Maj 1926, fq.3.

Gazeta “Hakimiyet-i Milliye”,6 Qershor 1926,fq.3.

Gazeta “Hakimiyet-i Milliye”, 8 Qershor 1926, fq.2.

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

[1]Gazeta “Hakimiyet-i Milliye”, 28 maj 1926, fq.3.

[2]Gazeta “Hakimiyet-i Milliye”,30 maj 1926, fq.3.

[3]Halil Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011,fq.46-48.

[4]Gazeta “Hakimiyet-i Milliye Gazetesi”, 6 Qershor 1926,fq.3. Gazete 8 Qershor 1926 günü de 2. sayfasında Arnavutluk’ta cumhuriyetin nasıl teşekkül ettiğini açıklayan yazıyı yayımlamıştır.

[5]Gazeta “Hakimiyet-i Milliye Gazetesi”, 8 Qershor 1926, fq.2.

23