Qëndrimi i Turqisë ndaj shqiptarët të këmbyer në kuadër të marrëveshjes turko-greke për këmbimin e popullsisë nënshkruar në Lozanë. (vijon nga numri i kaluar)

 

Duke e pastruar zonën e Epirit nga shqiptarët myslimanë, përmes vendosjes në shtëpitë e tyre të grekëve të ardhur nga Anadolli, Greqia synon që të eliminojë pretendimet e Shqipërisë për këtë krahinë (Çamërinë). Për këtë qëllim në kundërshtim me vendimet e marra në bisedime (në Lozanë) Greqia i përshpejton edhe një herë punimet për të përfshirë në procesin e shkëmbimit Shqiptarët myslimanë që jetonin në vendin e saj. Qëllimi i Greqisë është që në këmbim të grekëve të shpërngulur nga Turqia të përfshijë me forcë në shkëmbim myslimanët që jetonin në ishullin e Kretës dhe në zonat afër kufirit me Shqipërinë[1].

Prapa politikës së Greqisë për të pastruar zonën e Epirit nga shqiptarët myslimanë qëndrojnë dy shkaqe kryesore. Shkaku i parë është eliminimi i pretendimeve të Shqipërisë për krahinën e Çamërisë duke vendosur këtu grekët që do të vinin nga Anadolli. Kurse shkaku i dytë është shfaqja e vështirësive ekonomike në Greqinë me 4,5 milionë banorë pas Luftës së Parë Botërore dhe pas disfatës që kishte pësuar në Anadoll[2]. Fakti që për shkak të shkëmbimit në Greqi do të vijnë edhe 1,3 milionë banorë të tjerë i shtyn liderët grekë që të veprojnë në kundërshtim me marrëveshjen e arritur në Lozanë për skkëmbimin e popullsisë, ngandonjëherë ata tentojnë të përfshijnë në procesin e shkëmbimit edhe shqiptarët myslimanë, ngandonjëherë tjetër ata pengojnë zbatimin e marrëveshjes. Pas këtyre pengesave (që nxorën grekët) çështja e shkëmbimit në vitin 1925 i dërgohet për diskutim Lidhjes së Kombeve dhe prej këtu kalon në Gjykatën e Drejtësisë[3].

Greqia duke përfshirë në shkëmbim edhe shqiptarët myslimanë, të cilët nuk bënin pjesë në objektin e marrëveshjes dhe jetonin brenda kufijve të Greqisë, e interpreton marrëveshjen e shkëmbimit të popullsisë mbi bazë fetare. Vetëm se Greqia përveç grekëve ortodoksë në vendin e saj nuk pranon arabët ortodoksë dhe të krishterët e tjerë (të Turqisë) duke rënë kështu në kontradiktë me veten e saj lidhur me zbatimin e marrëveshjes së shkëmbimit. Çështja se do të përfshihen apo jo në shkëmbimin e popullsisë arabët ortodoksë që jetonin në Mersin (Turqi) diskutohet edhe në mbledhjen e Komisionin (ndërkombëtar) e Përzier të Shkëmbimit të Popullsisë. Në fund të diskutimeve merret vendim që shqiptarët myslimanë në Greqi dhe grekët katolikë e arabët ortodoksë në Turqi duhet të përjashtohen nga shkëmbimi i popullsisë[4]. Anëtarët grekë të komisionit si arsyetim për këtë parashtrojnë tezën që arabët ortodoksë nuk kanë asnjë lloj lidhjeje, as lidhje kombëtare me ata (grekët)[5]. Por pavarësisht qasjeve të tilla të përfaqësuesve grekë në komision, autoritetet zyrtare greke nuk heqin dorë nga zbatimi i planit për të përfshirë në procesin e shkëmbimit edhe shqiptarët myslimanë të krahinës së Çamërisë në Epir.

Pas nënshkrimit të Traktatit të Paqes së Lozanës Turqia përcakton regjimin politik që do të kishte shteti i ri turk dhe në bazë të kësaj Ankaraja zyrtare fillon edhe aktivitetin e organizimit të institucioneve shtetërore. Me qëllim për të marrë masat e duhura urgjente gjatë procesit të realizimit të shkëmbimit të popullsisë në 13 tetor 1923 krijohet Ministria e Shkëmbimit, Rindërtimit dhe Popullimit (Mübadele, İmar ve İskân Vekâleti). Deputeti i Izmirit, Mustafa Nexhati Bej më 20 tetor zgjidhet ministër i kësaj ministrie dhe në 8 nëntor ai nxjerr nga parlamenti Ligjin për Shkëmbimin, Rindërtimin dhe Popullimin[6]. Pas një strukturimi të tillë Turqia përcakton mjetet që do të sigurojnë transportin e atyre që presin për t’u sjellë në Anadoll në kuadër të marrëveshjes së shkëmbimit të popullsisë. Ndërkohë caktohen vendet ku do të vendosen të shkëmbyerit dhe përshpejtohen përgatitjet e popullimit në këto vendbanime si dhe deklarohet që shkëmbimi i popullsisë do të fillojë më 10 nëntor 1923[7].

Ambasadori i Shqipërisë në Athinë, Mit’hat Frashëri pasi nuk merr rezultate nga bisedimet e takimet që realizon me autoritetet greke, me Lidhjen e Kombeve dhe me Komisionin e Përzier të Shkëmbimit të Popullsisë kalon në kontakt me Turqinë, e cila ishte pala tjetër e këtij shkëmbimi, dhe bën përpjekje për të penguar dërgimin e shqiptarëve myslimanë të Greqisë në Turqi. Për këtë qëllim Frashëri vjen në Stamboll dhe takohet këtu me Konsullin e Shqipërisë, me qytetarët me origjinë shqiptare, me autoritetet turke si dhe me Kryetarin e Komisionit të Përzier të Shkëmbimit të popullsisë që ishte krijuar për konkretizimin e marrëveshjes. Përshtypjet e tij njëjavore në Stamboll Frashëri ia komunikon Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë me anë të telegrafit të datës 11 tetor 1924. Sipas telegrafit gjatë qëndrimit në Stamboll Frashëri takohet edhe me Tevfik Ryshty Beun (Tevfik Rüştü Bey), i cili ishte Kryetari i Komisionit Turk për Shkëmbimin e Popullsisë. Në këtë takim Frashëri mëson se Ankaraja (Qeveria Turke) në bazë të letrës që Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë i kishte dërguar Ismet Pashit kishte marrë vendim për të mos pranuar në Turqi çamët e shpërngulur nga Greqia. Por Frashëri thotë se ky vendim në praktikë nuk ka asnjë rëndësi, për arsye se ai nuk i është përcjellë Komisionit të Përzier të Shkëmbimit të Popullsisë. Si rrugëzgjidhje Frashëri propozon që Qeveria e Shqipërisë ti drejtohet Lidhjes së Kombeve dhe të arrijë të bindë Komisionin (ndërkombëtar) të Përzier të Shkëmbimit (të popullsisë) për të marrë një vendim ndërkombëtar, sipas të cilit Turqia të mos pranojë çamët e Greqisë[8].

Në realitet kushtet ekonomike dhe politike nuk janë të përshtatshme që Qeveria Turke të pranojë në kuadër të shkëmbimit popullsinë shqiptare myslimane (të Greqisë). Për këtë arsye autoritet turke dalin kundër ardhjes në Turqi në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së shkëmbimit të popullsisë të shqiptarëve myslimanë që jetonin në Greqi.

Ashtu si Shqipëria, edhe Turqia nuk është për detyrimin e shqiptarëve myslimanë që banojnë në Greqi të shpërngulen nga atdheu i tyre. Më herët është thënë që një qëndrim i tillë i Ankarasë zyrtare bën pjesë edhe në procesverbalet e bisedimeve të Lozanës. Çështja e përfshirjes në shkëmbim nga ana e Greqisë edhe të shqiptarëve myslimanë që jetonin në Greqi në kuadër të zbatimit të marrëveshjes turko-greke për shkëmbimin e popullsive bëhet shkak për korrespondencë edhe ndërmjet autoriteteve turke. Në një situatë të tillë të paqartë Ministria turke e Punëve të Brendshme kërkon sqarim lidhur me atë se çfarë nënkupton fjala “shqiptar”, cilët do të quhen e pranohen për shqiptarë. Ministria e Punëve të Jashtme në shkresën e datës 10 shtator 1339 (1923) që i dërgon Ministrisë së Punëve të Brendshme i bën të ditur se shprehja “shqiptar” përfshin të gjithë ata që kanë lidhje race dhe gjaku (siç pretendohet). Kurse Ministria e Punëve të Brendshme këtë opinion ia bën të ditur me shkresën e datës 20 nëntor 1923 edhe Ministrisë së Shkëmbimit, Rindërtimit dhe Popullimit[9].

Ministria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale (Sıhhiye ve Muavenet-i İctimaiye Vekâlet-i) me shkresën numër 43405/4630 të datës 11 shtator 1923 i bën të ditur Ministrisë së Punëve të Brendshme se nuk duhet lejuar ardhja e asnjë individi “shqiptar” në kuadër të shkëmbimit të popullsisë, për faktin se shqiptarët nuk bëjnë pjesë në marrëveshjen e shkëmbimit. Ministria e Punëve të Brendshme u dërgon nga një qarkore të gjitha vilajeteve, përmes të cilës u bën të ditur çështjen se shqiptarët myslimanë nuk duhet të pranohen (në Turqi) në kuadër të shkëmbimit të popullsisë. Por me sa duket në mesin e të shkëmbyerve që kishin ardhur nga Greqia në Izmir do të ketë pasur edhe shqiptarë myslimanë, që Prefektura e Izmirit i drejtohet me një shkresë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kërkon prej kësaj sqarime se cilat fshatra (kaza) në Greqi janë “shqiptare” (të banuara nga shqiptarë). Dhe Ministria turke e Punëve të Brendshme me shkresën e datës 20 nëntor 1923 dhe me numër 1397/8540 pyet për këtë çështje Ministrinë e Shkëmbimit, Rindërtimit dhe Popullimit[10].

Siç kuptohet edhe nga korrespondenca e autoriteteve turke, Turqia në fakt është përpjekur të mbajë sa ka pasur mundësi një qëndrim korrekt në lidhje me shpërnguljen dhe shkëmbimin e popullsisë. Pasi nuk duhet harruar që Turqia ishte e lodhur nga një luftë dhjetëvjeçare dhe përveç Greqisë ajo kishte pranuar edhe emigrantët që kishin ardhur nga Ballkani dhe Kaukazi. Nga ana tjetër Turqia përpiqej të ndërtonte një regjim të ri në aspektin politik, kështu që ajo kishte ndrojtje se në qoftë se të ardhurit (nga Greqia) i vendoste në grupe të mëdha në një zonë të caktuar, atëherë mund të krijonte me duart e saj një opozitë kundër regjimit të ri që synonte të krijonte.

Nëpunësi turk në ambasadën holandeze në Athinë i përcjell Ministrisë së Punëve të Jashtme informacionin që myslimanët (shqiptarët) e Epirit për shkak të presionit që ushtrohet kundër tyre nuk kanë zgjidhje tjetër përveç largimit. Ministria e Punëve të Jashtme me shkresën e datës 4 shtator 1923 e informon Ministrisë e Punëve të Brendshme mbi situatën në fjalë[11]. Dhe Ministria e Punëve të Brendshme në datën 12 shtator ia përcjell notën Kryeministrisë[12].

Nga kjo korrespondencë zyrtare del se me rritjen e presionit grek kundër shqiptarëve myslimanë, këta të fundit i janë drejtuar komisionit (të shkëmbimit) dhe pas miratimit të gjendjes së tyre nga komisioni ndërkombëtar Turqia i ka pranuar shqiptarët myslimanë si të shkëmbyer. Përcaktimin tonë e konfirmojnë edhe burime të Shqipërisë. Sipas Akademisë së Shkencave të Shqipërisë megjithëse shkëmbimi i popullsisë zyrtarisht kishte ndaluar, në janar të vitit 1927 ndodh një zhvillim interesant. Qeveria e Kondilis-it do të ndërmarrë një nismë të re për shpërnguljen e shqiptarëve që kishin mbetur në Greqi. Qeveria greke kërkon nga qeveria turke që të hapë dyert për shqiptarët e Greqisë. Por Ankaraja zyrtare këtë kërkesë e refuzon me arsyetimin se bie ndesh me vendimet e Lidhjes së Kombeve dhe me kërkesat e shqiptarëve të Çamërisë, të cilët në bazë të premtimeve dhe zotimeve të qeverisë greke kishin të drejtë (për të mos u përfshirë në procesin e shkëmbimit të popullsisë)[13].

Si përfundim bazuar në raportet e Frashërit dhe të burimeve turke nga zona e Çamërisë 15 mijë prodhues duhani dhe 40 mijë bujq (shqiptarë myslimanë), pra gjithsej rreth 55 mijë vetë përfshihen në procesin e shkëmbimit dhe dërgohen në Turqi[14]. Gjatë procesit të negociatave në Lozanë Turqia nuk kishte dashur ti pranonte shqiptarët si të shkëmbyer me arsyetimin se me boshatisjen e zonës së Çamërisë në Greqi nga shqiptarët myslimanë, do të eliminoheshin edhe pretendimet shqiptare për këtë krahinë. Vlerësimi në drejtim të përfshirjes në shkëmbim që Komisioni i Përzier (i ngritur për Shkëmbimin e Popullsisë turko-greke) u bëri shqiptarëve myslimanë të Greqisë dhe mos-mbetja e asnjë zgjidhjeje tjetër përveç mërgimit e detyroi Qeverinë Turke që ti pranojë shqiptarët e shkëmbyer në vendin e saj. (vazhdon)

U përgatit nga:Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ / trt

Burimet dhe literatura kryesore:

Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Historia e Popullit Shqiptar III, Tiranë, 2007.

ARI, Kemal, Büyük Mübadele, Türkiye’ye Zorunlu Göç (1932-1925), Tarih Vakfı Yurt Yayınları, İstanbul, 1995.

Başbakanlık Cumhuriyet Arşivi (BCA), fon kodu: 272.11, yer no:16.67.10.

BCA, 1923, fon kodu: 272 11, yer no:16.68.9.

BCA, 1923, fon kodu:272.11. yer no: 16.66.1.

BCA, 1923, fon kodu:030.10, yer no:233.570.

DEMİRÖZÜ, Damla, Savaştan Barışa Giden Yol, Atatürk-Venizelos Dönemi Türkiye-Yunanistan İlişkileri, İletişim Yayınları, İstanbul, 2007.

Erdal, İbrahim, Mübadele, Uluslaşma Sürecinde Türkiye ve Yunanistan 1923-1925, IQ Kültür Sanat Yayıncılık, İstanbul, 2006.

Luan Malltezi dhe Sherif Delvina, Mid’hat Frashëri Ministër Fuqiplotë Athinë (1923-1926), Shtëpia Botuese “Lumo Skendo”, Tiranë, 2002.

Özcan, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri (1920-1938), Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

[1] Halil Özcan, Marrëdhëniet Turqi-Shqipëri në Kohën e Ataturkut (Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri (1920-1938), Qendra e Studimeve të Ataturkut (Atatürk Araştırma Merkezi), Ankara, 2011, fq.112.

[2] Damla Demirözü, Savaştan Barışa Giden Yol, Atatürk-Venizelos Dönemi Türkiye-Yunanistan İlişkileri, İletişim Yayınları, İstanbul, 2007, s.31-34.

[3] Halil Özcan, Marrëdhëniet Turqi-Shqipëri në Kohën e Ataturkut (Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri (1920-1938), Qendra e Studimeve të Ataturkut (Atatürk Araştırma Merkezi), Ankara, 2011, fq.113.

[4]Halil Özcan, Marrëdhëniet Turqi-Shqipëri në Kohën e Ataturkut (Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri (1920-1938), Qendra e Studimeve të Ataturkut (Atatürk Araştırma Merkezi), Ankara, 2011, fq.112.

[5] İbrahim Erdal, Mübadele, Uluslaşma Sürecinde Türkiye ve Yunanistan 1923-1925, IQ Kültür Sanat Yayıncılık, Stamboll, 2006, fq.75.

[6] Kemal Arı, Këmbimi i Madh, Emigrimi i Detyruar në Turqi (Büyük Mübadele, Türkiye’ye Zorunlu Göç) (1932-1925), Tarih Vakfı Yurt Yayınları, Stamboll, 1995, fq.24-32.

[7] Kemal Arı, Këmbimi i Madh, Emigrimi i Detyruar në Turqi (Büyük Mübadele, Türkiye’ye Zorunlu Göç) (1932-1925), Tarih Vakfı Yurt Yayınları, Stamboll, 1995, fq.71.

[8] Luan Malltezi dhe Sherif Delvina, Mid’hat Frashëri Ministër Fuqiplotë Athinë (1923-1926), Shtëpia Botuese “Lumo Skendo”, Tiranë, 2002, fq.134-135.

[9] Arkivi i Kryeministrisë për Periudhën e Republikës (Başbakanlık Cumhuriyet Arşivi – BCA), 10 shtator 1923, kodi i fon-it: 272.11, vendi:16.67.10. Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri (1920-1938)…,fq .116.

[10]BCA, 1923, fon kodu: 272 11, yer no:16.68.9.

[11]BCA, 1923, fon kodu:272.11. yer no: 16.66.1.

[12] BCA, 1923, fon kodu:030.10, yer no:233.570.

[13] Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Historia e Popullit Shqiptar III, Tiranë, 2007, fq. 505.

[14] Erdal, Mübadele, Uluslaşma Sürecinde Türkiye ve Yunanistan 1923-1925…, fq.208.

13