Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 52-të)

Marrëveshja e Miqësisë Turqi-Shqipëri, marrëveshja e parë e miqësisë që Republika e Turqisë ka firmosur me një shtet tjetër.

Qeveria e Shqipërisë me qëllim vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Turqinë cakton një delegacion të kryesuar nga Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë Eshref Bej Frashëri dhe të përbërë nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme Xhafer Bej Vila dhe Nezir Bej Leskoviku. Më 17 tetor 1923 delegacioni shqiptar mbërrin në Stamboll dhe në 23 tetor 1923 niset me tren për në Ankara[1].

Në ditët që delegacioni nga Shqipëria vjen në Turqi, Ankaraja nuk e kishte zgjidhur ende çështjen e regjimit të ri politik. Në një situatë të tillë, kur nga njëra anë kemi shfaqjen e krizës së qeverisë, dhe nga ana tjetër Ministri i Punëve të Jashtme Ismet Pasha bëhet sëmurë, nuk përcaktohet një delegacion nga ana e Turqisë për të zhvilluar bisedimet me delegacionin e Shqipërisë. Delegacioni shqiptar këtë kohë mundohet ta vlerësojë për t’u sqaruar autoriteteve turke tezat e Shqipërisë duke realizuar takime dypalëshe.

Në këto takime delegacioni i Shqipërisë paraqet me përpikmëri kërkesën që shqiptarët e Turqisë të qëndrojnë në këtë vend si shtetas të Shqipërisë. Ndërkohë më 29 tetor 1923 shpallet Republika, e cila do të ishte regjimi i ri i shtetit turk në të ardhmen. Në të njëjtën ditë Gazi Mustafa Qemal Pashai zgjidhet njëzëri President i vendit.[2]. Kështu delegacioni i Shqipërisë dëshmon shpalljen e Republikës në Turqi dhe zgjedhjen e Gazi Mustafa Qemal Pashait President i Republikës[3].

Një ditë pas shpalljes së Republikës formohet qeveria e parë e Republikës nën drejtimin e Ismet Pashës. Më 1 nëntor 1923 Kryeministri Ismet Pasha pret në takim delegacionin e Shqipërisë. Delegacioni shqiptar del nga zyra e Ismet Pashait me opinionin që Turqia ka shumë dëshirë për rivendosjen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve[4].

Ministria e jashtme turke më 3 nëntor 1923 cakton delegacionin që do të udhëheqë bisedimet me Shqipërinë. Sipas kësaj caktohet një delegacion nën drejtimin e deputetit të Menteshes (Menteşe), Shykry Kaya (Şükrü Kaya) për të hartuar me delegacionin shqiptar që gjendej në Ankara një Traktat Miqësie, një Marrëveshje për Vendqëndrimin dhe Marrëveshjen e Shtetësisë[5].

Konferenca ndërmjet delegacioneve të Republikës së Turqisë dhe Republikës së Shqipërisë fillon në Sallën e Posaçme të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë në orën 16:30 të datës 10 nëntor 1923 në drejtimin e Shykry Kaja, kryetar i delegacionit turk. Shykry Kaja e hap sesionin duke mbajtur me entuziazëm fjalimin e mëposhtëm:

“…Zotërinj, turqit dhe shqiptarët për pesë shekuj kanë jetuar si një trupi i vetëm politik nën një shtet që kishte të njëjtat ligje, të njëjta norma e parime themelore. Për pesë shekuj në Shqipëri kanë qenë sovrane ligjet turke, sulltanati turk. Vetëm se gjatë kësaj kohe shqiptarët janë konsideruar si bij të largët të atdheut turk në kuadër të barazisë në drejtësi dhe sheriat. Në periudhat më të shkëlqyera të historisë tonë turqit dhe shqiptarët kanë ecur së bashku, në krah të njëri-tjetrit. E kam për detyrë të rikujtoj këtu me mirënjohje lidhjen vëllazërore që ka vazhduar për pesë shekuj ndërmjet turqve dhe shqiptarëve. Detyra jonë është që fatin dhe lidhjen ekzistuse ta forcojmë edhe më shumë…”[6].

Pas këtyre fjalëve të sinqerta në cilësinë e hapjes së mbledhjes të thëna nga Shykry Kaja, kryetari i delegacionit shqiptar Eshref Bej shpreh mirënjohjen për mikpritjen, vëmendjen dhe dashurinë që kishin parë nga vëllezërit turq që në momentet e para që kishin hyrë në Turqi dhe e vazhdon fjalimin e tij me këto fjalë të sinqerta:

“…Ndarja jonë nga Turqia ka ndohur vetëm në letër, vetëm mbi hartë si pasojë e ngjarjeve të pafundme të botës. Kurse zemrat dhe shpirtërat tanë janë një… Ajo, afrija jonë si një trup i vetëm me Turqinë nuk ka ndryshuar… Në qoftë se ka diçka për të cilën ne mburremi më shumë është që marrëveshjen e parë të miqësisë po e lidhim me vëllezërit tanë turq. Nga kjo konferencë jemi shumë të kënaqur dhe kemi shpresë që synimet tona të përzemërta do to të konkretizohen”[7].

Pas këtyre fjalimeve kalohet në diskutimin e marrëveshjeve në parimeve. Marrëveshja e Miqësisë pranohet në parim dhe merret vendim për nënshkrimin e saj pasi të jetë diskutuar në parlament në seancën plenare të datës 12 nëntor 1923, ora 15:00[8].

Bisedimet e ditës së parë ndërmjet delegacioneve turke dhe shqiptare në përgjithësi kalojnë në një atmosferë të sinqerntë. Ashtu siç ishte marrë vendim më parë negociatat Turqi-Shqipëri fillojnë pasdrekën e datës 12 nëntor në orën 15:00 në sallën e posaçme të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë nën drejtimin e Shykry Kaja. Në këto bisedime pranohet Marrëveshja e Miqësisë dhe akti i nënshkrimit lihet për ditën e shtunë, 17 nëntor. Përcaktohen 9 pika në lidhje me parimet e Marrëveshjes së Vendqëndrimit. Ndërkohë që shqyrtohet edhe drafmarrëveshja për shtetësinë. Sesioni i radhës i konferencës qeveritare të delegacioneve të Turqisë dhe Shqipërisë mbahet ditën e mërkurë, 14 nëntor 1923, në orën 15:00. Këtu siglohet marrëveshja e miqësisë e hartuar në turqisht dhe me katër pika[9].

Në fund të bisedimeve përmbyllen pa probleme marrëveshjet e miqësisë dhe vendqëndrimit, në pritje të nënshkrimit. Por mosmarrëveshja në lidhje me shtetësinë e detyron delegacionin shqiptar që ti ndërpresë negociatat. Pas ndërprerjes së bisedimeve në Ankara delegacioni qeveritar i Shqipërisë më 19 nëntor 1923 largohet nga Ankaraja dhe shkon në Stamboll. Këtu më datë 5 dhjetor 1923 mban një mbledhje me shqiptarët që jetonin në Stamboll[10].

Në kuadër të bisedimeve që kishte realizuar me shqiptarët e Stambollit delegacioni i Shqipërisë merr miratimin e qeverisë së Tiranës dhe i kërkon Turqisë që marrëveshja të nënshkruhet në Stamboll. Pas këtij zhvillimi kopjet e marrëveshjeve dërgohen nga Ankaraja në Stamboll dhe më 8 dhjetor 1923 marrëveshja firmoshet nga delegacioni shqiptar, i cili pastaj largohet edhe nga Stambolli. Kurse pala turke këto marrëveshje i firmos më 15 dhjetor 1923[11].

Turqit dhe shqiptarët, të cilët e kanë bashkuar fatin e tyre për pesë shekuj, këtë solidarësi të sinqertë pas luftërave për pavarësi e bënë të qëndrueshëm edhe me anë të marrëveshjeve. Fakti që Republika e Turqisë marrëveshjen e parë të miqësisë e ka lidhur me shqiptarët e ka bartur drejt të ardhmes miqësinë e këtyre dy shteteve dhe popujve që kanë ndarë fatin e tyre për pesë shekuj me radhë. Me shpresën që kjo miqësi të zgjasë deri në pafundësi po ndahemi këtu duke ju uruar të gjithëve vite të mbara. (Fund)

U përgatit nga: Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ / trt

Burimet dhe literatura kryesore:

Gazeta “Anadolu’da Yeni Gün” , 24 Tetor 1923, 11 Nëntor 1923,

Arnavutluk Dışişleri Bakanlığı Arşivi-Arkivi İ Ministrise Puneve Te Jashtme Tirane-Albania- (AMPJ), fon:251, yıl:1923, dosya:200, fq. 40-41.

Başbakanlık Cumhuriyet Arşivi (BCA), 1923, fon kodu:030.18.1. yer no:1/8.39.3.

MUMCU, Ahmet, Tarih Açısından Türk Devriminin Temelleri ve Gelişimi, İnkılâp Kitabevi, İstanbul,1988.

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri (1920-1938), Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

[1] Gazeta “Anadolu’da Yeni Gün” , 24 Tetor 1923, fq.1.

[2] Ahmet Mumcu, Tarih Açısından Türk Devriminin Temelleri ve Gelişimi, İnkılâp Kitabevi, İstanbul,1988, fq.112-116.

[3] Halil Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri (1920-1938), Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011, fq.124.

[4]AMPJ, fon:251, viti:1923, dosja:200, fq.40-41.

[5]BCA,1923, fon kodu:030.18.1. yer no:1/8.39.3.

[6] Gazeta “Anadolu’da Yeni Gün” , 11 Nëntor 1923, fq.1-2.

[7] Gazeta “Anadolu’da Yeni Gün” , 11 Nëntor 1923, fq.1-2.

[8] Özcan, po aty, fq.128.

[9] Özcan, po aty, fq.128

[10] Özcan, po aty,fq.128-132.

[11] Özcan, po aty,fq.133.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne