Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 8-të)

Në artikullin e kaluar theksuam mbështetjen shumë të rëndësishme të shqiptarëve në formimin e Komitetit Bashkim dhe Përparim dhe në shpalljen e monarkisë kushtetuese. Në vijim do të flasim për ndarjen e rrugëve ndërmjet intelektualëve shqiptarë dhe Unionistëve (përkrahësit e lëvizjes xhonturke Bashkim dhe Përparim) si dhe mbi qëndrimin e shqiptarëve në Kryengritjen e 31 Marsit.

Pas shpalljes së Monarkisë së Dytë Kushtetuese, Unionistët pushtetin nuk e mbajtën vetë, për arsye se veten ata e vlerësuan si të papërvojë dhe të rinj, por ua lanë pashallarëve të vjetër[1]. Nga ana tjetër intelektualët shqiptarë me anë të klubeve shqiptare që kishin ngritur në kuadër të lirive kushtetuese (që solli shpallja e kushtetutës së re) veprojnë për zhvillimin kulturor, ndërsa përmes komiteteve të fshehta punojnë për realizimin e nacionalizmit politik[2]. Si rrjedhojë e kësaj në kuadër të të drejtave kushtuese formohen klubet shqiptare, botohen gazeta dhe hapen shkolla shqipe. Vetëm se pikëpamjet e ndryshme që lindin në këtë periudhë ndërmjet Unionistëve dhe intelektualëve shqiptarë në lidhje me alfabetin shqip ruajnë në vetvete potencialin e një përpalljeje mes tyre në të ardhmen. Përveç kësaj, zhvillimet e jashtme politike që përfshinë Ballkanin menjëherë pas shpalljes së Monarkisë, krijojnë një efekt shokues mbi Unionistët. Shkurtimisht ti hedhim një vështrim këtij zhvillimi në politikën e jashtme.

Unionistët mendojnë se, me hapjen e parlamentit pas zgjedhjeve, duke qenë se në parlamentin e ri do të përfaqësoheshin të gjitha grupet etnike dhe fetare, Fuqitë e Mëdha nuk do të ndërhynin në punët e brendshme të Shtetit Osman. Vetëm se dy muaj e gjysmë pas shpalljes së Monarkisë, në 5 tetor 1908 Bullgaria shpalli pavarësinë. Të nesërmen Austro-Hungaria anekson Bosnjë-Hercegovinën dhe Parlamenti i Kretës vendos për bashkim me Greqinë. Kështu kemi të bëjmë me zhvillimin e një situate që është në kundërshtim me pritshmëritë e Unionistëve dhe Ballkani vendoset edhe një herë në epiqendër të zhvillimeve. Ndërkohë që në politikën e jashtme kemi zhvillime të tilla, nga brenda Unionistët fillojnë të ndërtojnë opozitën e tyre.

Në zgjedhjet që u mbajtën në muajt nëntor-dhjetor të vitit 1908, menjëherë pas humbjeve territoriale në Ballkan, Unionistët ndjekin një politikë “centralizuese” dhe “otomaniste”. Vetëm se gjatë procesit zgjedhor elementët e tjerë që përbënin Shtetin Osman bashkë me shqiptarët mbrojnë decentralizimin (autonominë). Dhe kjo gjë i vendos intelektualët shqiptarë ballë për ballë me Unionistët. Vizita që realizoi aty nga fundi i tetorit në Shqipëri Princi Sabahattin, i cili mbronte idenë e decentralizimit, pritet me një entuziazëm të madh dhe kandidatët shqiptarë për deputetë bashkohen me këtë rrymë opozitare[3]. Në këtë periudhë bien në sy edhe mospërputhjet në mendime ndërmjet disa intelektualëve shqiptarë. Mithat Frashëri në gazetën e tij që nxirrte në Selanik kritikon Ismail Qemalin. Kurse Nexhip Bej Draga, i cili kishte një influencë të rëndësishme brenda Komitetit Bashkim dhe Përparim të Selanikut, i nxit Unionistët të kalojnë në veprim kundër Isa Buletinit në Kosovë[4]. Në parlamentin e hapur në 17 dhjetor pas zgjedhjeve të reja marrin pjesë 25 deputetë shqiptarë. Unionistët kishin menduar se me shpalljen e Monarkisë do të gëzonin mbështetjen e Fuqive të Mëdha, kryesisht të Anglisë. Vetëm se Britania nga njëra anë duket sikur mbështet shpalljen e Monarkisë, kurse nga ana tjetër mbështet opozitarët. Do të jetë e dobishme nëse u hedhim një shikim të shkurtër edhe aktiviteteve të opozitarëve që marrin mbështetje të jashtme.

Pas shpalljes së Monarkisë II, klasa intelektuale është mjaft e shqetësuar nga Unionistët që kishin ardhur në Stamboll nga Selaniku. Përveç kësaj pjesëtarët e Armatës I në Stamboll, të cilët deri në shpalljen e Monarkisë së Dytë gëzonin një sërë privilegjesh, nuk u pëlqen aspak që ti humbasin këto privilegje dhe të jenë në një nivel me ushtarët dhe oficerët e tjerë. Dhe më në fund pranë Ministrisë së Mbrojtjes formohet një komision i posaçëm (Tesviye-i Rütep Komisyonu) dhe brenda një nate gradat e oficerëve ulen 2-3 shkallë më poshtë. Krahas kësaj ata që deri më tani fuqinë e merrnin nga pallati sulltanor vazhdojnë në mënyrë të fshehtë të bëjnë propagandë kundër Unionistëve. Të tjerët që ndjekin një propagandë kundër Komitetit Bashkim dhe Përparim janë edhe hoxhallarët që kishin filtruar brenda ushtrisë[5]. Atëherë qëndrimin e shqiptarëve të krijuar si rrjedhojë e këtij aktiviteti opozitar mund ta shikojmë më nga afër.

Siç kuptohet edhe nga shkrimet e gazetave që janë botuar ditën kur ndodhi Kryengritja e 31 Marsit, ngjarja mbështetet nga Qamil Pasha dhe djali i tij Sait Pasha, nga disa deputetë shqiptarë dhe Ismail Qemali me Myfit Bej Libohovën, studentët e shkollës “İlmiye”, partia politike liberale “Ahrar” e udhëhequr nga princ Sabahattini, dhe Komuniteti i Bashkuar Muhamedian (İttihad-ı Muhammedî cemiyeti). Në fillimin e kryengritjes një rol ndikues luajnë ushtarët me grada të ulëta, ushtarët e garnizonit, nxënësit e medreseve dhe Dervish Vahdeti[6]. Madje opozitën në Kryengritjen e 31 Marsit e mbështesin edhe elementë të tjerë jo-turq që kishin rezerva ndaj prirjeve centralizuese dhe nacionaliste të Unionistëve, me në krye këtu një pjesë të intelektualëve shqiptarë. Shtojmë këtu edhe mbështetjen që u dhanë kryengritësve opozitarë agjentët anglezë.

Një nga ata që ka luajtur rol kryesor në përgatitjen dhe drejtimin e Kryengritjes së 31 Marsit është edhe Ismail Qemal Beu. Partia liberale “Ahrar”, e formuar si forcë politike opozitare ndaj Unionistëve në periudhën e Monarkisë Kushtetuese dhe brenda të cilës bënte pjesë edhe Ismail Qemal Bey Vlora, mban një qëndrim të afërt me Anglinë. Ismail Qemali krijon një marrëdhënie të ngushtë miqësore me Ambasadorin Anglez në Stamboll gjatë periudhës së Monarkisë së Dytë Kushtetuese. Falë kësaj ai ndërton lidhje të ngushta edhe me Qamil Pashën nga Qiproja, i cili ishte pro-Anglisë. Pas rrëzimit të Qamil Pashës nga froni i kryeministrit, Ismail Qemali bie dakord me deputetët e tjerë me origjinë shqiptare Myfit Bej Libohovën dhe Basri Bej Dukagjinin dhe nisin e bëjnë propagandë për të fituar përkrahjen e batalioneve të vendosura në Stamboll me shumicë të ushtarëve me origjinë shqiptare. Si rrjedhojë e kësaj propagande kryengritësit kërkojnë të bëjnë kryeministër Qamil Pashën ose Ismail Qemalin[7].

Kur ndodhi ngjarja e 31 Marsit, kryengritja u mbështet edhe nga shtypi britanik, edhe nga Ambasada Angleze në Stamboll. Në mesin e qëllimeve të organizimit të ngjarjes së 31 Marsit bëjnë pjesë zgjedhja e pro-anglezit Qamil Pasha kryeministër dhe Ismail Qemalit Kryetar Parlamenti. Aktori që ndezi ngjarjen e 31 Marsit ishte rreshteri Hamdi Çavush, i cili filloi rebelimin ushtarak brenda garnizonit Tashkıshlla (Taşkışla). Sipas të dhënave që jepen në kujtimet e Abdylhamitit II ata që e gjetën dhe e mbështetën Hamdi Çavushin në këtë aventurë ishin Sait Pasha, djali i pro-anglezit Qamil Pasha, dhe Ismail Qemal Bej Vlora.

Ismail Qemali që nga dita e parë e fillimit të ngjarjeve merr përsipër orientimin e ngjarjeve në parlamentin osman dhe arrin të rrëzojë qeverinë duke i rekomanduar parlamentit që të pranojë kërkesat e ushtarakëve rebelë[8]. Deputetët e parlamentit e zgjedhin me vota unanime Ismail Qemal Beun kryetar të Parlamentit[9], vetëm se Ismail Qemali në këtë detyrë qëndron vetëm 1-2 ditë, pasi i humbet zgjedhjet që u mbajtën në ditën e 3-të dhe të 5-të[10].

Ismail Qemal Beu dhe deputetët që ishin nën ndikimin e tij në një komunikatë të përgatitur nga Parlamenti më datë 14 prill 1909 me qëllim për ta dërguar nëpër vilajetet dhe sanxhakët e shtetit shkruajnë se “sheriati do të vazhdojë me plotë kuptimin e fjalës”[11]. Deputetët shqiptarë që veprojnë bashkë me Ismail Qemalin, Esad Pashë Toptani dhe Myfit Bej Libohova, janë edhe deputetët që kanë vizituar sarajin sulltantor “Yıldız” në ditën e parë të kryengritjes. Dhe dy nga deputetët që lexojnë para ushtarakëve të mbledhur në parlament amnistinë dhe vullnetin e përgatitur në saraj në emër të Padishahut do të jenë pikërisht Esat Pashë Toptani dhe Myfit Bej Libohova. Në ditën e dytë të kryengritjes krijohet qeveria e Tevfik Pashës dhe Ismail Qemalit i ofrohet posti i Ministrit të Drejtësisë[12], por Ismail Qemali nuk e pranon këtë detyrë dhe kërkon emërimin e Nazim Pashës në krye të Armatës së Parë të ushtrisë osmane. Ismail Qemali pritet ngrohtë në takim nga Padishahu dhe arrin ta bindë këtë të fundit për emërimin e Nazim Pahës. Kurse ditën e tretë të kryengritjes Ismail Qemali bashkë me Myfit Bej Libohovën i dërgojnë telegraf Klubit Shqiptar në Vlorë, ku bëjnë me dije se “në kryengritjen që ka filluar kundër forcës sekrete, e cila sundon për një copë kohë, kanë marrë pjesë edhe ushtarët”. Ismail Qemal Bej Vlora thotë se qeveria e re është formuar në përshtatje me kushtet dhe procedurat e Monarkisë dhe kërkon njoftimin e klubeve shqiptare se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar[13]. Me mbërritjen në Stamboll të Ushtrisë “Lëvizja” (Hareket Ordusu), Ismail Qemali i strehuar në Ambasadën Angleze, në datën 20 prill 1909 largohet nga Stambolli me anijen me flamur anglez “Tevfikiye”[14].

Pas shpalljes së Monarkisë së Dytë Kushtetuese shqiptarët kundërshtojnë politikën “centralizuese” të Komitetit Bashkim dhe Përparim dhe fillojnë e ndjekin një politikë pro-Anglisë. Kjo është edhe arsyeja që disa deputetë shqiptarë si Hasan Prishtina, Esat Pashë Toptani, Myfit Bej Libohova, Syreja Beu dhe Basri Beu nga Dukagjini bashkë me Ismail Qemalin renditen pranë Princit Sabahattin, i cili ishte opozitar i Unionistëve[15]. Kjo opozitë e deputetëve me origjinë shqiptare kundër Komitetit Bashkim dhe Përparim nuk do të mbetej e kufizuar vetëm me fjalë, por do të vihej në veprim duke organizuar kryengritjen e 31 Marsit.

U përgatit nga: Dr. Halil Özcan (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar Hüseyni.

Burimet dhe literatura kryesore:

AKŞİN, Sina 31 Mart Olayı, Sevinç Matbaası, Ankara, 1970,s .7.

İkinci Meşrutiyetin İlanı ve Otuzbir Mart Hadisesi: II.Abdülhamit’in Son Mabeyn Başkâtibi Ali Cevat Bey’in Fezlekesi,Yay.Haz. Faik Reşit Unat, Türk Tarih Kurumu, Ankara,1991.

ÇELİK, Bilgin, İttihatçılar ve Arnavutlar: II.Meşrutiyet Döneminde Arnavut Ulusçuluğu ve Arnavutluk Sorunu, Büke Kitapları, İstanbuli 2004.

KARAL, Enver Ziya, Osmanlı Tarihi IX. Cilt: İkinci Meşrutiyet ve I. Dünya Savaşı (1908-1918), Türk Tarih Kurumu, Ankara. 1999.

SÖNMEZ, Banu İşlet, II. Meşrutiyette Arnavut Muhalefeti, Yapı Kredi Yayınları, İstanbul, 2007.

VLORA, Avlonyalı Ekrem Bey, Osmanlı Arnavutluk’undan Anılar (1885-1912), Çeviren Atilla Dirim, İletişim Yayınları, İstanbul, 2006.

[1] Sina Akşin, 31 Mart Olayı, Sevinç Matbaası, Ankara, 1970,s .7.

[2]Banu İşlet Sönmez, II. Meşrutiyette Arnavut Muhalefeti, Yapı Kredi Yayınları, İstanbul, 2007, s.93.

[3]Sönmez, a.g.e., s.105.

[4] Bilgin Çelik, İttihatçılar ve Arnavutlar: II.Meşrutiyet Döneminde Arnavut Ulusçuluğu ve Arnavutluk Sorunu, Büke Kitapları, İstanbuli 2004,s.349.

[5]Avlonyalı Ekrem Bey Vlora, Osmanlı Arnavutluk’undan Anılar (1885-1912), Çeviren Atilla Dirim, İletişim Yayınları, İstanbul, 2006, s,237.

[6]Karal, Enver Ziya: Osmanlı Tarihi IX. Cilt: İkinci Meşrutiyet ve Birinci Dünya Savaşı (1908-1918), Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1999, s.116.

[7]Karal, a.g.e., s. 117-118.

[8]Karal, a.g.e., s. 88.

[9]İkinci Meşrutiyetin İlanı ve Otuzbir Mart Hadisesi: II.Abdülhamit’in Son Mabeyn Başkâtibi Ali Cevat Bey’in Fezlekesi, Yay.Haz. Faik Reşit Unat, Türk Tarih Kurumu, Ankara,1991, s.183.

[10]Sönmez, a.g.e., s.122-123).

[11]Karal, a.g.e., s. 99.

[12]İkinci Meşrutiyetin İlanı ve Otuzbir Mart Hadisesi…,s.57.

[13]Sönmez, a.g.e.,s.124.

[14]Sönmez, a.g.e., s.125-126.

[15]Karal, a.g.e., s.245.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne