Në shkrimin e kaluar ju treguam se pas shpalljes së Monarkisë II Kushtetuese shqiptarët dolën kundër politikës centralizuese të Komitetit Bashkim dhe Përparim dhe përkrahën Kryengritjen e 31 Marsit. Abdylhamiti II pas Kryengritjes së 31 Marsit rrëzohet nga pushteti dhe shpallet gjendje e jashtëzakonshme, gjë e cila solli kufizime në lirinë shtypit, tubimit, krijimit të shoqatave dhe në lirinë e mendimit. Unionistët në këtë periudhë, kur opozita ndodhet nën presion, fillojnë e zbatojnë politikën e tyre otomaniste dhe centralizuese. Kurse intelektualët shqiptarë fillojnë opozitën e tyre kundër qeverisjes së Monarkisë, pra kundër udhëheqjes së Bashkim dhe Përparim.

Duke qenë se shqiptarët dhanë mbështetjen e tyre për shpalljen e monarkisë, pritma e tyre nga qeverisja pas shpalljes së Monarkisë ishte në drejtim të arsimimit në gjuhën e tyre dhe autonomisë. Vetëm se pushteti i Komitetit Bashkim dhe Përparim mban një qëndrim këmbëngulës për sa i përket qeverisjes së centralizuar. Kurse intelektualët shqiptarë ndërmarrin një përpjekje për pushtet duke filluar opozitën ndaj Unionistëve. Një zhvillim që ndikoi negativisht tek shqiptarët ishte shpërndarja dhe dërgimi në Selanik i batalionit shqiptar, brenda të cilit kishte edhe njësi që kishin marrë pjesë në rrëzimin e Ambylhamiti nga Unionistët pas Kryengritjes së 31 Marsit, por edhe njësi që e mbronin Sulltan Abdylhamitin[1]. Atëherë do të ishte e dobishme të shikojmë zhvillimet pozitive në Shqipëri menjëherë pas shpalljes së Monarkisë Kushtetuese dhe pastaj ti hedhim një sy opozitarizmin të intelektualëve shqiptarë pas Kryengritjes së 31 Marsit.

Brenda një viti nga shpallja e Monarkisë II Kushtetuese u themeluan 21 shoqëri kombëtare shqiptare me emrin “Bashkimi”, me në krye këtu shoqëritë në Stamboll, Korçë, Shkup dhe Shkodër. Përveç kësaj në 10 muajt e parë të Monarkisë Kushtetuese në Shqipëri u formuan 66 klube kulturore dhe politike dhe u mbajtën 4 kongrese. Përveç kësaj hapen 24 shkolla nate me 1.753 nxënës dhe 34 shkolla fillore me 1.850 nxënës. Burgu në Elbasan, që ishte edhe ndërtesa më e madhe e qytetit, kthehet në shkollë dhe në ditën e parë të shkollës numri i nxënësve arrin në 1.500. Krahas këtyre zhvillimeve hapen edhe shtypshkronja që botojnë tekstet shkollore në gjuhën shqipe[2].

Në përvjetorin e parë të Shpalljes së Kushtetutës II, në Dibër mblidhet Komiteti Kushtetues Otomano-Shqiptar. Me qëllim për të fituar simpatinë e shqiptarëve Unionistët para se të mbahej kongresi lejojnë mësimet në gjuhën shqipe nëpër shkolla dhe shpallin amnisti për të gjithë pjesëmarrësit në Kryengritjen e 31 Marsit. Përveç kësaj formohet edhe një komision me 40 anëtarë, ku nga çdo vilajet i Turqisë evropiane marrin pjesë nga 8 vetë, me qëllim për të diskutuar programin e Unionistëve, i cili kishte për objektiv të forconte lidhjet e shqiptarëve me Shtetin Osman. Shqiptarët që marrin pjesë në këtë Kongres arrijnë që disa kërkesa specifike të tyre ti vendosin në program. Këto kërkesa të veçanta janë: hapja e shkollave fillore dhe të mesme shqipe, emërimi i nëpunësve që njohin gjuhën dhe zakonet shqiptare, përdorimi i gjuhës shqipe gjatë ceremonive fetare, themelimi i një kishe të pavarur Ortodokse Shqiptare, likuidimin e monopolit francez të duhanit dhe ndërtimin e rrugëve. Shqiptarët pjesëmarrës në Kongres sa do që u ulën në tryezë me Unionistët, nuk janë aspak për të bërë as lëshimin më të vogël në lidhje me çështjet e tyre kombëtare[3]. Për këtë arsye shqiptarët vazhdojnë të paraqesin kërkesat e tyre kombëtare.

Në datat 2-8 shtator 1909 në Elbasan mbahet një kongres me pjesëmarrjen e rreth 30 delegatëve nga Shqipëria e mesme dhe e jugut. Këta delegatë kërkojnë hapjen e një shkolle të lartë pedagogjike, e cila do të përgatiste mësues për shkollat me gjashtë klasa që jepnin mësim në gjuhën shqipe. Dhe me qëllim grumbullimin e shpenzimeve të shkollës themelohet edhe një shoqëri arsimore shqiptare me emrin “Përparimi”. Krahas debatit të vazhdueshëm ndërmjet Unionistëve dhe intelektualëve shqiptarë për çështjen e shkollës, në këtë kohë ndërmjet intelektualëve shqiptarë fillon debati për alfabetin. Pavarësisht se në mbledhjet që u mbajtën në Manastir në vitin 1908 u mor vendim për përdorimin e alfabetit latin Maqedonia, Kosova, Dibra, Korça, Elbasani dhe Shqipëria veriore kërkojnë alfabetin arab[4]. Çështja e alfabetit diskutohet edhe në kongresin e dytë të gjuhës që u mbajt në Manastir në datat 21-23 mars 1910.

Gjendja e jashtëzakonshme e shpallur nga Mahmut Shefket Pasha, komandanti i Ushtrisë së Lëvizjes (Hareket Ordusu), e cila kishte ardhur në Stamboll për të shtypur Kryengritjen e 31 Marsit, vazhdon deri në 15 korrik të 1912-s. Që në fillim të kësaj periudhe (më saktë brenda vitit 1909) miratohen një seri ndryshimesh në kushtetutë dhe legjislacion që kufizojnë liritë dhe forcojnë politikën centralizuese. Brenda këtyre rregullimeve ligjore ato që spikasin më shumë në këndvështrimin e shqiptarëve janë ligjet për Shoqëritë dhe Çetat. Me Ligjin e Shoqërive e Klubeve që miratohet në 16 gusht 1909 ndalohet themelimi i shoqërive me qëllime politike dhe me emërtime mbi baza kombëtare dhe gjinie. Për të ndaluar mbylljen e klubeve dhe shoqërive intelektualët shqiptarë kërkojnë rrugëzgjidhje në Kongresin e Manastirit, që u mbajt në mars të vitit 1910. Kongresi vendos që klubet shqiptare të mos merren me çështje të tjera përveç atyre të gjuhës dhe letërsisë. Por ky vendim i marrë nga kongresi nuk do të mjaftojë dhe Klubet Shqiptare mbyllen duke u bazuar në Ligjin për Shoqatat, që doli në verën e vitit 1910[5].

Një rregullim tjetër ligjor që shkaktoi reagimin dhe opozitarizmin e shqiptarëve është Ligji i Çetave, që doli në 27 shtator 1909. Ky ligj përmban dispozitën që parashikon dënimin me gjashtë muaj burg të personave që mbajnë dhe fshehin armë. Por dihet që shqiptarët i duan shumë armët dhe lëvizin përherë të armatosur. Përveç kësaj ligji parashikon dënim me dhjetë vjet burg të atyre që kanë marrë pjesë në çeta dhe dënimin me vdekje (varje) të atyre që themelojnë dhe udhëheqin çeta. Sipas Ligjit të Çetave në qoftë se pjesëtari i një familjeje të çfarëdoshme bëhet anëtar i çetës atëherë për këtë do të ndëshkohet e gjithë familja dhe malli e pasuria e familjes do të sekuestrohet[6]. Po të mendojmë që në vitet 1908-1909 çerek milionë nga rreth dy milionë shqiptarë qarkullonin me armë zjarri me mbushje nga prapa[7] mund të thuhet që ky rregullim ligjor në lidhje me armëmbajtjen kishte ngjallur pakënaqësi tek të gjithë shqiptarët.

Përveç këtyre një diçka tjetër që solli reagimin e madh të shqiptarëve ishin edhe disa praktika fyese të mbështetur në ligjin mbi personat, prej të cilëve priteshin të këqija (Serseri ve Mazanna-ı Su’Eşhas Kanunu). Ndërsa me Ligjin e Shtypit në Shqipëri mbyllen edhe gazetat, por arrestohen edhe gazetarët[8].

Gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme Unionistët me qëllim forcimin e politikave të tyre centralizuese fillojnë dhe aplikojnë praktika të tilla si: numërim i popullsisë, tatime të rregullta, shërbim të rregullt ushtarak, çarmatim. Si politikë Unionistët përvetësojnë “unitetin e elementëve përbërës të shtetit osman” (ittihad-ı anasırı), ku përkatësisë fetare i shtohej edhe ajo kombëtare. Kurse intelektualët shqiptarë këmbëngulin për njohjen e kombit shqiptar dhe gjuhës së tij me qëllim për të garantuar të ardhmen politike të Shqipërisë në rast të shpërbërjes së Shtetit Osman. Përkundër kërkesave të intelektualëve shqiptarë për arsim në gjuhën shqipe dhe alfabet Komiteti (Bashkim dhe Përparim) mendon se përdorimi i Alfabetit Latin do të sillte lindjen e një ideje kombëtare. Rrjedhimisht qëndrimi i Komitetit në lidhje me këtë çështje u prit me reagime nga shqiptarët[9].

Pas Kryengritjes së 31 Marsit mbyllet gazeta e Partisë Demokrate Osmane besnike ndaj otomanizmit. Gazeta ishte themeluar nga Ibrahim Temo dhe Abdullah Xhevdeti, të cilët vazhduan ti ruajnë lidhjet me Unionistët edhe pas Kryengritjes së 31 Marsit. Vetëm se pas mbylljes së gazetës anëtarët e kësaj force politike përballen me presione të ndryshme. Në fund të Kryengritjes së 31 Marsit mbyllet edhe partia islame “Ahrar”, anëtarë të së cilës ishin edhe disa deputetë shqiptarë. Në nëntor të vitit 1909 disa deputetë shqiptarë dhe arabë themelojnë partinë e moderuar “Mutedil Hürriyetperveran Fırkası” dhe kryetari i parë i saj zgjidhet Ismail Qemal Beu. Partia përvetëson politikën e decentralizimit dhe në nëntor të 1911 anëtarët e saj bashkohen me Partinë Liria dhe Aleanca (Hürriyet ve İtilaf Fırkası). Ndërkaq me problemin shqiptar interesohet edhe Partia e Popullit (Ahali Fırkası), e cila u themelua në 21 shkurt 1910 nën drejtimin e liderit fetar (ulema)[10].

Reagimin e tyre intelektualët shqiptarët, të cilët pas shpalljes së Monarkisë së Dytë Kushtetuese kalojnë në opozitarizëm, e zhvillojnë në dy kanale. E para, marrin pjesë me rrugë ligjore në partitë politike opozitare dhe kërkesat e tyre i paraqesin nëpërmjet parlamentit dhe opinionit publik. Por kur nuk arrijnë të marrin rezultat përmes rrugëve ligjore, atëherë shqiptarët provojnë një rrugë tjetër, e cila është kryengritja, çështje për të cilën do t’ju flasim në shkriimn e ardhshëm.

U përgatit nga: Dr. Halil Özcan (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar Hüseyni.

Burimet dhe literatura kryesore:

BARTL, Peter, Milli Bağımsızlık Hareketleri Esnâsında Arnavutluk Müslümanları, çeviren Ali Taner, Bedir Yayınları, İstanbul, 1998.

ÇELİK, Bilgin, İttihatçılar ve Arnavutlar: II.Meşrutiyet Döneminde Arnavut Ulusçuluğu ve Arnavutluk Sorunu, Büke Kitapları, İstanbul, 2004.

SÖNMEZ, Banu İşlet, II. Meşrutiyette Arnavut Muhalefeti, Yapı Kredi Yayınları, İstanbul, 2007.

VLORA, Avlonyalı Ekrem Bey, Osmanlı Arnavutluk’undan Anılar (1885-1912), Çeviren Atilla Dirim, İletişim Yayınları, İstanbul, 2006.

[1] Bilgin Çelik, İttihatçılar ve Arnavutlar: II.Meşrutiyet Döneminde Arnavut Ulusçuluğu ve Arnavutluk Sorunu, Büke Kitapları, İstanbul, 2004,s.345.

[2] Peter Bartl, Milli Bağımsızlık Hareketleri Esnâsında Arnavutluk Müslümanları, çeviren Ali Taner, Bedir Yayınları, İstanbul, 1998, s.276.

[3]Bartl, a.g.e., s.286-287.

[4]Bartl, a.g.e., s. 287-288.

[5]Banu İşlet Sönmez, II. Meşrutiyette Arnavut Muhalefeti, Yapı Kredi Yayınları, İstanbul, 2007, s.133-134.

[6]Sönmez, a.g.e., s.135.

[7]Avlonyalı Ekrem Bey VLORA, Osmanlı Arnavutluk’undan Anılar (1885-1912), Çeviren Atilla Dirim, İletişim Yayınları, İstanbul, 2006, s.243.

[8]Sönmez, a.g.e., s.135.

[9]Sönmez, a.g.e., s.135-145.

[10] Sönmez, a.g.e., s.145-146.

62